Elektorati votues i Kosovës sot do t’i drejtohet kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit vendorë, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave. Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Në këto zgjedhje janë certifikuar 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra. Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5.198, prej tyre 3.261 meshkuj dhe 1.937 femra. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5.364. Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila është shpërndarë në vendvotime, përfshinë 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021. Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve:
Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën;
Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim;
Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart;
Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit;
Pas identifikimit, rivendoseni maskën;
Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimet dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimet në kutitë përkatës;
Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni sërish duart.