Bajram Mehmet Aliu (15.3.1971 – 30.4.1999)

Bajram Mehmet Aliu (15.3.1971 – 30.4.1999)

Fshati Likoc i komunës së Skënderajt është i lidhur ngushtë me emrin e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës dhe me institucionet e para të saj komanduese e shëndetësore. Me shtrirjen e operacioneve luftarake të UÇKsë në Drenicë, por edhe në Dukagjin, Llapushë, e treva të tjera, në panverë e në verë të vitit 1998, Likoci ishte bërë seli e udhëheqjes ushtarake të saj që vepronte si shtab i përgjithshëm. Po ashtu, me Likocin identifikohet edhe spitali i parë ushtarak i UÇK-së, ku mekuan plagët e luftës luftëtarët e lirisë, duke filluar nga dëshmori emblematik Mujë Krasniqi-Kapuçi, e deri te luftëtarët e orëve të fundit të luftës çlirimtare. Spital ushtarak i atyre ditëve ishte bërë shtëpia familjare e Beqir Aliut, vëllait të dëshmorit të kombit Bajram Aliu.

Dëshmori Bajram Aliu është i lindur më 15 mars të vitit 1971 në Likoc. Prindërit e tij, Mehmeti e Hyra, përveç Bajramit kishin rritur edhe gjashtë bij e bija: Beqirin, Veselin, Rrustemin, Fetien, Nexhmien e Bahrien.

Bajrami arsimin fillor e kreu në Likoc, në shkollën “Emin Duraku”. Pastaj vijoi mësimet në shkollën e mesme të Skënderajt, në drejtimin ekonomik. Pasi kreu shkollimin e mesëm, u ftua për të shkuar në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave në vitet 1989-1990. Kjo ishte koha kur Serbia ia kishte shkelur Kosovës autonominë. Për shkak të rrethanave ekonomike, por edhe të gjendjes së rëndë të arsimit shqiptar pas zbatimit të politikës raciste të apart’heidit në fushën e arsimit në sholla e në universitet, pas vitit 1990, nuk i regjistroi studimet. Megjithatë, Bajrami nuk ndenji duarkryq, por zbrazësirën që ia kishte krijuar mungesa e jetës studentore e kishte mbushur me aktivitet sportiv, duke luajtur në kuadrin e klubit futbollistik “Drenica” të Skënderajt, e të atij “Feronikeli” të Drenasin. Ai shquhej për talentin sportiv në lojën e futbollit, prandaj edhe ishte i çmuar e i respektuar si nga kolegët e tij të klubeve ku luante, ashtu edhe nga publiku futbolldashës. Në shenjë nderimi, vlerësimi e respekti për kualitetet sportive që kishte treguar Bajrami në atë kohë, pas përfundimit të luftës, me emrin e tij ishte pagëzuar stadiumi i qytetit të Skënderajt.

Ndërkohë, Bajrami ishte martuar me Florie Kukajn, nga e cila martesë lindën Shkëlzeni e Marigona, dy trashëgimtarët e lirisë së fituar me gjakun e babait të tyre dëshmor.

Dëshmori Bajram Aliu kishte një rreth të gjerë shokësh, preokupim i të cilëve ishte edhe fati i Kosovës, e cila vuante nën robërinë shekullore serbe. Njëri prej tyre ishte edhe Sylejman Selimi, një prej themeluesve të bërthamave të para të UÇK-së në vitet ’90 të shekullit 20, bashkëluftëtar i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm gjatë periudhës së luftës çlirimtare. Këto raporte kishin ndikuar që Bajrami të bëhej mbështetës i parezervë i UÇK-së dhe i luftës së saj, kur flakët e së cilës u përhapën në zonën e Drenicës. Ai ishte përgatitur dhe kalitur për luftë, sepse ditën kur do të vinte ajo e kishte pritur. Për këtë arsye, me kohë e kishte siguruar edhe revolen personale, pa të cilën nuk ecte gjatë viteve të fundit. Kur arriti dita për t’iu bashkuar ekipit shëndetësor të luftës në Likoc, në pranverë të vitit 1998, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, revolen e mëparshme Bajrami e zëvendësoi me automatikun e me bombat e dorës, të cilat armë e shoqëruan deri në fund të jetës. Ai kreu detyra të rëndësishme ushtarake në kuadrin e organizimit, mirëmbajtjes dhe funksionimit, fillimisht të ambulancës e pastaj të spitalit të UÇK-së në Likoc, duke qenë në ekipin e shumë bashkëluftatarëve, ndër të cilët ishin mjeku Fadil Beka nga fshati Ticë, Elmi Januzi, teknik mjekësor, nga Likoci, Liridon Hamiti, teknik mjekësor nga Likoci, Agim Jusufi, ndihmës i ekipit mjekësor, nga Plluzhina e Skënderajt, Bahrie Aliu (motra e dëshmorit), motër medicinale e të tjerë. Bashkëluftëtar e kishte edhe të vëllain Veselin.

Si rezultat i angazhimit të Bajramit dhe tërë ekipit mjekësor të spitalit ushtarak të Likocit, pjesëtarëve të UÇK-së, por edhe popullatës civile iu ofrua ndihma e nevojshme dhe e suksesshme mjekësore, duke mobilizuar ekipet e mjekëve edhe nga Prishtina me gjithë aparaturën e tyre mjekësore, në rastet kur intervenimet mjekësore ishin më serioze. Po ashtu, disa herë ishin iniciuar edhe fushata për dhurimin e gjakut nga popullata civile e zonës dhe nga pjesëtarët e UÇK-së, me qëllim të sigurimit të rezervave të gjakut në mënyrë që të mund të përballoheshin situatat e papritura të luftës. Gjithsesi ishte fat i mirë që asnjëri prej të shtruarve për trajtim në spitalin e Likocit nuk ka rënë në duart e armikut, edhe atëherë kur sulmet dhe ofensivat e tij kanë qenë të ashpra dhe kur është shtruar nevoja që për arsye të sigurisë së tyre, të plagosurit të zhvendosen për në ndonjë vend tjetër më të sigurt.

 Fushata e ndërmarrë nga armiku serb i egërsuar deri në kulm pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet e tij ushtarake, më 24 mars 1999, e kishte detyruar popullatën e shumë fshatrave të sulmuara të shpërngulej nga shtëpia e saj e të strehohej në male, apo në ndonjë fshat paksa më të sigurt. Në këto rrethana, edhe bashkëshortja e Bajramit me dy fëmijët e saj kishte shkuar në fshatin Verbovc të Drenasit, ku ishte vendosur në shtëpinë e dajës së Bajramit. Atje, në një vend të caktuar, më parë Bajrami kishte strehuar edhe një sasi armatimi, i cili tashmë do të ishte i nevojshëm. Prandaj, më 29 prill të vitit 1999, ai, së bashku me kushëririn e tij, Hakif Aliun, kishte vendosur të shkonte në fshatin Verbovc, veç tjerash edhe që t’i tërhiqte armët e strehuara. Mirëpo, armiku serb, i cili e kishte përdorur taktikën e përhapjes së lajmit se në fshatin Verbovc popullata ishte e sigurt, me qëllim që të tërhiqte atje sa më shumë popullatë e që pastaj ta vriste e masakronte, e dëshmoi dinakërinë e vet, duke sulmuar Verbovcin, më 30 Prill, nga të gjitha drejtimet. Verbovci dhe fshatrat përreth ndodheshin nën përgjegjësinë operative të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” të UÇK-së, e komanduar nga komandanti Ilaz Kodra. Sulmeve të armikut iu kundërpërgjigjën me ashpërsi luftëtarët e Brigadës 114. Në këto luftime, paraditën e 30 Prillit, në zonën midis fshatrave Verbovc e Shtuticë, në fushën e nderit bien komandanti i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” dhe bashkëluftëtarja e tij, Antigonë Fazliu. Ndërkohë në lagjen Dobraj armiku kishte arritur t’i kapë e t’i ekzekutojë Bajram Aliun dhe dhjetë bashkëluftëtarë të tij, në mesin e të cilëve edhe dajën e tij, Osman Gllarevën nga Verbovci, Shaip Gllarevën nga Verbovci, Sylejman Gllarevën nga Verbovci, Agimin nga Qikatova, Imer Dvoranin nga Qëndresa (ish-Tersteniku) e të tjerë.

Krimet në Verbovc, ku ishin strehuar mijëra njerëz të fshatrave përreth vazhduan edhe më 1 Maj, me ç‘rast forcat e Serbisë kriminale vranë e masakruan mbi 300 shqiptarë.

Pasi ishte identifikuar nga pjesëtari i UÇK-së Tafil Gllareva i Verbovcit, trupi i dëshmorit Bajram Aliu varroset nga luftëtarët Tafil Gllareva, Sami Dobra, Vesel Aliu (vëllai i dëshmorit) e të tjerë, në lagjen Dobraj të Verbovcit. Pas përfundimit të luftës çlirimtare, rivarrimi i tij u bë në fshatin e lindjes, Likoc.

Për kontributin e dhënë gjatë luftës çlirimtare në shërbim të spitalit ushtarak, pas luftës ambulanca e Likocit është emërtuar me emrin e dëshmorit Bajram Aliu.

Në shenjë kujtimi për dëshmorin, sot ruhen nga familjarët fletorja e regjistrit dhe evidencës së shërbimit mjekësor në ambulancën dhe spitalin e UÇK-së në Likoc, si dhe tavolina portative e punës e përdorur gjatë atij shërbimi. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …