Arrestimi i Albert Spahiut, ish pjesëtar i UÇK-së, në Zvicër, pjesëtar i një familje me katër të viktimizuar nga regjimi serb, me kërkesën e Beogradit për ta ekstraduar në Serbi, jo vetëm që është i pa pranueshëm, por tregon edhe vënien e Zvicrës në shërbim të politikës se gjenocidit serb të ushtruar për dekada të tëra, në Kosovë. Zvicra është njëri nga shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka lidhje diplomatike me Kosovën, kjo do të thotë se nuk e ka asnjë arsyeje për t’i ekstraduar qytetarët e Republikës së Kosovës, në Serbi. Madje cili është ai shtet në Evropë që nuk e di se cila ishte politika serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës?.
Qeveria e Kosovës në ketë rast duhet të vihet fuqishëm në mbrojtje të qytetarëve të vet. Por jo vetëm kaq. Qeveria e Kosovës e Presidenti, duhet të reagojnë institucionalisht, te të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën, në të gjitha vendet që jetojnë e punojnë qytetarët e Kosovës, që çdo ekstradim i cilitdo qytetarë të Kosovës duhet të bëhet vetëm në Kosovë e askund tjetër. Pasi këta njerëz janë duke biseduar me Serbinë që disa vite dhe i kanë bërë asaj koncesione pa numër, duhet të kërkojnë nga bashkëbiseduesit serbë, që t’i ndërpresin përpjekje për t’i ndjekur qytetarët e Kosovës ose duhet që ta ndërprenë çdo formë të komunikimit me qeveritarët e Beogradit! Nëse, nuk e bëjnë ketë dhe nuk vihen ne mbrojtje të qytetarëve të Kosovës, duhet të dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre, në mënyrë që t’i hapin rrugë zgjedhjeve të reja të lira dhe të mos të lajmërohen më, pasi nuk kanë potencë të udhëheqin me vendin.