Bashkëpunëtorët e kohës së regjimit të Serbisë monarkiste, MSKS peticaxhinjtë dhe "hafijet e Kralit" 1918-1941 II

Bashkëpunëtorët e kohës së regjimit të Serbisë monarkiste, MSKS peticaxhinjtë dhe “hafijet e Kralit” 1918-1941 II

Më shumë se 80 vjet të sundimit gjakësor serb në vendin tonë, kanë lënë prapa një histori të trishtueshme të ndarjeve e përçarjeve, një histori të tërë të kolaboracionizmit të rrezikshëm në stopimin e shpeshherë edhe deformimin e idealeve për liri, barazi e bashkim kombëtar.

Të gjitha regjimet pushtuese të së kaluarës kanë pasur besnikët e vetë nga radhët e kombit tonë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me shqiptarët, por fakti se për një shekull të tërë nuk kemi arritur të krijojmë Shqipërinë unike e të bashkuar flet për një fenomen “sui generis” për një fenomen shqiptar, të veçantë në shumë segmente.

Klasa pacifiste shqiptare ka origjinë qysh nga koha e Turqisë, mbase edhe më herët dhe ajo ka  qenë e pranishme në arenën e historisë  deri në ditët tona. Kjo është masa e njerëzve që pranojnë çdo pushtet të huaj, nëse pushteti i tillë u ofron leverdi, poste e pozita. Dhe nuk ka pasur as ka në botë shtet kolonialist e shfrytëzues, që mund ta sundojë një popull, nëse brenda tij nuk gjen përkrahje. Këtu kemi të bëjmë me një realitet të pamohueshëm, por në anën tjetër, nuk ka as ka pasur popull që nuk iu ka kundërvënë çdo pushtimi të huaj, me aq sa ka pasur fuqi. Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët pacifistë dhe ata kryengritës.

Fakti se jemi një popull i vjetër në këto troje, për të mos thënë më i vjetri dhe ende jetojmë të ndarë e të përçarë në pesë shtete, na shtyn të mendojmë se fajin për këtë rezignatë tragjike në radhë të parë e kemi vetë ne,  pastaj edhe shtetet fqinje,  me të cilët, mjerisht  nuk na lidh asgjë nga fqinjësia,  por na ka lidhur dhe ende na lidh vetëm armiqësia shekullore, e cila edhe kur duket se ka pushuar ajo vlon nga brenda,  për të dalë në sipërfaqe në momente të caktuara.

Historia e përçudnuar e kolaboracionizmit shqiptar doli  edhe një herë  në sipërfaqe në kohën e okupimit të Kosovës dhe viseve shqiptare nga Mbretëria Serbe-kroate-sllovene. Realisht procesi i bashkëpunimit e ka nismën pas vitit 1918, kur në Versajë të Francës ishte krijuar, ishte legjitimuar jashtëligjshëm dhe ishte njohur botërisht nga Fuqitë e Mëdha, shteti unik i sllavëve të Jugut, Jugosllavia, që  ishte shtrirë mbi gjysmën e trevave të Shqipërisë, mbi një pjesë të Bullgarisë, mbi tërë Bosnjën e Hercegovinën, mbi një pjesë të Hungarisë, ndërsa ishte shpallur shtet i tre popujve sllavë,  i serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Iu kishte mohuar etnia dhe të drejtat kombëtareboshnjakëve myslimanë, hungarezëve, bullgarëve, shqiptarëve e malazezve. Malazezët me të drejtë ishin trajtuar serbë, meqë në aspektin fetar, etnik, gjuhësor e kulturor as kanë pasur as kanë ndonjë element dallues me serbët.

Asokohe, në vitin 1922 regjimi i Pashiqit kishte shpërndarë në Kosovë mijëra pushkë pesëshe të quajtura “petica”, ( flitet madje për 70.000 pushkë të tilla) me qëllim që shqiptarët t’ i kundërviheshin njëri tjetrit për qëllime të Serbisë.  Po jo të gjitha pushkët i përdorën shqiptarët kundër çetave kryengritëse, apo kundër çlirimtarëve të  Azem Bejtës me shokë. Shumë “peticaxhi” shfrytëzuan rastin për ta marrë pushkën, të cilën jo vetëm njëherë ia drejtuan xhandarëve serbë. Për një dukuri të tillë asokohe ishte debatuar gjatë edhe në Kuvendin e Serbisë dhe vetë Pashiqi kishte qenë i kritikuar nga opozita për një gabim të tillë, për armatosjen e shqiptarëve “besnikë” të regjimit.

Edhe gjatë luftës së Dytë Botërore shumë  shqiptarë  mbështetën forcat fashiste  italiane, të cilat kishin okupuar Shqipërinë, por në Kosovë robëria barbare serbe ishte zëvendësuar me një “robëri më të mirë”, me një korpus të tërë të të drejtave dhe lirive njerëzore e kombëtare, të drejta të cilat shqiptarët nuk i kishin gëzuar asnjëherë gjatë historisë së tyre shumëshekullore. Kjo “dhuratë” e pikur sikur prej qiellit nga forcat fashiste italiane e më vonë edhe gjermane, ishte një karrem, të cilin e kafshuan shumë shqiptarë liridashës. Ata, mes  dy të këqijave kishin zgjedhur, atë që ishte më pak e keqe, apo që ishte një qind herë më e mirë se ajo e kohës së regjimit monarkik, despotik e fashist të Serbisë.

Prej vitit 1941 e deri në vitin 1950, në Kosovë dhe në viset e ri mbetura nën RSFJ, nuk kemi të bëjmë më me fenomenin e kolaboracionizmit, por me aleancën e rrezikshme, e cila u pasua me një dhunë morbide shtetërore, duke i etiketuar të gjithë shqiptarët si kolaboracionistë të fashizmit dhe duke i pushkatuar e duke i vrarë në mënyrë masive, me gjyq e pa gjyq. Prej vitit 1941 e deri në vitin 1950, sipas disa dëshmive të kohës, janë vrarë, pushkatuar dhe kanë humbur pa gjurmë më shumë se 4o.ooo mijë shqiptarë.

Kolaboracionizmi, ka vazhduar edhe gjatë gjithë kohës së regjimit komunist jugosllav, (1945-1999), ndërkohë që nuk ka marrë fund as me dëbimin e forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, në qershor të vitit 1999. Fenomeni i kolaboracionizmit është i pranishëm edhe sot e kësaj dite në Kosovë dhe kudo në viset shqiptare.  Duke shkoqitur këtë fenomen, duhet bërë një dallim kapital, sepse jo të gjithë shqiptarët që pranuan, apo u detyruan ta pranojnë dhunshëm Jugosllavinë si shtet dhe që luftuan për të realizuar sa më shumë të drejta, mund të etiketohen si kolaboracionistë.

Bashkëpunëtorë të vërtetë të regjimit ishin ata shqiptarë, shqipfolës, të cilët ndoqën dhe persekutuan bashkëkombësit për shkak të bindjeve dhe veprimeve të tyre tjetërfare, bashkëpunëtorët të regjimeve kanë qenë dhe janë të gjitha ata shqiptarë, apo shqipfolës të cilët për të përforcuar pozitat e tyre në hierarkinë shtetërore u dëshmuan me veprimtarinë e tyre të zezë, vëllavrasëse. Të tillët meritojnë satanizmin edhe për së vdekuri, ndërsa familjarët e tyre, do të duhej të paktën, për hir të moralit njerëzor e kombëtar, t’iu  kërkonin falje publike familjeve të viktimave. Mungesa e kërkimit të faljeve publike nga ana e ish-milicëve, ish-inspektorëve të OZN-së, UDB-së, MUP-it, apo mungesa e kërkimit falje nga familjarët e tyre, i radhit ata me kreun shtetëror të Beogradit zyrtar, i cili nuk iu ka kërkuar falje shqiptarëve për krimet e masakrat e kryera kundër tyre, ashtu sikur u ka kërkuar kroatëve apo një pjesë e tyre   edhe boshnjakëve myslimanë.

Bashkëpunëtorët e kohës së regjimit të Serbisë monarkiste, MSKS peticaxhinjtë dhe "hafijet e Kralit" 1918-1941 II

Në këtë foto, që qarkullon në internet dhe thuhet se është marrë nga një gjerman, i cili ka qenë në shërbim të forcave fashiste të Pashiqit, ( fotograf) shihen 10 shqiptarë dhe disa serbë, ushtarë dhe civilë.

Mbi kokat e pesë shqiptarëve të vrarë dhe të shtrirë  në tokë nergut për të bërë një fotografi të xhelatëve afër viktimave, shihen edhe pesë shqiptarë të tjerë, në dukje “peticaxhi”. Po të vëreni me kujdes shihet se të pesëve u kanë varur pushkët në qafë, me qëllim për të krijuar  bindjen se ata ishin bashkëpunëtorë. Në fytyrat e tyre të vrara e të dërrmuara nga rrahjet, lodhja e sfilitja vërehet se edhe ata i pret fati i njëjtë, sikur i atyre, te kokat e të cilëve i kanë detyruar të qëndrojnë, me qëllim  për të bërë një fotografi. Duket se të gjithë janë urdhëruar të rrinë gatitu. Për dallim nga fytyrat e tyre të vrara dhe meite, së bashku me ta shihen serbë të disponuar, të krekosur dhe të djallosur, të cilët zakonisht fotografoheshin me trupat e shqiptarëve të vrarë. Në mesin e tyre mendohet se ndodhet e Miliq Kërsta, të cilin më pas e kishte vrarë, Selman Kadria.

(Luten lexuesit e këtij fejtoni, të cilët disponojnë ndonjë të dhënë për 10 shqiptarët e vrarë dhe të zënë rob, të njoftojnë redaksinë e Radios-Kosova e Lirë me qëllim për të sqaruar se cilët ishin të vrarët dhe ata të tjerët, të rreshtuar prapa tyre).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …