(Bilall Maliqi, “PIKËPYETJE KOHËS”, poezi, botoi Sh.B. “Lena”, Prishtinë 2021. Faqe 106. ISBN 978-9951-27-353-4)
Poezia e Bilall Maliqit, edhe pse është cilësore është poezi e munguar, dhe më këtë paraqet tragjidicitetin e jetës në provincë, edhe siformë krijimi, edhe si mënyrë e prezantimit është e munguar, ndonëse është shprehje poetike e realizuar mirë. Poezia e këtij poeti është angazhim intelektual, dhe me kujdes i qaset mendimit poetik, i cili veçohet, dallohet dhe interpretohet ndryshe nga nivele të tjera të shoqërisë qytetare. Këto mendime dhe motive i ndeshim qysh në poezinë e parë:
I LODHI (EDHE) FJALËT
U lodha duke dëgjuar zëra memece
As s’i kuptoj
As s’më kuptojnë
Veç kudo pa ndalur (ata) zhurmojnë
U lodha së shikuari portret(e) shëmtie
Sa tmerr
Hijet e tyre drithërojnë
Me të zezat edhe n’ëndërr të trishtojnë
(Ai) duke i lodhur fjalët, u lodha edhe unë
Ato u djersitën
Sikur nën vapë kur qëndrojnë
E asnjë trohë liri nuk e gëzojnë…
Dhe, sikur të ishte vetëm kjo poezi, motivi lirik do të mjaftonte, pasi është vlerë e lartë estetike, por libri si tërësi është mozaik tematik, uverturë e sajuar mirë. Këto lirika kanë të bëjnë me interpretim kulturor të ngjarjeve, ndodhive dhe fenomeneve në mes, e përmes hapësirës shqiptare, në mes të asaj poetike që shkruhet në një trevë më të izoluar siç është Presheva, dhe qendrave urbane më të hapura siç janë Tirana, Prishtina ose Tetova. Por, fati e deshi që poeti Bilall Maliqi të gjallërijë në Luginë, (toponim i ri dhe mjaft i ngushtuar për një “gjeografi të rrudhur”, shprehet vet ai), në të cilën janë përfshirë tre qytete shqiptare të veçuara, ku“Korbi i zi/ që krrokat mbi tonën çati”, paska ndikuar në zbrazje masive, e cila ndjehet e përjetohet çdo ditë, si klithmë e sojit, andaj edhe klithma:“Qëndro uni im, qëndro/ Mos lëviz nga ajo pikë/ (Je) uni im kudo shfaq burrëri”, e bëjnë krijimin poetik dhe qëndrimin e poetit vlerë të respektuar, ndërsa mesazhi bënë për të kuptuar sakrificën intelektuale për t’i sfiduar vështirësitë e jetës. Prandaj themi se pavarësisht rrethanave shoqërore e politike, poeti mbetet poet, vetëm atëherë kur arrinë për të artikuluar mendimin e përgjithshëm intelektual, dhe me këtë për të ndërtuar sojin krijues e profilin e vet letrar, madje duke u bërë i dashur dhe i njohur për lexuesit jo vetëm aty në “gjeografinë e rrudhur”, por suksesshëm ka tejkaluar barriera dhe kufijë të kësaj hapësire mjaftë e ngushtuar, veçmas nga aspekti kulturor.
Këto mendime na i plotësojmë poezitë e këtij libri, duke na i shprushur halucinacionet emocionale, sepse përmbledhja poetike “Pikëpyetje kohës”, prek esencën e dhembjes dhe shqetësimit në nivelin nacional. Pa dyshim, vepër poetike që dëshmon ekzistencën krijuese të poetit, mbetur në margjinat e hapësirës kulturore këmbëtare.
Këtë nuk e them unë?! E thonë lirikat e këtij vëllimi, të cilat shprehin metaforën e shqetësuar, e cila sikur ka fshehur enigmën e vetmisë, ku përmes saj shpreh ndjenjën dhe shpirtin e kthyer në poezi artistike, një lloj “Kërkimtar(i) i ardhmërisë së humbur”, në të cilën poeti shprehet: “(Sa) rrallë ngjitem udhëve të pashkelura/ Me një strajcë malli të mbushur në shpinë” dhe pa dyshim “Tevona udhës së shkelur i mas hapat”, shprehet poeti i munguar “si një kërkimtar i ardhmërisë së humbur…”
Vëllimi poetik, “Pikëpyetje kohës”, i Bilall Maliqit, dëshmon se poeti është kërkimtar i motivit dhe i mesazhit. Ky vëllim poetik paraqet profilizim më të kompletuar, dhe bashkë me veprimtari të tjera letrare e publicistike e kompletojnë portretin e tij krijues, duke e bërë me vlera të përgjithshme e të gjithanshme. Pa dashur t’ia anashkalojmë a harrojnë poetit angazhimet edhe në fushat tjera të jetës publike siç janë: publicistika, eseistika dhe kritika letrare, kompletohet dhuntia krijuese me specifikë të rrallë që i shemb “urat e zeza, / nëpër pikat e shlyera të kohës…”, ndërsa vlera e saj kategorizohet në poezi dhe vetëdije etnike!
Pa asnjë dyshim, librat dhe poezitë janë vet jeta e autorit, janë angazhimet, përpjekjet në provincë, andaj metafora e kësaj poezie merrë konatacion dhembje, shqetësimi, ankthi dhe padyshim është piskamë, njëkohësisht janë “thirrje që humbasin/ E përbirohen(si) nëpër dhëmbë”, janë “këngë të perëndimit të përfunduar”. Në të njëtën kohë këto poezi janë “shpresa të kapura” motive poetike, porosi për të tjerët, e si e tërë përbënë këtë mozaik motivesh, diversitet vlerash, pikëpamjesh që është sublimuar si qasje poetike e cila ngacmon shpirtin e lexuesit.
Gjithmonë përmes poezisë poeti synon të flas edhe përtej jetës – botës që jeton. Ky motiv poetik do të motivojë poetin të krijoj, dhe natyrisht edhe e nxit të jetojë, pasi ai e din se tashmë do të jetë edhe më i pranueshëm në rrethet letrare, ndërsa përmbledhja “Pikëpyetje kohës”, vetëm sa e sforcon këtë mendim për vlerën tematike, për motivet e shumta të cilat komunikojnë drejtpërdrejtë me lexuesin e saj në njërën anë, kurse në anën tjetër “Për t’i matur mëkatet e mëkatarëve/ Në peshoren e kohës” pasi siç shprehet ai, “(Ajo) lëshohet si pordhë e ftohtë”, që shpreh ironi, mjaftë të thellë, për disa dukuri, veprime dhe vese të cilat poeti i kundërshton përmes vargut poetik.
Pra, siç theksuam më lart, poeti nuk mbetet i vetmuar edhe kur vetëm është, ai qëndron bashk me poezitë e tij, lirikat i japin kuptim jetës reale, shprehjes poetike e cila rrjedh si një ujëvarë që shëmbëllen si mozaik kulturor, në shërbim të poetikës letrare, në shërbim të vetës dhe të ardhmërisë. Me një fjalë ai qëndron dhe sfidon kohët, ashtu si “ngrehinë atje në tumë”, që si motiv është materializuar artistikisht në poezinë“KALAJA E PRESHEVËS”:
Ç’vjetërsi ruan në gji
(Kjo) ngrehinë atje në tumë
E ngelur (është) në vetmi
Shënjuar me të moçmet gjurmë
Brenda saj ishte fisi e plisi
Porsi n’istikam trimërie
Nga lart u mbrojt etnia
Si nëpër logje burrërie…
Pa dyshim, në disa aspekte, poeti iu ka nënështruar fatit provincial, që imponon koncepti tiranik i politikës për ta geotizuar edhe krijuesin, intelektualin dhe si tërësi edhe hapësirën, por Bilall Maliqi, si rrallë të tjerë është i vetëdijshëm për fatin e tij dhe sidomos për misionin që ka poeti për t’i dhuruar letërsisë edhe vlera të tjera poetike, ku s’bashku me angazhimet e ditës, motivojnë gjallërimin kulturor e poetik, mbase vetëdije krijues, pavarësisht rrethanave shoqërore, kulturore e politike që e rrethojnë atë dhe vështirësitë sociale që mund ta kushtëzojnë, për të vepruar e gjallëruar edhe më me sukses. Më duket se këtë mendim e gjejmë gatuar në poezinë “GUFON KUJTIMI”, në të cilën janë realizuar disa motive që përshkruajnë atë kalvarin si përpjekje në një periudhë të gjatë kohore:
GUFON KUJTIMI
Nëpër ata sy kalon imi shikim
PASTAJ: Kujtimi gufon si një zgjim
Shpresa shndërrohet në guxim
FATI: Merr hov për shtegtim
I zjarrtë është ai mallëngjim
LIDHE: Për dore të shenjtin besim
Këtë kohë të hidhët si pelin
NË KËRTHIZË: E pagëzuan me emrin durim
Edhe poezia “E pamë…”, është vazhdimësi e konceptit mbi “durimin”, shprehur në poezinë paraprake, prandaj nëse dikush insiston për të seleksionuar këtë poezi, më mirë le të pranojë tërësinë artistike, pasi seleksionimi është bukur i vështirë. Ky vëllim poetik ngjason me një mozaik të tërë motivesh me vetëdije të lartë krijuese, vlerë e veçantë që nuk bënë të hiqet asnjë fjalë, më sa guri nga peizazhi i një murali të bukur artistik. Poezia edhe si e vetme, por edhe si tërësi është e strukturuar për të paraqitur vlerën unike dhe atë universalen brenda poezisë, të shprehura me një pikëpyetje, të madhe do të thoshim ne.
PIKËPYETJE
S’i t’i thuhet të bardhës e zezë
Në embrionin e kohës së pistë
S’i t’i themi heshtjes hesht
Kur përditë gëlltisim hidhërimin
S’i të themi (ende) ka shpresë
Kur ajo u fsheh pas shtatë kodrave
S’i t’i themi dëshirës qëndro
Kur është shtrirë në horizontale
S’i t’i përulemi drejtësisë
Kur çekani i saj na bie në kokë
S’i të themi jemi të lirë
Kur e bartim barrën e robërisë
Duke u nisur nga qëllimi i mirë, për të realizuar tekstin letrar si duhet, poezinë e Bilall Maliqit e kemi kundruar nga perspektiva që e sheh vet autori, i cili i ka vënë pikëpyetje kohës dhe veprimit, nga e cila materializohet ideja, kurse si nën vetëdije edhe sintagma “Pikëpyetje kohës” në të cilën ai shprehet:
PIKËPYETJE KOHËS
Edhe pikë-çuditësja çuditet
Nga rreshti i pakuptueshëm
Siç buzëqeshë nata me ditën
E dita me natën…
Hijet mishmash përzihen
Pastaj mbin një diktator
Në ballë të motit të nëmur
I vihet një pikëpyetje kohës
Motivi për kohën, po sidomos dyshimi që vihet mbi të e bënë metaforën e kësaj poezi mjaftë tërheqëse e cila dallon për mënyrën e qasjes dhe përshkrimin e fenomeneve të cilat ndodhin për çdo ditë. Vërtetë, aty ku jeton, ai i ka parë e vrojtuar padrejtësitë e shumta dhe injorimin e mundshëm, dhe kjo ka bërë këtë poezi të realizuar mirë pa glorifikim e hiperbolizim të realitetit, por realitetin e ka ngjyrosur me shprehje lirike e poetike, që duket të jenë produkt i rrethanave, emocioneve në çaste frymëzimi, atëherë kur ka shkruar poezitë, dhe këtë e thonë poezitë: Dridhjet dridhen; Frymën tënde e ngulfatën; Shtëpi s’të lashë pse deshta; Protestova; Sillu e pështillu; Ata…; Ai ra…; Babëziut; Gjuha nuk humbi; Kohë e verbër; Do t’i vije fundi; Loton koha; Fjalë e rrallë; Legjendë; Ia bëra me gisht… etj.
Ne kemi bërë kërkim të motiveve poetike si vlerë kulturore, për të artikular këtë mendim kritik sa më mirë dhe më të saktë si detyrim letrar, për poezinë e vlefshme, shërbyese dhe mirë e realizuar. Vëllimi poetik “Pikëpyetje kohës” është realizuar me sukses, prandaj ky poet vazhdimisht gjallërinë e gjallërinë, pavarësisht asaj se prezenca e tij dukshëm duket e munguar!
Prishtinë, tetor 2021.
SHËNIME PËR AUTORIN
Bilall Maliqi lindi më 08.04.1969 në fshatin Elez Bali, Komuna e Preshevës. Shkruan poezi dhe prozë për fëmijë e të rritur, merret edhe me kritikë letrare.
ËSHTË PREZANTUAR NË:
– Panoramën e krijuesve të Kosovës Juglindore “Psherëtimë për tokën (I dhe II)”, të shkrimtarit Hysen Këqiku.
– Almanakun Botëror të poezisë “WORLD POETRY” 2014.
– Në leksikonin “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj 1886-2009”, të prof. as. dr. Astrit Bishqemit.
– Në leksikonin “Autorë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj 1886-2017, të Prof. dr. Astrit Bishqemi dhe prof. dr. Migena Arllati.
– Në leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë të Zvicrës, të autorëve Besnik Camaj dhe Shefqet Dibrani.
– Në Antologjinë poetike shqip-suedisht “Baladë e përflakur” (Fllammande ballad), të Sokol Demakut.
– Në Antologjinë poetike “Jehona e shekujve”, të Sokol Demakut.
– Në Antologjinë poetike Ndërkombëtare “Korsi e hapur” (Openlane), e Kristaq Shabanit.
– Në Antologjinë poetike belge frëngjisht-shqip “Anthologie de poètes albanophones”.
– Në Antologjinë e Poezisë Bashkëkohore të Ballkanit (Poetry from the Balkans. The Balkan Poets), 2018.
– Është themelues dhe kryeredaktor i revistës letrare “Qëndresa” që del në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).
– Është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” në Preshevë.
– Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
– Anëtar i Bordit Drejtues të Galaktika Poetike Atunis;
– Kryetar i “Atunis Lugina” me seli në Preshevë.
– Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës letrare-artistike “Princ Muzaka”;
– Është bashkëpunëtor i revistës letrare për fëmijë dhe të rinj “Diellori”, bashkëpunëtor dhe redaktor i kulturës në të përjavshmen “Nacionali”. z/v. kryeredaktor i revistës mujore për fëmijë dhe të rinj ”Shpresat”.
– Shkruan edhe në gazeta ditore të Kosovës dhe të Maqedonisë si: “Epoka e Re”, “Zëri”, “Kosova sot”, “Bota Sot”, “Fakti ditor”, “Lajm” etj.
Bilall Maliqi jeton dhe vepron në Preshevë…
VEPRAT LETRARE:
- Rrugëtimi, poezi për të rritur;
- Rrugëtim përjetësie, poezi për të rritur;
- Gëzim dhe drojë, tregime;
- I lutemi Zotit, poezi fetare;
- Perëndim i varur, poezi për të rritur;
- Kodra e luleve, poezi për fëmijë;
- Vula e kohëzezës, poezi për të rritur;
- Shtëpia afër pyllit, tregime për fëmijë;
- Gërfyejtë e shpresës, poezi për të rritur;
- Ide të trazuara, intervista me shkrimtarë;
- Lutje të lagura, poezi për të rritur;
- Mbresa vrojtuese, vështrime letrare;
- Hëna flet me lule, poezi për fëmijë;
- Hullive artistike, vështrime kritike;
- Nën strehën e kujtimeve (Sotto la grondadeiricordi), poezi për të rritur (shqip –italisht).
- Në thellësi të ëndrrës, poezi për të rritur;
- Aforizma;
- Semantika e shtrirjes krijuese, vështrime kritike;
- I kthehem ëndrrës, poemë;
- Sheshi i fjalëve, poema;
- Rrugët e shikimit (Paths of vision), poezi shqip-anglisht;
- Drithërimë (Tremuratura), poemë shqip-rumanisht;
- Këngë zogu, poezi për fëmijë;
- Vlerësime, vështrime letrare;
- Pikojnë fjalët, aforizma;
- Shtigjeve të shpresës, poezi për të rritur;
- Vetmi e mërdhirë, proza poetike;
- Rrëmbimi Euridikës, poezi për të rritur;
- Ëndrra që më dha gëzim, poezi për fëmijë;
- Në prehrin e ëndrrës, poezi për të rritur;
- Sytë e Erës, poezi për fëmijë;
- Shkreptimë dashurie, poezi për të rritur;
- Blini në Blinishtë, tregime për fëmijë;
34. Pikëpyetje kohës, poezi për të rritur.