“Shkau nuk ka besë më sa qeni”, është një vërejtje e urtisë popullore, që tingëllon shumë vrazhdë, por nuk është porosi raciste në rastin konkret, pavarësisht përgjithësimit, sepse jo tërë populli serb është i tillë, por krerët e tij, me ndonjë përjashtim të vogël, kurdoherë gjatë historisë janë treguar të pabesë e mizorë ndaj gjithë fqinjëve, madje edhe atyre sllavë…
Fjalia popullore, “Shkau nuk ka besë më sa qeni”, nuk është shpikja ime, por është e njohur nga të gjithë shqiptarët liridashës. Fakti pse e nxora këtë fjali nga trashëgimia popullore e Drenicës e më gjerë, ishte intervista e kryeministrit Edi Rama për “Dojçe Vele”. Këtë fjali në formë pak më të zbutur ia kishte thënë Fadil Hoxhës, e Rifat Berishës qysh në vitin 1944, plaku i mençur i Drenicës, Tahir Berisha” Shkijet nuk kanë besë, gjithë na kanë mashtrue e kanë me iu mashtrue edhe juve.
Tani ky mesazh vërejtjeje historike duhet t’ i adresohet kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin kemi respekt të gjithë në Kosovë, por pak kush pajtohet me fiksionin e tij për “Ballkanin e hapur”. Edi Ramën ende nuk e kanë befasuar serbët, andaj edhe iu beson, por shumë politikanë në Kosovë e kanë ngrënë këtë “sallatë serbe”, andaj nuk do ta provonin kurrë më. Ishte vetë, Enver Hoxha, i cili një kohë u kishte besuar serbëve, por më vonë ai iu përmbajt rigorozisht porosisë, “Shkau nuk ka besë më sa qeni”, prej vitit 1947 e deri në ditën kur vdiq, më 11 prill të vitit 1985.
Është bërë e ditur se në një intervistë për “Deutsche Welle”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se duke u bërë edhe Kosova pjesë e Ballkanit të Hapur, mes saj edhe Shqipërisë nuk do të ketë më kufij, kjo pa u ndeshur me kundërshtimin e Serbisë. “Serbia ka pranuar që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij. Gjë që ka qenë premtim i vazhdueshëm i të gjithëve dhe nuk është realizuar dot kurrë, sepse pikërisht sapo i shkonim afër asaj, na ngrihej e gjithë bota dhe thoshin Shqipëria e madhe dhe ka disa që nuk duan ta kuptojnë dhe thonë pse Serbisë do t’i marrim leje ne? Këtu nuk është çështja për të marrë leje. Këtu është çështja që ta bëjmë një gjë për të kuptuar që kjo gjë nuk bëhet dot, nëse Serbia vë alarmin që këta po bëjnë Shqipërinë e madhe”, tha Rama. “Ndërkohë Serbia është e gatshme që të pranojë në tryezë si të barabartë edhe Kosovën për të folur për çështjen e Ballkanit të hapur. Tani unë nuk e kuptoj dot se pse duhet refuzuar kjo mundësi dhe pse duhet të vuajnë njerëzit që e kanë të nevojshme në radhë të parë për arsye të punës së tyre, për arsye të biznesit të tyre, për arsye të lëvizjes së tyre Ballkanin e hapur, nuk e kuptoj dot”.
Nëse Edi Rama si diplomat i regjur që është, i di më mirë se unë këto porosi dhe me siguri di sa duhet për armiqësinë, e cila po zgjatë qe 13 shekuj me serbët, këtë do ta provojë e ardhmja. Çuditërisht këtë konstatim e kishte pranuar edhe kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner.
Në një rast të tillë, në cilësinë e diplomatit, Edi Ramës, i lejohet loja e tillë politike, por nëse ai vërtetë i beson Serbisë së Vuçiqit, Sheshelit e Daçiqit, kjo do kishte për të qenë një vetëvrasje politike, sepse në historinë e këtyre dy popujve, nuk ekziston as edhe një marrëveshje e vetme, që të jetë nënshkruar e të cilën nuk e ka prishur Serbia, që nga Mesjeta e Nemanjidve e deri te kjo Serbia e sotme, e cila në vazhdimësinë e saj historike i ka përgjakur të gjithë fqinjët, shqiptarët, kroatët, magjarët, bullgarët, myslimanët boshnjakë, hebrenjtë, turqit e të tjerë. Kjo është historia, e cila mund të lexohet e të mësohet kudo, qoftë edhe në një tekst të thjeshtë shkollor, të botuar në Serbi.
Nuk e them se ne të tjerët jemi sjellë si engjëj ndaj serbëve, sepse kjo nuk është e vërtetë, madje ka pasur raste kur jemi sjellë edhe mizorisht, me të njëjtin kut, por në dy shekujt e fundit, Serbia pati mbështetjen pa rezervë të Rusisë Cariste të Fuqive të Mëdha, Francës, Anglisë, Italisë, Gjermanisë e shteteve të tjera, të cilat e krijuan Serbinë shtet në rolin e “Xhandarit të Ballkanit”, deri në vitin 1999, kur ata u detyruan ta godasin nga ajri “krijesën” e tyre.
Si mund t i besohet “vullnetit” të mirë të Vuçiqit ndaj shqiptarëve e ndaj Kosovës veçanërisht kur po ky Vuçiq kërcënon me luftë, merr jo vetëm përkrahje por edhe armë nga Rusia, thotë se kurrë në jetën e tij ai, as Serbia, nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, kjo Serbi e cila me diplomacinë e vet ka arritur që më shumë se 10 shtete të botës ta tërheqin aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ka manipuluar dhe manipulon me qytetarët serbë të vendi tonë, të cilët, në një moment të caktuar mund t’ i përdor si “mish për top”.
Por Vuçiqi nuk është torllak sikur paraqitet nganjëherë, por është një dinak i rafinuar, i cili mendon se po ta ketë krah Edi Ramën, çështjen e Kosovës do zgjidh në raport me Tiranën, edhe pse kjo kurrë nuk mund të ndodh, këtë ta paktën e di Edi Rama më misë se kushdo tjetër.
Po ashtu Vuçiqi do të jetë përfituesi më i fortë në të ashtuquajturin, “Ballkan i hapur” sepse ka industrinë dhe ekonominë dhjetë herë më të zhvilluar se Shqipëria e të gjitha vendet e rajonit, sepse ëndrra e të gjithë ekspansionistëve serbë ka qenë e mbetet dalja në bregdetin e Adriatikut, në Durrës e në Shëngjin. Për të siguruar një dalje në det Serbia e Nikolla Pashiqit ka lënë mijëra kocka të ushtarëve të vet, në Shqipëri, të cilat kanë vrarë dhjetëra mijëra shqiptarë, të pafajshëm, në trojet e tyre.
Pse kryeministri i nderuar i Shqipërisë, Edi Rama, nuk kërkon nga këshilltarët e tij, të zbulojnë nëse ka ndodhur ndonjëherë ndonjë marrëveshje e suksesshme, dy palëshe shqiptaro-serbe, përveç atyre me Esad Pashën e Ahmet Zogun. Madje ku i fundit, edhe pse ia kishte premtuar Pashiqit, Vermoshin e Shën Naumin, pasi kishte marrë fronin në Tiranë, me ndihmën e ushtrisë së tij mercenare, nuk e kishte realizuar dot marrëveshjen.
Është në lajthitje të plotë kryeministri, Edi Rama, kur thotë se në rast se Kosova i bashkohet “Ballkanit të hapur” aty do të valëvitet edhe Flamuri i Kosovës, por nuk saktëson dot se cili flamur, ai që kemi ne në përdorim, apo ai i UNMIK-ut me fusnotën brenda. Mbase Rama nuk e di se ekziston edhe një flamur i tillë, nën të cilin një ministër i Albin Kurtit, një muaj më parë kishte nënshkruar një marrëveshje, në Serbi, dhe ishte ankuar e arsyetuar se atë flamur e kishin pranuar qeveritë e kaluara. Madje zonja Edita Tahiri, që po e sulmon aq shumë Ramën, me rastin e pranimit të fusnotës, kishte thënë se ajo është si një fjollë bore, që sakaq fshihet e tretet. Fusnota ishte dhe mbeti, sepse as bora dhe as dimri nuk e treti.
Kryeministri i Shqipërisë pa dyshim se ka një qëllim të mirë, qëllim pragmatik politik, të cilin e prezanton për hir të BE-së dhe Amerikës, dhe në këtë mes ai fiton poenë politikë. Rama, po ashtu e di fare mirë që Kosova nuk do ta bënte atë gabim. Andaj vepron në dy binarë, “edhe mishi të piqet edhe helli të mos digjet”. Në lojë të tillë me Serbinë Ramës do t i digjet edhe mishi edhe helli, por nuk besoj se do të ketë kurrë farë pasojash, pasi ky projekt është i destinuar të dështojë, madje realisht edhe ka dështuar, sepse në kushtet e dhe rrethanat e tanishme, vetë momenti nuk e favorizon. Popujve të Ballkanit do t’ iu duhen së paku 100 vjet për t’ i mbyllur plagët e varret e armiqësive të trashëguara nëpër shekujt nga Roma e Bizanti nga Turqia e sllavët e mesjetës, nga Italia e Gjermania nga Jugosllavia e Greqia…
Ballkani edhe shumë kohë do të mbetët i hapur si ndaj Rusisë ashtu edhe ndaj Evropës e Amerikës, dhe kjo është fatkeqësia e të gjithë popujve të rajonit.
Çuditërisht kështu kërkonte dikur, Ibrahim Rugova, një Kosovë të pavarur, të hapur si ndaj Shqipërisë, ashtu dhe ndaj Serbisë dhe në fund të blic fjalimeve të tilla, qeshte, duke dhënë të kuptohej se kur ai vetë nuk besonte në një mundësi të tillë, si mund t i bindte të tjerët ta besonin…
Ahmet Qeriqi
Prishtinë
- 11. 2021