Zyra e Prokurorit të Specializuar shkel urdhrin e trupit gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së

RKL: Deri kur me eufemizmin “dhomat e specializuara” dhe jo me faktin real, Gjykata Speciale kundër UÇK-së?

Mendje-robëruarit, servilët, skllevërit e pranimit të çdo kërkesë nga sunduesit me “lepe peqe” “hvala moljim”, “Yes Okey”, të të gjitha mendësive të huaja, nuk bëjnë as edhe më të voglën përpjekje për të emërtuar gjërat logjikisht, sipas përmbajtjes, por përkthejnë fjalë e togfjalësh të imponuar nga të huajt dhe shërbehen me to, duke dëmtuar përmbajtjen reale faktike të emërtimit logjik, në rastin dhe momentin e caktuar.

Historianët shkollës titiste rankoviqiste, duke shkruar për luftëtarët e lirisë, ata i kanë quajtur “kaçakë e banditë”, apo Lëvizje Kaçake, sipas ( Koçaçki pokret) ashtu sikur i ka emërtuar Serbia, luftëtarët e NDSH-së, i kanë quajtur “ballistë e zogistë”, me qëllim për t’ i pushkatuar si bashkëpunëtorë të fashizmit,  veprimtarët e lirisë që kërkonin liri e barazi në  Jugosllavinë e Titos i kanë quajtur, nacionalistë e irredentistë, luftën e UÇK-së pjellë të regjimit të Beogradit e të tjera.

Po kështu, kurriz-kërrusurit   vazhdimisht janë shërbyer me  eufemizëm, për të mos i emërtuar gjërat me emrin e vërtetë, por me formën e butë, nga frika se mos po ua prishin terezinë, apo “namuzin” politik sunduesve e protektorëve.

Në kohën e pas luftës, në bisedimet e delegacioneve të Kosovës me Serbinë, ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, madje edhe arbitrimin e quajnë “lehtësim” në dialog. Tani, Gjykatën Speciale e cila dihet botërisht se është gjykatë kundër UÇK-së, e quajnë Dhomë e Specializuar e Kosovës, Zyra e Prokurorit të Specializuar, e të tjera, në kuptimin se këto dhoma dhe zyre janë të Kosovës, si njëlloj filiale e Gjykatës Speciale.

 

Ish-ishet,  antilogjike dhe antihistorike

Luftëtarët e lirisë, veteranët, invalidët, eprorët e UÇK-së, i quajnë ish eprorët, ish UÇK-ja, ish kreu i luftës, në kuptimin se kanë qenë  dikur, por tani nuk janë, edhe pse shumica dërrmuese e tyre janë gjallë, ka madje edhe ndonjë deputet në Kuvendin e Kosovës, por nuk është asnjë në Qeverinë Kurti. Po kjo nuk do të thotë se të gjithë janë ish-isha.

Sipas kësaj “logjike” të neveritshme luftëtarët e kohës së turkut, u dashka t’ i quajnë ish-kryengritësit shqiptarë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit u dashka ta quajmë ish-LSHP, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ish-LANAÇ, ish të burgosurit politikë etj. Sipas këtij formati të perceptimit të gjërave krejt e kaluara reduktohet në  ish-ishe,  sikur në serbishtën “bivshi- bivsha” etj.

Përdorimi i këtyre emërtimeve, qoftë me aufemizëm, qoftë me përkthime fjalë për fjalë, duke e përjashtuar emërtimin real, me apo pa qëllim dëmton një realitet të caktuar faktik dhe historik. Po të përkthehej lufta e UÇK-së nga emërtimi zyrtar serb, “teroristi OVK”  rezulton të jetë “terroristët e UÇK-së”, sikur analogjikisht  kanë përkthyer historianët eunukë të bashkim vëllazërimit, nga Koçaçki Pokret, “Lëvizja Kaçake”.

Nuk ka luftëtarë të lirisë, invalid apo veteranë të gjallë, apo eprorë të UÇK-së që pajtohet me konstatimin se jemi ish luftëtarë, në kuptimin kemi qenë por tani nuk jemi. Madje, as ndonjë partizan ende gjallë i kohën se Jugosllavisë së Titos, nuk do të pranonte të thoshe se ka qenë ish partizan, por e thotë, kam qenë partizan. Nuk thuhet ish-lufta partizane e Fadil Hoxhës, apo ish-lufta e Shaban Palluzhës.

Do t’ i mbetesha borxh profesorit të ndjerë të historisë, dr. Muhamet Pirraku, i cili kishte propozuar të hiqet nga përdorimi, parafjala, ish për luftën e UÇK-së, duke konstatuar me të drejtë se asnjë luftë në botë nuk quhet ish-lufta, por specifikohet me emrin, vendin, kohën dhe datën  e caktuar.

Fakti se në Kosovë ka pasur dhe ka shumë kundërshtarë të luftës së UÇK-së, ka bërë që kuzhinat  informative të dikurshme me jugo-çorbën e tyre të preferuar, të mbesin në verigat e së kaluarës, duke e  instaluar mendësinë serbe e sllave në të gjitha segmentet e mundshme të jetës shoqërore, informative politike e diplomatike.

Është koha e fundit që të heqin dorë nga emërtimet eufemistike, nga përkthimi fjalë për fjalë i shprehjeve apo frazeologjisë së huaj, sikur në vend të togfjalëshit, “ngjarje kulturore, përkujtimore etj, përdoret “event kulturor”, nga  fjala frënge, “eveniment”, nga art figurativ, dikush e ka shqiptarizuar si  “art pamor”, art i pamjes, që nuk e përmbush emërtimin e plotë të figuracionit artistik të ideuar e të prezantuar me  brushë e ngjyra, edhe pse të dyja fjalët i përkasin gjuhës latine, por kanë përdorim unik në botë. Janë të shumta në numër  fjalët e togë-fjalët, që nuk akordojnë me natyrën e historisë së gjuhës shqipe, por gazetarët, e analistët gjysmakë i vënë në përdorim, për të treguar se janë të moderuar, të integruar, të hapur…

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …