Ferat Xhafer Dvorani (2.6.1968 – 30.4.1999)

Ferat Xhafer Dvorani (2.6.1968 – 30.4.1999)

Fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i komunës së Drenasit, që konsiderohet si fshati më i madh i trevës së Drenicës, luftës së UÇK-së i ka dhënë shumë martirë e dëshmorë. Banorët e këtij fshati që në ditët e para iu kishin bashkuar luftës së UÇK-së të gatshëm për të luftuar, punuar e mbrojtur nga falangat vrastare serbe. Banorët e Qëndresës iu kishin bashkuar luftës çlirimtare që në kushtrimin kuptimplotë të luftës për liri të dhënë nga legjendari Adem Jashari dhe familja e tij heroike e Prekazit. Të frymëzuar nga heroizmi i familjes Jashari ata treguan gatishmëri dhe vendosmëri për të luftuar e për të qëndruar. duke qëndruar e luftuar kundër pushtuesit serb. Nga lagjja Gllareva e Verbocit u martirizuan 26, nga lagjja, Dvorani 14, nga lagjja Gashani 13 e kështu me radhë. E gjatë është lista e të rënëve dhe e të martirizuarve në këtë fshat, ashtu sikur edhe në fshatrat Prekaz, Izbicë, Rezallë, Abri, Paklek, Qikatovë etj. Vetëm në këto gjashtë fshatra të trevës së Drenicës, vrastarët serbë kanë vrarë e kanë masakruar rreth 500 shqiptarë, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë, burra të moshuar e gra plaka, vajza e nuse të reja, djem të rinj, të mitur e të rritur. Luftës së UÇK-së Qëndresa ia ka dhënë 66 dëshmorë e martirë.

Dëshmori Ferat Dvorani u lind më 2 qershor të vitit 1968 në fshatin Qëndresë të komunës së Drenasit. Ai rrjedh prej një familjeje atdhetare dhe arsimdashëse. Shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme, drejtimin e profesioneve teknike për përpunimin e metaleve me ngjyra, e kreu në Drenas. Pas përfundimit të shkollës së mesme, në kushtet dhe rrethanat e pushtimit të egër serb, kur regjimi serb kishte vendosur masat e administrimit të dhunshëm kudo në fabrika dhe institucione, Ferati nuk arriti të gjente punë, prandaj fillimisht shkoi në Slloveni ku punoi një kohë të caktuar. Në vitin 1992 Ferati shkoi në Gjermani ku qëndroi deri në fillim të vitit 1998, kur u kthye në vendlindje. Asokohe, në fshatin Qëndresë ishte krijuar pika e parë e UÇK-së. Ferati ashtu sikur edhe të rinjtë e tjerë ishte vënë në shërbim të luftës, duke bërë roje dhe duke vëzhguar terrenin dhe lëvizjet e forcave armike serbe. Së bashku me xhaxhain e tij, Imerin, si dhe me kushërinjtë e shumtë,ai ishte kudo ku e kërkonte nevoja, qoftë në roje, qoftë në hapjen e istikameve e të transheve, qoftë duke ndihmuar popullatën civile, e cila ishte në shënjestër të forcave policore dhe ushtarake serbe.
Në luftën e UÇK-së nga familja Dvorani kanë qenë të angazhuar përveç Feratit, edhe babai i tij, Xhaferi, xhaxhai, Imeri, pastaj Nuhi Lan Dvorani, Hysni Idriz Dvorani dhe vëllezërit e tij Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu, si dhe djem e burra të tjerë nga kjo lagje, e cila luftës së UÇK-së i dha 14 dëshmorë e martirë.
Një javë pas fillimit të bombardimeve nga Aleanca Ushtarake Veriatlantike, kundër forcave ushtarake serbe në fushën e luftës dhe Serbisë, këto forca kishin filluar të pushkatonin dhe të masakronin shqiptarë kudo që i takonin.
Duke folur për dhunën dhe barbarinë masive të forcave serbe në këtë kohë, babai i dëshmorit Ferat Dvorani, Xhaferi, në shënimet e publikuara të poemës “Pranverë e përgjakur” shkruan: “Më 30 prill 1999, ditë e premte, u bë rrethimi i trefishtë i Fortesës, ish-Verboc dhe i katundeve përreth. Kishte këtu mbi 15 mijë njerëz të zhvendosur nga pjesët më të rrezikuara. Shumë prej tyre ishin drejtuar për në këtë vend, meqë vetë serbët u kishin thënë: Shkoni në Verboc, sepse atje është zonë e lirë!… Po atë ditë, një ditë pas bombardimit të bazës serbe në Feronikel nga aeroplanët e NATO-s, u pa se grumbullimi i shumë shqiptarëve të paarmatosur (moshash dhe gjinish të ndryshme) ishte bërë me qëllim që këtu të kapen gjallë, të vriten e të pushkatohen. Kështu që për dy ditë u vranë dhe u masakruan mbi 300 shqiptarë, duarthatë dhe kryesisht të moshës rinore”.
Një pjesë e luftëtarëve të lirisë, iu kishin bashkuar popullatës civile me qëllim për ta mbrojtur, por në kushtee e rrethimit të plotë, ata ranë qoftë nga granatat e armikut, qoftë të pushkatuar pasivisht.
Atë ditë ranë dhe u martirizuan: Ferat Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Nuhi Lan Dvorani, Hysni Idriz Dvorani dhe katër vëllezërit e tij Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu dhe xhaxhai i tyre, Mehmeti, pastaj Hazir Lah Dvorani, Nuredin Dvorani e Nazmi Dvorani. Kohë më parë kishin rënë edhe Hetem Dvorani dhe Idriz Dvorani.
Dëshmori Ferat Dvorani ka qenë i martuar dhe ka lënë dy vajzat, Dafinën e Kaltrinën, të cilat po rriten krenare për babain e tyre dëshmor. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …