Isa Adem Ferati lindi më 8 prill 1979 në fshatin Çirez të komunës së Skënderajt. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e ka vazhduar deri në vitin e katërt, në gjimnazin ”Ramiz Sadiku“ të Skënderajt.
Edhe pse në moshë të njomë, Isai mori pjesë në demonstratat që organizoheshin atëbotë në Skënderaj e Drenas, në Mitrovicë etj.
Më 28 nëntor 1997, mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Llaushë të Skënderajt, për varrimin e mësuesit të vrarë, Halit Geci. Po në këtë vit i vjen ftesa për të shkuar ushtar në armatën jugosllave, por kësaj ftese as që i përgjigjet. Meqë duhej të ruhej, sepse organet ushtarake jugosllave mund ta arrestonin në çdo moment, kur babai Ademi e kishte pyetur se si do të vepronte, ai ishte përgjigjur: “Jo, as do të shkoj ushtar i Jugosllavisë, as do të shkoj në Perëndim, por do të bëhem ushtar i Kosovës”.
Kontaktet e para me UÇK-në i kishte vënë më 28 shkurt 1998, me rastin e Betejës së Likoshanit dhe të Çirezit, në Malet e Kamenicës, ku është takuar me ushtarët e UÇK-së. Në dhjetor të vitit 1998, strehoi në shtëpinë e tij një njësit gueril nga Podujeva, të cilin, të nesërmen e përcolli deri në pikën e Oshlanit të Vushtrrisë. Grupe të tilla priti e përcolli edhe herë të tjera.
Në qershor të vitit 1998, Isai ishte nisur për të marrë armë në Shqipëri, duke qëndruar rreth 10 ditë në fshatin Gllogjan, ku edhe bëri stërvitjet ushtarake. Pas 10 ditësh, grupi i luftëtarëve kishte vijuar në drejtim të Tropojës për të vijuar më tej me qëllim armatimi, por në bjeshkët mbi Junik kishin rënë në fushën e minuar nga aarmiku, prandaj ishin detyruar të ktheheshin pas.
Më 15. 1. 1999, Isai iu bashkua radhëve të UÇK-së në pikën e fshatit Vërbovc,si pjesëtar i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë Hamdi Ferati (dëshmor), Avdullah Ferati (invalid i luftës i UÇK-së), Tafil Gllareva, Qazim Gllareva, Rrahman Gashi etj.
Në prill të vitit 1999, Isa Ferati tok me Hamdi Feratin kishte zënë pozicione në një pikë të fshatit Vërbovc. Forcat ushtarake serbe dhe paramilitarët të armatosur deri në dhëmbë kishin ndërmarrë një ofensivë të egër kundër banorëve të fshatrave të Drenicës, me ç‘rast kishin arritur t’i fusin në unazë të hekurt këta dy luftëtarë të lirisë dhe shumë civilë të paarmatosur. Ata luftuan deri në pikën e fundit të gjakut. Në ato luftime paramilitarët serbë i kishin zënë robër dhjetëra civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe Bajram Rukiqin me të birin Rafetin. Bajramit ia kishin prerë venat e duarve me thikë, ndërsa në pamundësi për t’i kapur të gjallë dy pishtarët e lirisë, forcat serbe përdorën dredhinë, duke vënë si mburojë të gjallë civilët e paarmatosur shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe djalin e Bajramit, Rafetin, dhe e qesin përpara, kurse mbi supe ia kishin vënë automatikun të zbrazët, duke shtënë pandërprerë në drejtim të Isait e Hamdiut. Këta dy luftëtarë të lirisë ranë heroikisht, kurse atë ditë në shenjë hakmarrjeje për humbjet që kishte pësuar armiku, në vendin ku ranë dy dëshmorët, Isa e Hamdi Ferati, ekzekutoi edhe Bedri Bunjakun dhe Sylë Krasniqin, të cilët deri atëherë i kishin përdorur si mburojë të gjallë derisa iu afruan trupave të dëshmorëve të rënë.
Dëshmori Isa Ferati është varrosur në vendin e rënies, në fshatin Vërbovc, kurse u rivarros më 22. 7. 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac të Skënderajt, aty ku prehen edhe shumë dëshmorë të kësaj pjese të atdheut. Jo fort larg Varrezave të Dëshmorëve të Qyqavicës, në hapësirën ndërmjet Çirezit e Likoshanit, është ngritur përmendorja e tyre. Familja Ferati, përveç këtyre dy dëshmorëve, ka dhënë për lirinë e Kosovës edhe 6 martirë, dy prej të cilëve kanë figuruar të zhdukur, por trupat e tyre janë gjetur në vendin e quajtur te Shavarinat në Qikatovë të Drenasit. (Sh. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …