Aristidh Kola

Albert Z. ZHOLI: Rilindasi modern, avranitasi i madh, Aristidh Kola, (8 korrik 1944-11 tetor 2000) i lënë në harresë

Aristidh P. Kola u lind më 8 korrik 1944 në Leontari (Kaskaveli) të Thivës, rrethin e Tebës dhe kishte dy motra dhe një vëlla. Një fëmijë i vëmendshëm që nisi të shkonte pas të atit që ishte ikonograf në kishat e Thivës. Ky djalë ishte fort i dhënë pas artit, por edhe pas gojëdhënave të gjyshërve arvanitë. Gjente në to shumë cilësi që nuk i shihte përreth. Ajo çfarë i bënte përshtypje ishte se ndjehej një fare droje në të folurën arvanite në publik. Mësuesit ishin shumë të rreptë dhe kësisoj shqipja e vjetër e folur prej tyre strukej për t’u përdorur në shtëpi. Por edhe emrat e fshatrave po tentohej të ndryshoheshin, sepse ishin emra arvanitë. A mos ky lloj ndalimi, (një komision i Helsinkit raportonte se fëmijët arvanitë rriheshin prej mësuesve grekë kur flisnin në gjuhën e kombit prej të cilit e kishin prejardhjen), mos vallë pra ky ndalim ngjalli revoltën e Arit të vogël (kështu e quanin të afërmit e miqtë)?! Në intervistat e mëvonshme ai tregon episode të fëmijërisë e jetës shkollore, por edhe çfarë po ngjiste me këngët e vallet arvanite të cilave edhe tekstin kishin nisur t’ua kthenin në greqisht. Mbaroi gjimnazin e Thivës në vitin 1963 dhe më pas vazhdoi studimet për jurist në Universitetin e Athinës, Fakultetin Juridik, të cilin e përfundoi në 1968. Në këtë vit bën një përpjekje për të vazhduar studimet pasuniversitare në Francë bashkë me shokun e tij Niko, që për pak u kushtoi burgun. Për shkak të situatave të turbullta nga demostratat dhe revoltat e studentëve parisianë u ndaluan nga policia franceze dhe i detyruan të kthehen sërish në Athinë ku ushtroi profesionin e juristit. Në vitet ’80-të, Aristidh Kola do të linte profesionin për t’u marrë me pasionin e jetës së tij; studimet historike, traditat, folklorin dhe gjuhën arvanitase që ishte gjuhë e fëmijërisë së tij dhe e rrënjëve të tij arvanitase. Aristidh Kola ishte shumë i apasionuar edhe pas arteve, njohës i muzikës klasike dhe popullore, piktor amator i admirueshëm, kjo për shkak të traditave familjare. Babai ishte piktor ikonash, po ashtu dhe motra e tij, ka bërë emër si piktore ikonografe në Gjermani, gjithashtu dhe i vëllai Jorgo ushtroi të njëjtin profesion, si ikonograf. Falë aftësive vëzhguese dhe analitike si dhe njohjes së arteve, që në studimet e para arvanitase do të kishte sukses të plotë. Libri i tij i parë “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” u botua në Athinë në vitin 1983, duke njohur 12 botime në greqisht deri më sot dhe duke u bërë, krahas librit të Kosta N. Birit po për arvanitët, libri klasik që hyri masivisht në çdo familje arvanitase në Greqi. Autori i ri fitoi një popullaritet të madh tek arvanitasit dhe në rrethet studimore. Që nga viti 1986 e deri në vitin 1995, ai u zgjodh vazhdimisht president i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë. Në vitin 1989 boton librin e dytë studimor “Gjuha e perëndive” në përpjekje për të shpjeguar fjalët dhe shprehjet e mitologjisë greke me ndihmën e të folurës arvanitase. Atë libër Aristidh Kola e konsideronte si shtesë e librit të tij madhor “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”. Në vitin 1995 boton librin me temë aktuale “Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”, që do të përkthehej më pas në gjuhën shqipe duke u bërë një nga librat më të shitur e të kërkuar në vitin 1998 në Shqipëri. Në vitin 2002 (pas vdekjes) do të botohej i përkthyer në Shqipëri edhe libri i tij “Arvanitët”. Aristidh Kola ishte edhe themelues i Qendrës së Studimeve Arvanitase “Marko Boçari”, të cilën e drejtoi në shumë vite. Bashkë me kompozitorin dhe muzikologun Thanasis Moraitis, Aristidh Kola do të ishte organizatori i festivalit të parë me këngë arvanite, më 15 dhjetor 1986, nga e cila do të dilnin kasetat dhe disqet e para. Më 7 mars 1998 do të organizohej po nga këta edhe festivali i dytë, nga i cili, në vitin 1999 do të qarkullonte një kompakt disk me titull “Trëndafilat e shkëmbit” i edituar shumë herë e me një sukses të jashtzakonshëm. Botoi fillimisht revistën “Besa” si organ të “Lidhjes Arvanitase”, të cilën e drejton deri në vitin 1995 (34 numra) dhe pas ndërprerjes së saj, krijoi shtëpinë botuese “Thamiris” dhe revistën e re dymujore “Arvanon” 1998-1999 (në 8 numra). I ngarkuar tej mase me punët studimore, detyrohet të ndërpresë botimin e revistës “Arvanon”. Në vitin 2000 boton librin “Antonio Bellusci dhe magjia e gojëdhanave popullore”. Janë të shumtë librat e shkruar, por të pabotuar të Aristidh Kolws, ndër këta “Zeusi pellazgjik dhe mashtrimi indo-europian”, “Kadmos dhe Alfabeti”, “Marko Boçari” -roman biografik, “Poezi dhe tregime”, e të tjera vepra mbetur në dorëshkrim. Aristidh Kola u sëmur krejt papritur më 24 maj 2000 dhe të mërkurën e 11 Tetorit 2000 në mbrëmje, jeta e tij u shua duke lënë pas gruan Nansi, vajzën Polikseni, djalin Pano, si dhe veprat që shkroi, të cilat e bëjnë emrin e tij të pavdekshëm në historinë e arvanitasve.

Kur hidheshin themelet e pavarësisë së Kosovës

Aristidhi ishte publicist i madh, mbrojtës i patundur i kauzës së shqiptarëve në Ballkan, mbrojtës i shqiptarëve të Kosovës, për të cilën shkroi dhe veprën “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit” Athinë 1995, përkthyer edhe në shqip.
Ai ishte njeriu i paqes, megjithëse luftëtar i madh i kauzës së kulturës dhe dinjitetit të popullit të vet, ai dëshironte që në mes të dy popujve më të vjetër në Ballkan të kishte miqësi e mirëkuptim, sepse vetë popujt kurrë nuk janë burime luftrash ata më së shumti e pësojne prej politikës së mbrapshtë të kastave e qarqeve ekstremiste.Për të mbrojtur luftën e drejtë të popullit Kosovar ai u përball I vetëm kundër 10 milionë grekëve. Fjala e tij bindëse bëri që shumë intelektualë dhe gazetarë ta përkrahnin mendimin e tij progresist. Pra duke evoluar ngjarjet dhe debatet për Kosovën më vonë edhe zërat e vërtetë nuk munguan. Gazetari, Stavros Theodhoraqis, drejtor i revistës “Klik”, tek revista “Men” nr. 4/1999, mes të tjerash shkruan:
“…që nga fillimi i vitit 1999 spastrimet e Millosheviçit kishin shtyrë jashtë Kosovës, gjysmë milion shqiptarë. Në javën e parë të bombardimeve u larguan edhe 100 mijë të tjerë… Më besdis mungesa e gjakftohtësisë, gënjeshtrat tona të mëdha e të vogla, hipokrizia. Në televizion nuk merr vesh se kur fillon lajmi, kur komenti e kur propaganda. Dëgjoja një spikere të mallkonte amerikanët që bombardojnë civile të pafajshëm, ndërsa në ekran projektoheshin sekuenca nga arratia e refugjatëve. Mediat greke shohin vetëm “sërbët ortodoksë” që i rezikojnë “të keqit Klinton”, ndërsa mediat ndërkombëtare shohin refugjatët e përndjekur nga Millosheviçi… Po ata persona që në shkurt i bënin apel SHBA-së të ndërhynte kundër Turqisë që po shtypte kurdët, tani pyesin nga TV-të se ç’punë kanë amerikanët në ballkan?… “Intelektualët e shqetësuar”, me qirinj në duar, nuk thonë
asnjë fjalë për përndjekjet e Millosheviçit. Sigurisht’ ngjarjet në Jugosllavi do të zhvillohen pavarësisht nga dëshirat e Greqisë… As Klintonin nuk mund ta ndalojmë, as Millosheviçin. Le të ndihemi më në fund rehat me shtatin tonë të vogël e të mos fryhemi e t’i biem gjoksit me grusht. E sigurt është se popujt që ndahen me armë, shumë vështirë se mund të bashkohen”.
Pozicioni zytrar i Greqisë bëhet edhe më i vështirë për vetë rolin e medias. Nga njëra anë, Greqia si antare e NATO-s dhe e BE-së, që përbënin aleancën kundër Millosheviçit dhe nga ana tjetër Greqia si vënd ballkanik, e lidhur ngushtë me Sërbinë nga feja ortodokse dhe interesat e përbashkëta në rajon. Qëndrimi zyrtar i qeverisë greke ishte i ekuilibruar e i kujdesshëm. Një meritë të veçantë ka kryeministri Simitis, që diti të manovrojë me zgjuarësi, pa rënë në njëanshmëri. Greqia u deklarua mike me popullin sërb, si me gjithë popujt e Ballkanit, duke dënuar spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Në këtë kohë Greqia dha një ndihmë humane prej 200 milion dhrahmish ndihmë. Në këtë periudhë, gazeta presticioze “Ta Nea” publikon një sondazh të zhvilluar nga Instituti V-PRC-së:
1.Jeni pro apo kundër bombardimeve të NATO-s?(96,2%kundër, 2,1% as pro sa kundër, 1,3% pro, 0,4% nuk u përgjigjën).
2. Millosheviçi e autoritetet sërbe a i shkelin të drejtat e shqiptarëve? (52,9% po shkelen, 21,8 % u përgjigjen jo!)
3. A e miratoni qëndrimin e qeverisë greke në lidhje me Kosovën?( 51,4% e miratojnë, 37,4% jo, 11,2 % nuk dinë gjë.)
4. Cila mendoni se është zgjidhja më e drejtë për Kosovën?( 33,5% t’i mbetet Sërbisë, 36,3 % autonomi e gjerë brenda kuadrit të Sërbisë, 4,3% të ndahet midis serbëve dhe shqiptarëve)
5.A jeni të kënaqur nga mënyra se si i mbulon zhvillimet media?( 8,5% shumë të kënaqur, 58,5% të kënaqur , 23,7% pak të kënaqur, 7,6% aspak të kënaqur, 1,6% nuk dinin)
6. A do të mbanit në shtëpi refugjatë kosovarë? (36,2% po, 56% jo, 7,7% nuk u prononcuan)
7. Cili shtet është më i rëndësishëm për politikën e jashtme të Greqisë? (Sërbia në vënd të parë, pastaj: Rusia, BE-ja, Fyrom, SHBA, Shqipëria , Turqia.)
Ky sondazh u krye në periudhën 12-15 prill 1999 në Athinë dhe në rrethinat e saj. U pyetën 650 persona të të gjitha moshave, profesioneve e sekseve.

Por pati edhe personalitete të kulturës greke që mbajtën qëndrim kundra çështjes Kosovare

Këngëtari i mençur Jorgo Dalaras jep një koncert në Selanik në shënjë homazhi për popullin serb. Pastaj i joshur kalon në Beograd ku jep koncert inkurajimi kundër “hordhive të NATO-s” kur tenori italian me famë botërore Luçiano Pavaroti deklaron thjesht dhe pa ekuivoke: “Do të jap një koncert solidariteti në mbështetje të këtij populli dhe fitimet do t’u jepen ndihmë fëmijwve të pafajshëm kosovarë.” Me këtë gjuhë, pro kosovarëve flet dhe mbreti i muzikës pop, Majkëll Xhekson. Me lot në sy e zëdridhur, i tronditur nga pamjet rënqethëse të fëmijëve kosovarë, ai deklaroi se të gjitha fitimet nga shitja e dy albumeve të tij të fundit, do t’ua
japë ndihmë fëmijëve të martirizuar të Kosovës. Gjithashtu bëri të ditur se do të kompozonte një këngë për këta fëmijë të pafajshëm, ku vidioklipset do të kenë pamje të atyre ngjarjeve.
Kur NATO-ja po e shtonte fuqinë e bombardimeve kundër Sërbisë dhe , deri në një farë mase, në Greqi vazhdonte po ajo njëanshëri në trajtimin e problemit kosovar, një tjetër gazetar grek denoncon këtë njëanshmëri dhe del në mbështetje të letrës së nënkryetarit të Presidencës së Federatës sw gazetarëve grekë , Kristos Telihi, duke bërë një panoramë të ngjarjeve të Kosovës e duke e futur shkrimin në faqet e internetit. Ky është gazetari i njohur Pasko Madraveli, i cili në hyrje shkruan:
“ … e konsideroj veçanërisht aktuale letrën e Z Kristos Telidhis, që ishte dërguar në Prishtinë për llogari të medias greke të informimit. Letra e tij hedh dritë mbi njëanshmërinë me të cilën mjetet e informimit mbulojnë luftën e frikshme në Kosovë dhe përmban denoncime mjaft të rënda për gazetarët grekë. Këto denoncime shtrojnë një problem kardinal etik dhe , mbi të gjitha, moral për të gjithë gazetarët grekë. Vizita ime dhe kolegut tim në zyrat e gazetës kosovare “Koha ditore”, vetëm 150 metra larg hotelit , na tronditi pa masë. Gjithçka ishte e shkretuar, dhe në dysheme, dhe në mure kishte gjithandej gjak. Të shokuar filluam të nxirrnim në fotografi ku, ndërkohë, nga kati i poshtëm erdhi një sërb i tmerruar dhe na nxorri jashtë. Ai na tha se ishte gazetar tek gazeta opozitare “Blic”, që ishte një kat më poshtë. Na dinte që ishim gazetarë, na kishte parë tek Grand
Hoteli dhe na tha se duhej të zhdukeshim pasi na survejojnë kudo nëpër Prishtinë… I tmeruar na tha se duhej të ikim sa më parë se mund të na vrisnin.. Të njëjtën gjë na tha edhe një gazetar grek i një stacioni televiziv, bile, duke na rekomanduar të largoheshim sa më parë dhe për dy tre javë të mos dukeshim në Kosovë. Në kufi ndodhi ajo që pritej. I futën gjithë gjërat tona në godinën e pikës kufitare dhe e zbërthyen krejt makinën tonë. Qenë mbi 30 filma, disketa kompjuteri e materiale të ndryshme që na sekuestruan, ndërsa, në të njëjtën kohë, na u bë një tjetër kontroll aq diskriminues, përdhunues do të thoja për gazetarët… Në pasaportat tona nuk na vunë asnjë vulë siç është rregulli dhe kjo që të mos dëshmonim se kishim kaluar nga pika kufitare” Gjeneral Jankoviç’..
E konsiderova si detyrim moral t’ju informoja ca më sipër, pasi besoj se në këto momente kritike gazetarët duhet të punojnë me ndjenjë përgjegjësie dhe të mos nënshtrohen nga një sërë qëllimesh, çfarwdo që të jenë ato.”

Ndërsa më parë, më 5 prill 1999, kryeministri grek Kosta Simitis, i drejtoi një mesazh popullit grek nëpërmjet radios e televizionit lidhur me situatën e krijuar me problemin e Kosovës. Sqaroi pozitën në të cilën ndodhej Greqia duke përmbledhur me nëntekst se reagimet aktuale të opinionit grek vetëm dëm i sjellin vëndit. Më poshtë ai theksoi se Greqia nuk do të marrë pjesë në operacionet ushtarake, dënoi politikën e spastrimit etnik që zbaton Sërbia, u pozicionua kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan duke përfunduar se “reagimet tona duhet të kenë për bazë interesat e Greqisë, objektivat tona”.
Edhe pas këtij mesazhi, media elektronike private buçiste në përkrahje të Millosheviçit. Shumë nga ata që dilnin në ekran përkrahnin vëllezërit serbë dhe shanin terroristët kosovarë!!!
Publicisti Aristidh Kola nuk la pa përmëndur parashikimin e tij tek libri: “Greqia në kurthin e sërbëve të Millosheviçit” i botuar qysh në vitin 1995 (është ribotuar 3 herë), nga ku shkëpusim:
“…Kishim theksuar se fytyra e vërtetë e Millosheviçit dhe ndjenjat progreke të sërbëve, do të dilnin në dritë atëhere kur Sërbia do të përforconte pozitën e vet dhe nuk do t’ia kishte më nevojën Greqisë. Ajo që ndodhi në Beograd më 2 korrik 1995, përbën një dëshmi të vogël, por të qartë, të ndjenjave të vërteta të sërbëve për Greqinë. Për Greqinë e cila u qëndroi në krah për kaq vjet, duke paguar për këtë një haraç mjaft të madh. Brënda një çasti u harruan të gjitha sakrificat e grekëve. U harrua se Jugosllavia mori pjesë në kampionatin europian të basketbollit (1995) vetëm në sajw të Greqisë dhe brenda një çasti, “vëllezërit grekë” u shndërruan në “budallenj e mosmirënjohës”, në “malaka e derra”. Gjithçka ndodhi pas ndeshjes Jugosllavi- Lituani. Tifozët grekë që ndodheshin në stadiumin olimpik të Athinës, nuk kishin asnjë arsye të bënin tifozllëk për lituanezët e jo për sërbët, përderisa edhe Lituania kishte fituar me Greqinë, ashtu si dhe Jugosllavia. Mirpo e kuptuan që në fillim se cili do të ishte fituesi i ndeshjes në fjalë, teksa serbi Stankoviç, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, kishte dhënë urdhër që kampion, të shpallej vëndi i tij dhe gjyqtarët mbanin hapur nga ana e sërbëve. Pikërisht për këtë arsye, tifozët grekë u bënë me Lituaninë. Menjëherë pas ndeshjes, rrugëve të Beogradit, u dyndën me mijëra sërbë, që shkuan para selisë së ambasadës greke, thyen xhamat e ambasadës, shkatërruan disa makina të diplomatëve dhe dogjën flamurin grek. Njëkohësisht shkruanin në mure dhe bërtisnin “derra grekë nuk jua kemi nevojën… mirë jua bëjnë turqit që jua…. gratw derra grekë jashtë nga Sërbia!… “ Sipas shtypit të atyre ditëve, radiot dhe televizionet sërbe, u bënë thirrje bashkëatdhetarëve të tyre të mos shkojnë për
turizëm në Greqi. Një klimë terrori u krijua në universitetet ku studionin studentw grekë, të cilët nuk guxonin të shkonin për mësim. Muret e universiteteve u mbushën me parrulla antigreke. Në stadiumin Olimpik të Athinës, menjëherë pas ndeshjes finale, njëri prej basketbollistëve sërbë, Daniloviç, iu përgjigj thirrjeve të tifozëve grekë, duke hapur organet e veta. (ky moment është edhe në foto tek libri) Ky është realiteti dhe këto janë ndjenjat e vërteta të serbëve për grekët dhe Greqinë. Ndjenja shekullore, të cilat u kamufluan me mjeshtëri në vitet 1991-1994, kur na quanin “Vëllezër”. Mjaftoi vetëm një gërricje e vogël që t’u dilte boja ndjenjave të tyre.

Vlerësimet

– Aristidh Kolës i është dhënë nënshtetësia shqiptare gjithashtu është dekoruar nga shteti shqiptar me çmimin “Ismail Qemali” dhe, pas vdekjes u nderua me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Një rrugë në Tiranë, në rajonin e Saukut mban emrin “Aristidh Kola”. Po ashtu dhe lulishtja kryesore e qytetit të Përmetit mban emrin e tij. Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” i ka propozuar Presidentit të Republikës për titullin “Nderi i Kombit”.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …