leoni

Imer Fazli Dvorani (2.6.1957 – 30.4.1999)

Imer Fazli Dvorani (2.6.1957 – 30.4.1999)

Fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i komunës së Drenasit, del i shënuar në regjistrimin turk, të vilajetit Vëllk, të vitit 1455. Atëbotë ky fshat kishte 25 shtëpi dhe nëntë lagje, apo vëllazëri, shqiptarë të besimit ortodoks. Fshati i përkiste Vilajetit të Vushtrrisë, ashtu sikur edhe shumica e fshatrave të Drenicës qendrore.
Në vitin 1455, në këtë fshat dalin të shënuar emrat e këtyre familjarëve: Nikollë Petku, Simon Nikolla, Konstandin Dimitri, Pjetër Prodani, Radivoj Nikolla, Radosav Nikolla, Pejo Nikolla, Dojçin Mati dhe Pop Dimitri (shih: Dr. Muhamet Tërnava: Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 90, defteri, 222.)
Duke u bazuar në shënimet e këtij defteri në fshatin Qëndresë, në mesjetë nuk kishte sllavë as vlleh, edhe pse në disa fshatra të kësaj ane ishin të pranishëm pjesëtarë të këtyre etnive, por gjithnjë pakicë në numër, në krahasim me popullatën ortodokse shqiptare. Qëndresa ka rreth 1000 shtëpi dhe konsiderohet se është fshati më i madh në Drenicë. Fshati është i ndarë administrativisht në dy pjesë: Qëndresës I i përkasin lagjet Dvorani, Cakaj, Bylykbashi dhe Gashani. Ndërsa Qëndresa II, përbëhet nga lagjet Gjokaj, Arllati, Bazaj, Spahiaj, Franca, Kukaj dhe Munishi.
Luftës së UÇK-së ky fshat ia ka dhënë 66 dëshmorë e martirë. Banorët e tij, që në ditët e para iu kishin bashkuar luftës së UÇK-së, të gatshëm për të luftuar, punuar dhe mbrojtur nga pushtuesi barbar serb. Popullata e këtij fshati, e frymëzuar nga qëndresa heroike e familjes Jashari të Prekazit dhe e Komandantit Legjendar Adem Jashari, tregoi gatishmëri dhe vendosmëri për të luftuar e për të qëndruar. Ajo, edhe pse e rrethuar nga të katër anët, nuk kërkoi shpëtim duke ikur nga vendlindja për të shpëtuar kokën, por qëndroi, luftoi dhe ra për çlirimin e vendit. Nga lagjja, Dvorani u martirizuan 14 banorë, nga lagjja Gashani 13, e kështu me radhë. E gjatë është lista e të rënëve dhe e të martirizuarve në këtë fshat, ashtu sikur edhe në fshatrat: Prekaz, Izbicë, Rezallë, Abri, Paklek, Qikatovë etj. Vetëm në këto gjatë fshatra të trevës së Drenicës, vrasëtarët serbë kanë vrarë e masakruar rreth 500 shqiptarë, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë, burra të moshuar e gra plaka, vajza e nuse të reja, djem të rinj, të mitur e të rritur.

Dëshmori Imer Dvorani u lind më 2 qershor të vitit 1957. Babai, Fazliu dhe nëna Halimja rritën bijtë Xhaferin e Imerin si dhe bijat Halën, Sofinë dhe Bahtijen.
Shkollën fillore, Imeri e kreu në vendlindjen, ndërsa mësimet e shkollës së mesme i mori në Qendrën Shkollore Teknike të Drenasit. Duke qenë se nuk mund të gjente punë në Kosovë, Imeri ashtu sikur edhe shumë të rinj të tjerë nga kjo anë shkoi në Slloveni ku punoi disa vite. Me profesion ishte axhustator. E kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ish-armatën jugosllave, në Krizhevci të Kroacisë.
Pasi kthehet nga Sllovenia punoi në shkritoren e Feronikelit, në Drenas. Pas daljes publike të UÇK-së, më 28 nëntor të vitit 1997, Imeri, ashtu sikur edhe shumë të rinj të tjerë të kësaj ane të Drenicës, iu bashkua radhëve të UÇK-së, fillimisht në fshatin e tij të lindjes, në pikën ushtarake të cilën e kishte themeluar, Nexhmedin Dvorani, që në pranverë të vitit 1998. Kjo pikë fillimisht ishte vendosur në jug-lindje të lagjes Dvorani, në vendin e quajtur Zabeli. Përveç disa armëve të lehta, si pushkë, karabina, e çifte, luftëtarët e kësaj pike luftarake dispononin edhe dy topa fushorë, pa dridhje. Meqenëse Imeri gjatë shërbimit ushtarak ishte aftësuar për artileri, ai dinte të përdorte armët por edhe t’i rregullonte ato në rast nevoje. “Brigada 114 “Fehmi Lladrovci” kishte edhe një top. Nga kureshtja pasoi pyetja se ç’është bërë me të, pasi që para disa ditësh ishte dëgjuar krisma e topit, të cilit i mungonte optika, por që kishte goditur kolonën armike gjatë depërtimit në aksin rrugor, Gllogoc – Skënderaj. Rruga ishte mbyllur nga goditja e këtij topi, të cilin e ka në përkujdesje, Imer Dvorani, një luftëtar me përvojë. Ai është i gatshëm të godasë sërish, derisa të ketë municion” (shih: Nezir Prokshi, “Mbijetesa e popullit të Drenicës në rrethim”. Prishtinë, 2007, faqe 15.)
Pika e komanduar nga Nexhmedin Dvorani fillimisht kishte disa pjesëtarë, kryesisht të lagjeve të fshatit por kërkesat e djalërisë atdhetare për armë shtoheshin nga dita në ditë. Ishin dhjetëra e qindra të rinj që shfaqnin interesim për të marrë armët dhe shumë prej tyre, në verë të vitit 1998, me qëllim armatimi ishin nisur për në Shqipëri. Ata në kushte dhe rrethana lufte e granatimi të pandërprerë nga forca policore dhe ushtarake serbe, një kohë kishin qëndruar në Glogjan, nga ku bënin përpjekje të depërtonin në Shqipëri, por për shkak të ofensivave të pandërprera që kishte ndërmarrë ushtria dhe policia okupatore serbe, ishin detyruar të ktheheshin duarthatë në Drenicë. Pavarësisht se nuk kishin armë, ata i ndërronin ato në detyrat e vëzhgimit e të aksioneve.
Të edukuar me dashuri atdhetare, djalëria e kësaj ane nuk pranonte të largohej nga atdheu, që ishte përflakur në luftë. Ata, edhe pse pa armë, bredhnin nga një pikë në tjetrën duke ofruar forcën dhe vullnetin e tyre të përkushtuar. Angazhoheshin në logjistikë, hapnin transhe e bunkerë dhe qëndronin afër luftëtarëve për të ndihmuar të plagosurit apo për të nxjerrë të rënët dhe për të mos lejuar që trupat e tyre të binin në duart e armikut.
Në luftën e UÇK-së nga familja Dvorani kanë qenë të angazhuar përveç Imerit, edhe Xhafer Dvorani, arsimtar i shkollës së fshatit, Nuhi Lan Dvorani, Ferat Xhafer Dvorani, Hysni Idriz Dvorani dhe vëllezërit e tij: Avniu, Veliu, Lumniu e Hakiu dhe djem e burra të tjerë të lagjes, e cila luftës së UÇK-së i dha 14 dëshmorë e martirë.
Një javë pas fillimit të bombardimeve nga Aleanca Ushtarake Veriatlantike, kundër trupave militare serbe në terrenin e luftës dhe në Serbi, kata trupa kishin filluar të pushkatonin dhe të masakronin shqiptarë kudo që mundnin.
Duke folur për dhunën dhe barbarinë masive të forcave serbe, babai i dëshmorit Ferat Dvorani dhe vëllai i dëshmorit Imer Dvorani, Xhaferi, në shënimet e publikuara të poemës “Pranverë e përgjakur”, shkruan: Më 30 prill 1999, ditë e premte, u bë rrethimi i trefishtë i Fortesës, ish-Verboc dhe i katundeve përreth. Kishte këtu mbi 15 mijë njerëz të zhvendosur nga pjesët më të rrezikuara. Shumë prej tyre ishin drejtuar për në këtë vend, meqë vetë serbët u kishin thënë: “Shkoni në Verboc, sepse atje është zonë e lirë!… Po atë ditë, një ditë pas bombardimit të bazës serbe në Feronikel nga aeroplanët e NATO-s, u pa se grumbullimi i shumë shqiptarëve të paarmatosur (moshash dhe gjinish të ndryshme) ishte bërë me qëllim që këtu të kapen gjallë, të vriten e të pushkatohen. Kështu që për dy ditë u vranë dhe u masakruan mbi 300 shqiptarë, duarthatë dhe kryesisht të moshës rinore”.
Një pjesë e luftëtarëve të lirisë, iu kishin bashkuar popullatës civile me qëllim për ta mbrojtur, por në kushte të rrethimit të plotë ata ranë qoftë nga granatat e armikut, qoftë duke u pushkatuar pasivisht.
Atë ditë ranë dhe u martirizuan: Imer Fazli Dvorani, Nuhi Lan Dvorani, Ferat Xhafer Dvorani, Hysni Idriz Dvorani dhe katër vëllezërit e tij, Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu dhe xhaxhai i tyre, Mehmeti, si dhe Nuredin Dvorani, Nazmi Dvorani dhe Hazir Lah Dvorani. Më parë ishin vrarë edhe Hetem Dvorani dhe Idriz Dvorani.
Dëshmori Imer Dvorani ka qenë i martuar. Ai ka lënë pas bashkëshorten, Fatimen dhe bijtë, Ilirin e Visarin, si dhe vajzën, Egzonën, të cilët po rriten me kujtimin e paharrueshëm për babain dëshmor dhe për të gjithë dëshmorët e martirët që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Emri i dëshmorit Imer Dvorani është i skalitur në monumentin e dëshmorëve të UÇK-së në fshatin Marinë të Skënderaj, në Drenas dhe në ambientet e Fabrikës së Ferronikelit. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Ministria e Brendshme e QPK-së, nga Kuvendi komunal i Drenasit dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. ( A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …