Gazetari, Halil Berisha, është paraqitur si dëshmitar në seancën gjyqësore në Gjykatën Speciale, kundër krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Berisha, përpara se ta niste dëshminë, ka deklaruar se është detyruar të paraqitet atje në cilësinë e dëshmitarit, duke shtuar se nuk është i lumtur që sot gjendet atje. “Unë veç desha të them që nuk jam shumë i lumtur që sot jam këtu për të dëshmuar para juve. Kjo assesi nuk do ta pengojë faktin që unë do ta them vetëm të vërtetën”, ka deklaruar Berisha. “Megjithatë, unë këtu jam sepse më keni obliguar. Por përndryshe, nuk jam shumë i lumtur që gjendem këtu”, ka deklaruar ai. Fillimisht, gazetari ka nisur të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me konferencat për shtyp që i mbanin Gucati e Haradinaj.