Tani kur krerët e UÇK-së ndodhen në Hagë, tre prej tyre të shënjestruar edhe për t’ u vrarë nga organizata e quajtur “Syri i Popullit”, këtë sajesë apo krijesë fanome, gjykimi ndaj së cilës është në proces gjyqësor e merr në mbrojtje, kush tjetër pos pikërisht një zëvendës-ministër i Drejtësisë, i Qeverisë Kurti, Blerim Sallahu, avokati i Vetëvendosjes, Tomë Gashi por edhe i shpalluri fajtor dhe i dënuari, për vepër penale, Sadri Ramabaja. Të tre këta pretendojnë se “Syri i popullit” as që paska ekzistuar por e paskan montuar, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, (i cili ndodhet në Hagë) dhe disa nga njerëzit e tij.
Zyrtari, Blerim Sallahu shkon aq larg në një debat në Telegrafi sa fajëson edhe Prokurorinë e Kosovës për gjoja involvim në këtë, sipas tij montim gjyqësor.
“Ju e dini se unë nuk flas pa argumente, unë e kam shkruar një postim në Facebook, i cili involvon prokurorë e caktuar të cilët janë të involvuar në veprime kriminale, një dy e më shumë, pra jo të gjithë, nuk flas me terma absolut, pra ka të bëjë me prokurorë, e ki termin e caktuar sepse unë e di se çka shkruaj, prokuror e ki në status. Pra dy e me shumë prokurorë janë të përfshirë në veprimtari kriminale”, është shprehur ai në emisionin “Përballje”, në Telegraf.
Pikërisht për këtë akuzë drejtuar Prokurorisë së Shtetit nga një zyrtar i qeverisë Kurti, Këshilli Prokurorial i Kosovës shprehet thellësisht i shqetësuar me deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili prokurorët i quan kriminelë. KPK thotë se deklaratat e Zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial. “Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore. Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial. Zëvendësministri Blerim Sallahu, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale.
Përveç Sallahut, i cili thotë për veten e tij se nuk flet pa argumente, dhe të cilit u dashka t i besojmë, në një fushatë të tillë në debate është kreshpëruar edhe avokati, Tomë Gashi dhe i akuzuari e i dënuari nga gjykata për vepër penale i organizatës “Syri i Popullit”, Sadri Ramabaja i cili veten e tij e krahason me oficerin francez, Drajfus, të cilin e kishte mbrojtur Emil Zola dhe ankohet se në Kosovë nuk ka mbrojtës si Emil Zola për ta mbrojtur Drajfusin, pra Sadri Ramabajën. Madje Tomë Gashi në një debat në T7 fyen e kërcënon gazetarin, Valon Syla të cilin, me një prepotencë të milicit të kohës së tij, ia bën me gisht dhe e urdhëron që ta mshel gojën, gjatë debatit, me përpjekje për ta inkrimuar Hashim Thaçin e Kadri Veselin, meqë kanë frikë se ata do të shpallen të pafajshëm nga Gjykata Speciale kundër UÇK-së.
Kjo fushatë kundër Hashim Thaçit, në T7 bëhet pikërisht në kohën kur autoritetet e Gjykatës Speciale kërkojnë garanci për ta liruar Thaçin e të tjerët që të mbrohen në liri, pasi pritet që gjykimi kundër çlirimtarëve të Kosovës të zgjasë me vite.
Përpjekjet për ta larë “Syrin e Popullit”, për ta mohuar edhe ekzistencën e kësaj organizate fantome, së cilës po i bëhet gjyq, nga një gjykatë në Prishtinë, bëhen në kohën kur organet e drejtësisë i mban nën kontroll Vetëvendosja, disa nga anëtarët e së cilës ishin të involvuar në këtë organizatë e cila kishte për qëllim t’ i likuidonte edhe disa nga kuadrot kyçe të SHP të UÇK-së dhe autoritete publike të vendit.
Fakte e dëshmi të publikuara për “Syrin e Popullit”
Dënohet grupi ‘Syri i Popullit’ Kallxo.com 22.1.2020 –
Avni Llumnica është dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata, pasi i gjet fajtorë në akuzat e Prokurorisë në rastin “Syri i Popullit”.
I njëjti pasi ju shpall aktgjykimi ka shpërthyer në akuza të rënda në drejtim të trupit gjykues, duke i sharë dhe fyer. Avni Llumnica është shpallur fajtor për shkak të dhënies së ndihmës në tentim vrasjen e Azem Vllasit, për shkak të hakmarrjes dhe për veprën penale sulm seksual sa ishte në qendrën e paraburgimit. Për këto vepra penale Llumnica u dënua me 12 vite burgim dhe iu konfiskua BMW-ja.
I akuzuari tjetër Ragip Sallova është dënuar me 4 vite burg.
Sadri Ramabaja, 5 vite burgim,
Behxhet Luzha, u dënua me 2 vite,
Halim Halimi, u dënua me 3 vite burgim.
Ndërsa Bajrush Konjusha, është dënuar me 3 vite burg dhe gjobë 300 euro për armëmbajtje pa leje të një pushke ajrore dhe një revole me gaz e modifikuar.
I akuzuari tjetër Rexhep Topllani u dënua me 2 vite burg, i njëjti lirohet nga paraburgimi.
Të akuzuarit Murat Jashari i shqiptohet masa e trajtimit për ndalim psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vite, dhe i konfiskohet pistoleta e llojit “Crvena Zastava” me shurdhues.
I dëmtuari Azem Vllasi u udhëzua në kontest të rregullt civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
I pari në listë për t`u eliminuar si tradhtar i vendit nga kjo organizatë ishte Azem Vllasi, duke vazhduar pastaj me krerët e tjerë shtatorë të shpallur tradhtarë.
Anëtarët e kësaj organizate kishin emrat e koduar. Ndërsa për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha gjykata mori aktgjykim refuzues, pasi Prokurori Sylë Hoxha ishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tyre në seancën e datës 16 janar.
Të akuzuar në këtë rast janë edhe Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Rexhep Topllana, Murat Jashari, të njohur në opinion si organizata “Syri i Popullit”.
Ky proces gjyqësor ka filluar me 11 prill të vitit 2018, dhe u mbajt me dyer të mbyllura për publikun, me qëllim “të ruajtjes së informacionit të fshehtë.
Në listat e “Syrit të Popullit” për ekzekutim figuronin shumë autoritete politike e ushtarake të UÇK-së
Ballkan Veb – 26 Prill, 2019
Në listat e “Syrit të Popullit” për ekzekutim figuronin edhe ish-kryeministri Isa Mustafa në Kosovë, dy liderët e partive shqiptare në Maqedoninë Veriore: Ali Ahmeti e Menduh Thaçi e politikanët shqiptarë në Preshevë: Riza Halimi e Shqiprim Arifi.
Përveç presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e kryeparlamentarit Kadri Veseli, edhe ish-ministra e klerikë fetar shqiptarë ishin pjesë e listave për ekzekutim të organizatës së dyshuar kriminale “Syri i Popullit”.
Në listat e “Syrit të Popullit” për ekzekutim ishin vendosur edhe ish-kryeministri Isa Mustafa në Kosovë, dy liderët e partive shqiptare në Maqedoninë Veriore: Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, dhe politikanët shqiptarë në Preshevë: Riza Halimi e Shqiprim Arifi.
Në dosjen e përpiluar nga hetuesit policor dhe Prokuroria Speciale e Kosovës bulohen lista për ekzekutimin e njerëzve të përpiluara nga organizata “Syri i Popullit”. Ato përfshijnë njerëz të padëshiruar për këtë organizatë nga të gjitha vendbanimet me shqiptarë. Dosja e Prokurorisë zbulon detaje se atentatet ndaj qindra shqiptarëve, të cilët nga “Syri i Popullit” konsideroheshin tradhtarë të kombit, ishin të planifikuara e organizuara. Ishin planifikuar edhe vendet ku do t’i varnin trupat e të vrarëve, shkruan FM Images.net.
“Syri i Popullit”, organizatë e cila në mesin e udhëheqësve kishte edhe Murat Jasharin – të akuzuarin për tentim vrasjen e Azem Vllasit -, planifikoi që Hashim Thaçin e Kadri Veselin t’i varnin në oborrin e shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit në Prizren. “Kapet Kadri Veseli dhe dërgohet te shtëpia e Shaban Shalës në Prizren. E marrin në pyetje para kamerës. Pasuria i konfiskohet. Varet tek oborri i shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit. Kapet Hashim Thaçi dhe dërgohet tek shtëpia e Behjadin Allaçit në Prizren. Varet tek oborri i shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit”, thuhej në dokumentet sekrete të organizatës “Syri i Popullit”.
Plan të njëjtë kishte edhe për vëllezërit e presidentit Thaçi. “Syri i Popullit” pretendonte t’i vriste tre vëllezërit e ish-kryetarit të PDK-së: Ganiun, Blerimin dhe Idrizin dhe pasurinë e tyre t’ia kalonte Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Insajderi. “Kapen vëllezërit e Hashimit. Pasurinë e patundshme ta kalojnë në Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së dhe mjetet financiare në xhirollogari të Fondit Humanitar “Atdheu” dhe pastaj vriten”, thuhet në dokumentet e “Syrit të Popullit”.
Në listën për ekzekutim të kësaj organizate, ndodheshin edhe dy kryenegociatorët e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë: Edita Tahiri dhe Blerim Shala. Plani për ta ishte që të vriteshin “në të njëjtën ditë”. E në listat për ekzekutim të “Syrit të Popullit” figuronin edhe ministra e ish-ministra të Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, në listë ndodhet edhe Hajredin Kuqi, ish-ministër i Drejtësisë, i cili sipas organizatës “Syri i Popullit”, cilësohet si “përgjegjës për sistemin e dështuar të drejtësisë”.
“Të vriten në një ditë ministrat e Arsimit mbas vitit 2008. Të vriten ministrat e Shëndetësisë mbas vitit 2008, për një ditë”, thuhet në dokumentet e përpiluara nga kjo organizatë e dyshuar kriminale, të cilat i ka siguruar Insajderi.“Të gjithë klerikët t’i hjekin mjekrat, në të kundërtën vriten”. Në mesin e politikanëve e të ashtuquajturve tradhtarë të kombit, “Syri i Popullit” kishte listuar edhe klerikë fetarë. Kishte urdhëruar vrasjen e njërit prej tyre, ndërkaq kishte vendosur ultimatum për të gjithë.
Organizata e dyshuar kriminale, në listat e saj kishte vendosur emrin e imamit nga Prizreni, Irfan Salihu. “Vritet imami i Prizrenit, Irfan Salihu”, theksojnë dokumentet e “Syrit të Popullit”, që ishin përgatitur në mbledhjet e kësaj organizate në vitin 2017. E përveç planifikimit për atentatin ndaj Irfan Salihut, planifikohej vendosja e një ultimatumi për të gjithë klerikët fetarë. Planifikohej t’i kërkohej klerikëve fetarë të hiqnin mjekrat. “Lëshohet komunikata duke theksuar se brenda një muaji në gjithë hapësirën shqiptare të gjithë klerikët fetar t’i hjekin mjekrat, në të kundërtën vriten”, thuhet në dokumentet e “Syrit të Popullit”.
Po ashtu, planifikohej të vendosej urdhër ndaj klerikëve fetarë. T’i imponohej atyre që të lexojnë 15 romane në gjuhën shqipe brenda vitit. “Predikuesit e feve ta mësojnë historinë shqiptare aq sa e mësojnë nxënësit e shkollave të mesme. Të lexojnë së paku 15 romane shqip në vit”, theksojnë dokumentet të klasifikuara si top sekrete të kësaj organizate.
Planet e “Syrit të Popullit” për Xhavit Halitin dhe Remin
Xhavit Haliti duhej të varej tek oborri i Lidhjes së Prizrenit, thuhet në dokumentet e “Syrit të Popullit”, të cilat i ka siguruar si dëshmi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Në këto dokumente planifikohej që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të dërgohej në një bazë në Prizren dhe të merrej në pyetje; të xhirohej me kamerë dhe një kopje e xhirimit t’i dërgohej televizioneve.
“Kapet Xhavit Haliti dhe dërgohet në një bazë në Prizren. Pasuria i konfiskohet. Varet tek oborri i shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit në Prizren. Kopja e xhirimit i dërgohet televizioneve. Kapet Azem Syla dhe veprohet njëjtë sikurse me Xhavit Halitin”, thuhet në dokumentet e “Syrit të Popullit”.
Ndërkaq, plan kishte edhe për konfiskimin e pasurive të ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi dhe vëllezërit Muja. “Vëllezërve Muja, Rrustem Mustafa-Remi dhe të gjithë atyrëve si këta, i kërkohet që pasurinë e patundshme me notar ta kalojnë tek Shoqata e Veteranëve të Luftës, kurse mjetet financiare tek Fondi Humanitar ‘Atdheu’”, thuhet në dokumente. Lëvizja “Syri i Popullit” organizohej në Grupe Guerrile (GG). Grupet Guerrile kishin nga 4 vetë. Përgjegjësit e Grupeve Guerrile nuk parashiheshin të merrnin pjesë në operacione, por të jepnin detyra-urdhra.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 10 personave të dyshuar si pjesëtarë të kësaj organizate kriminale. Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “hakmarrje në ndihmë”, “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “hakmarrje”.