Familja Musa, nga Bajgora e Shalës, është një familje e njohur për urti, bujari dhe qëndresë kundër pushtuesve. Veli Musa, gjyshi i dëshmorit, Nysret Musa, ishte ndër shqiptarët e rrallë, që kishte qenë pjesëmarrës në Luftën Antifashiste, që nga viti 1943 dhe nuk kishte pranuar kurrë asnjë pozitë, madje as pensionin e luftëtarit dhe kishte jetuar me djersën e vet deri në vdekje, i papajtueshëm me regjimin komunist.
Babai, Osmani, ishte ndër njerëzit më të nderuar dhe më të respektuar në Shalë dhe më gjerë. Ai punoi 30 vite në punë shtetërore dhe asnjëherë nuk u bë vegël e regjimit. Ishte gjithnjë pranë sofrës së popullit dhe tërë jetën u mor me pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave pa i lakmuar asnjëherë pozitat edhe pse ishte mesatarisht i arsimuar. Familja e Veli Bajgorës, gjyshit të Nysretit ishte çerdhe e luftëtarëve mes dy luftërave botërore.
Nga kjo familje rrjedh, Nysret Osman Musa, i lindur më 24.12.1979 në Lagjen e Minatorëve, në Tunel të Parë të Mitrovicës. Nysreti ishte fëmija i tretë. Ai kishte një vëlla tjetër dhe një motër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe si fëmijë tek ai ishte vërejtur një ndjenjë e veçantë e interesimit për fenomenet natyrore dhe ato shoqërore. Ai nuk e kuptonte jetën si tabu, por si mundësi për ta ndryshuar. Gjithnjë si fëmijë kërkonte shpjegime dhe shprehte interesim për të kaluarën. Ishte simpatik, entuziast dhe i dashur, i drejtpërdrejtë dhe shumë i sinqertë. Si shumë të rinj të tjerë interesohej për kombin, fenë dhe atdheun, prandaj me dëshirën e tij regjistrohet në medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Gjatë shkollimit shfaq interesim të veçantë për të kaluarën kombëtare dhe fetare të popullit tonë.
Ka marr pjesë në demonstratat dhe protestat e organizuara në Prishtinë dhe Mitrovicë, që nga mosha rinore, për çaka edhe ndëshkohet shpesh herë nga drejtoria e shkollës për mosdëgjim, meqë kur kishte ndonjë protestë ai nuk pyeste askënd dhe i bashkohej pa hezituar. Ka marrë pjesë në varrimin e dëshmorëve dhe viktimave të Likoshanit e Qirezit.
Posa u kthye nga varrimi, në Bajgorë interesohet për kontakte me njerëzit e organizuar. Tani veç kishte të angazhuar në UÇK nga familja e tij e gjerë, nuk deshën ta angazhojnë në veprimtari ushtarake ngase ai ishte i vetmi fëmijë i babë Osmanit, invalid i rëndë, pa të dy këmbët dhe i dërmuar nga sëmundja, si dhe nënë Sherifes, e sëmurë nga veshkët dhe për këtë arsye ishte shumë i nevojshëm për familjen e tij të ngushtë. Motrën dhe vëllain i kishte në Gjermani.
Njëri ndër bashkëluftëtarët, epror në radhët e UÇK-së të ZOLL-it,, Emin Musa, rrëfen për dëshmorin e kombit pasi që e kishte edhe të afërm dhe bashkëluftëtar. Ai thotë se me daljen publike të UÇK-së në Shalë, pas 5 marsit dhe posaçërisht, pas 18 prillit 1998, kur u formua njësiti i Parë i UÇK-së në Zabërgj të Shalës së Bajgores, Nysreti pa reshtur insiston të bëhet ushtar i lirisë, por si i ri, shëndetlig dhe përkujdesës i prindërve të sëmurë, eprorët e UÇK-së nuk deshën ta angazhonin deri më 29. 6. 1998 kur vjen në Bare, aty ku ishte formuar Shtabi Rajonal i Shalës dhe betohet se nëse nuk do ta pranonin do të bënte grevë urie.
Kishte marrë me vete veshmbathjet, kur ishte larguar nga shtëpia dhe pas një presioni të tillë pranohet në UÇK.
Ditën e nesërme, më 30 qershor 1998 u formua edhe Brigada 141 “Mehë Uka” e Zonës Operative të Shalës, kur edhe ndahen formacionet ushtarake dhe caktohen detyrat. Po ashtu, organizohet edhe një grup vullnetarësh, për shkuarje në Shqipëri për furnizim me armatim dhe numri i ushtarëve vullnetarë ishte shumë më i madh sesa që kishte mundësi të shkonin. Edhe kësaj radhe, Nysreti, këmbëngul, që me çdo kusht të shkojë për armatim, sado që eprorët i ofruan çdo armë që ai dëshironte, nga frika se nuk e lejon shëndeti për një rrugë aq të gjatë dhe të mundimshme dhe duke u munduar ta kursejnë prej rreziqeve që paraqiste ajo rrugë. Nysreti iu tha eprorëve:
“Nëse mendoni t`më ruani nga vdekja, e keni gabim, sepse unë mund të vdes edhe këtu nëse e kam vdekjen, ndërsa mund të shpëtoj edhe nga rreziqet më të mëdha nëse nuk e kam vdekjen”.
Më 17 korrik 1998, kur formohet grupi që po nisej për në Shqipëri nuk pati forcë ta ndalojë Nysretin edhe pse përdorem të gjitha metodat ta ndalonim. Grupi prej 75 ushtarëve dhe dy oficerëve prijës të Brigadës 141 “Mehë Uka” kishin kaluar një rrugë të mundimshme gjatë shkuarjes. Atje qëndruan plot një muaj dhe gjatë kthimit kishin bërë një rrugë tepër të mundimshme prej Tropojës deri te kufiri me Malin e Zi, Rugovë, Burim e deri në Shalë të Bajgorës.
Ky grup u kthye në Shalë, më 16 gusht 1998.
Pasi që ushtarët e kthyer shpërndahen nëpër vijat e frontit, Nysreti me kërkesën e tij angazhohet në Batalionin e Tretë në Kompaninë e Dytë në Rahovë, pozicion mjaft afër forcat të stacionuara serbe. Atje qëndroi deri më 16 shtator 1998. Nysreti ishte treguar shumë guximtar dhe trim në të gjitha ballafaqimet me armikun dhe kështu ishte i respektuar jashtëzakonisht shumë nga eprorët dhe ushtarët. Pas Ofensivës së njohur të Shtatorit 15-17 shtatorit 1998, Brigada 141 “Mehë Uka” tashmë vendos ta formojë një njësit special nga ushtarët më të sprovuar të brigadës, të cilët ishin dëshmuar për trimëri dhe shkathtësi. Nysreti e kishte vendin aty dhe filloi stërvitjet. Ani pse atë kohë ishte mjaft shëndetlig, morali shumë i lartë ndikon që të jetë i dalluar në ato stërvitje dhe në punë të tjera që i ngarkohen. Pas mbarimit të stërvitjeve caktohet në sigurimin e “Spitalit Ushtarak”, në Kovaçicë, detyrë në të cilën qëndron deri më 29 prill 1999. Ai gjithnjë kërkonte pjesëmarrje aktive në frontet e luftës, por eprorët e ndalonin duke e motivuar se sigurimi i të plagosurve është detyra më e shenjtë dhe më humane që mund ta bënte.
Më 29 prill, kur pas një lufte 39 ditëshe ballëpërballë me forcat ushtarako-policore dhe paramilitare serbe, thyhen pozicionet e para të UÇK-së në Melenicë, Preten, Majdan, Trepçali, Mazhiq dhe Rashan, Spitalin Ushtarak luftëtarët e lirisë e tërhiqin në Vesekovc e pastaj në Sllakovc të Vushtrrisë. Nysreti e kishte ndihmuar tërheqjen me sukses t; të plagosurve.
Më 2 maj 1999, Shala e Bajgorës ishte shndërruar në një ferr të vërtetë. Forca të panumërta nga të gjitha strukturat serbe vërshuan në Shalë nga të gjitha anët dhe UÇK-ja ishte e pafuqishme ta mbrojë popullin nga gjithë ajo makineri vrasëtare. Një popullate prej rreth 15.000-20.000 vetash gjendeshin në Grykën e Sllakovcit, e rrezikuar nga të gjitha anët. Por në veçanti nga veriu, prej nga me shpejtësi forcat serbe po lëviznin drejt Sllakovcit. Ushtarët e Batalionit IV “Rexhep Musa” po i siguronin vijat në jug,lindje dhe perëndim të Sllakovcit, ndërsa në veri kah Vesekovci u caktua një tog special për t’i ndalur apo për t’i penguar dhe vonuar forcat serbe derisa të largohej popullata nga ajo luginë që gjendej në rrethim të hekurt.
Pasi merr pjesë në varrimin e ushtarit shembullor dhe dëshmorit Faruk Beqiri, Nysreti ishte i pandalshëm drejt ballafaqimit me forcat serbe që vinin nga Vesekovci. Përkundër përpjekjeve për ta ndalur, ai me shokët e tij iu zë pritë forcave serbe te “Qafa e Fierit”, në mes Vesekovcit dhe Kurillovës dhe pas një beteje të ashpër dhe të përgjakshme, goditet nga arma serbe dhe bie dëshmor.
Shokët nuk arritën ta tërheqin kufomën atë ditë, ngase ishte luftë shumë e ashpër dhe shumë e afërt, por në nguti i likuidojnë ushtarët serbë që rezistuan, me qëllim të zënies së popullatës shqiptare, e cila ndodhej e strehuar atje.
Të nesërmen një grup familjarësh dhe shokësh e morën kufomën e dëshmorit Nysre t Musa, e bartën rreth tri kilometra më larg dhe e varrosën në Baçkë të Kurillovës, në kushte dhe rrethana të luftës. Ceremonia e varrimit u bë, më 7 maj 1999, kur territori u rimor serish nga UÇK-ja.
Nysreti, “Hoxha”, sipas dëshmitarëve dhe gjetjeve pranë kufomës përveç municionit të automatikut kishte hedhur edhe dy bomba dore mbi forcat serbe që tregon për heroizmin e tij..
Pas Çlirimit të Kosovës, më 17 korrik 1999, rivarroset në Varrezat e Bajgoreë ku ishin të varrosur edhe shumë dëshmorë dhe martirë të zonës së Shalës. Ndërsa me caktimin e lokacionit për të gjithë dëshmorët e Komunës së Mitrovicës, përsëri rivarroset bashkë me dëshmorët e tjerë në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”, në Shipol të Mitrovicës, më 29 shtator 1999 me një ceremoni madhështore.
Nysreti ka lënë një ditar lufte, ku ka përshkruar depërtimin në Shqipëri dhe kthimin në Shalë, duke shënuar detaje shumë me interes të atij rrugëtimi të gjatë nëpër prita të serbëve. Disa fragmente të këtij ditari jipen në vijim:
Më 18.07.1998, ora 21:00, ditë e shtunë. U nisem me traktor në relacion Bare, Mazhiq, Kqiq, ndërsa në Pantinë arritëm në orën 23.30 ku edhe bujtëm.
Më 19.07.1998 ora 12:30, ditë e diel, u nisëm me kamion në relacion, Lubovec – Gllogjan-Deçan, duke kaluar nëpër Mikushnicë, Prekaz,Qirez, Krushevc, Llapushnik, Malishevë, Jabllanicë, Isniq. Në Gllogjan arritëm në ora 22:00 aty u bëmë rresht dhe në ora 22:15 filluam rrugën në këmbë për në fshatin Junik…
Më 20.7.1998, në orën 5, ditë e hënë arritëm në Junik ku pushuam deri në ora 15:00, pastaj u nisem për në Shqipëri. Por për fat të keq, në orën 23:00 afër kufirit kolona u ndërpre dhe u desh të kthehemi….
Më 9.8. 1998 në orën 17:30, ditë e diel hymë buzë kufirit në Rebube Malit të Zi dhe Kosovës kaluam afër Rozhajës dhe arritëm në fshatin Drelaj-Pejë…
Më 17.8.1998, nga ora 2:00 deri në orë 12:00 mbetëm në Zabergjë, ku jemi shpërndarë nëpër disa shtëpi, për të pushuar deri me 21.8.1998 të ditës së premte. (M. K.)