Autoritetet e Kremlinit kanë bërë të ditur se do të pezullojë operacionet në kuadër të misionit të saj në selinë e NATO-s, në Bruksel, si kundërpërgjigje ndaj lëvizjes së aleancës perëndimore të sigurisë për të dëbuar tetë anëtarë të misionit të Rusisë në fillim të këtij muaji. Raportet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore janë në nivelet më të ulëta pas Luftës së Ftohtë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha më 18 tetor se operacionet do të pezullohen nga data 1 nëntor dhe se delegacionit ushtarak të NATO-s në Moskë do t’u merren akreditimet në të njëjtën ditë. Lavrov shtoi se NATO-ja dhe Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg janë njoftuar me vendimin e palës ruse. Sipas Lavrov, nëse NATO-ja ka ndonjë pyetje për Rusinë, përfaqësuesit e aleancës mund t’i drejtohen ambasadorit të saj në Belgjikë. Ai nuk foli për ndonjë kusht që duhet plotësuar në mënyrë që të rinisë puna në misione. Lavrov i quajti veprimet një përgjigje ndaj lëvizjes së NATO -s më 6 tetor për të dëbuar tetë punonjës të misionit rus në selinë e NATO -s. Numri i përgjithshëm i diplomatëve rusë në ambasadë u përgjysmua, nga 20 në 10. (ReL)