Në një shkrim lidhur me përhapjen madje edhe mbijetesën e disa medieve e portaleve në Shqipëri e në Kosovë përmes pornografisë, analisti Fitim Zekthi, njohës i shkëlqyer i kësaj lëmie, ka vërejtur se kjo zezonë po përhapet me shpejtësi dhe është vënë në themel të degjenerimit të rinisë shkollore, ndërsa pushteti nuk reagon fare, as merr ndonjë masë.
Kjo gjendje e degjenerimit të rendit kapitalist është pa rrugëdalje, sepse kompanitë më të mëdha botërore të përfitimeve në themel të aktivitetit kanë reklamën pornografike, e cila është shtrirë në të gjitha fushat e jetës. Se deri ku ka vajtur kjo zezonë sodomiste njerëzore, dhe cili është çmimi i saj tregon më së miri fakti se aktorja dhe regjisorja e njohur amerikane, Angelina Joli, për disa sekonda të paraqitjeve erotike në një reklamë ka marrë më shumë se 1 milion dollarë.
Paraqitja lakuriqe dhe gjysmë lakuriqe e femrave në tërë botën kapitaliste është imazhi numër një që dominon shoqërinë jo vetëm vizualisht, në medie e në afishimin e reklamës pornografike, por edhe në përhapjen e idesë së konsumit të përgjithshëm më fitimprurës për botën e kapitalit, e cila po e çon në theqafje gjininë njerëzore me degjenerim, amoralitet, biseksualizëm lezbizëm dhe të gjitha format perverse sodomiste të kësaj pjese degjenerike dhe të pamoralshme të shoqërisë njerëzore.
Porno-seksizmi në mediet dhe portalet shqiptare tashmë ka përfshirë më shumë se 90 për qind të tyre, në radhë të parë si burim pasurimi, burim klikimi, burim mbi të cilën përfitohet më lehtë, burim i degjenerimit të familjes, madje edhe i fëmijëve e nxënëseve të klasave të para të shkollave tona.
Duke shkruar për këtë fenomen Fitim Zekthi shkruan:
Në zyra vishen si në konkurse bukurie. Studentët në shkolla janë në garë për minifundin më të shkurtër, dekoltenë më të hapur, pantallonat më të ngushta. Gjimnazet edhe më keq. Shkollat 9-vjeçare janë një tmerr i vërtetë. Edhe fëmijët e klasës së parë në festën e abetares vishen me fustane nuseje, me vello. Televizionet e kanë kthyer seksualizimin e fëmijëve në normë. Ka festivale ku fëmijët vishen si gra të rritura, me fustane modelesh, me grim ku shkëlqejnë faqet dhe vetullat. Seksi në të vërtetë i përkufizon sot të gjitha televizionet në Shqipëri në gjithçka, deri edhe tek paraqitja e motit ose dhënia e lajmeve. Televizioni Publik Shqiptar, një ent jo vetëm mediokër, e shtyu gjithçka edhe shumë më larg.
Dhe kur dikush merr në mbrojtje veshjen tradicionale shqiptare, veshjen e shamisë dhe mbulimin e gjymtyrëve të trupit, një kor zagarësh pervers e drejtues porno e jugo mediesh, turren për ta dënuar e ndëshkuar këtë veshje duke e etiketuar se veshje islamiste, si krim për shoqërinë shqiptare, edhe pse të gjithë e dinë se mënyra e veshjes e mashkullit apo e femrës është zgjedhje individuale dhe përzierja në këtë mes, është shkelje e të drejtave të njeriut.
Në një debat shoqëror lidhur me këtë temë më ka rënë të dëgjoj konstatimin e një 70-vjeçari që ka ikur në kohë së luftës nga Kosova dhe familja i jetojnë në Amerikë, i cili në pyetjen se a është më mirë fëmija të vishet gjysmë lakuriq me kërthizën jashtë e mos mbulimin e gjoksit, apo të mbulojë trupin por jo edhe fytyrën kishte thënë pa rezervë: më mirë qoftë edhe lakuriq fare, sesa me shami e veshje myslimane.
Duke folur për këtë fenomen sodomist, analistja, Saranda Shala ka shkruar:
Mjetet e komunikimit, si shtypi, radio, televizioni, internet etj. kanë ndryshuar me kalimin e viteve duke sjellë progres në kulturën dhe shoqërinë tonë. Për të tërhequr opinionin, gjithmonë në modë ka qenë zhveshja, por që “cullkhanja” (lakuriqësia), duhet të shprehet dhe në dhënie lajmesh ishte vërtet një befasi për opinionin mbarëshqiptar.
Një lloj kombinimi i komunikimit verbal dhe joverbal kemi pas rastin të shohim kohëve të fundit te moderatoret e një televizioni shqiptar, ku të folurit transmetohet tetëdhjetë për qind nga ana e emocioneve, përmes gjuhës objektive, shprehësit e ndjenjave, apo dhe shenjave. Dhënia e lajmeve përmes “kërthizës dhe pa sytjene ku zbulohen gjinjtë”, tregon që tek transmetuesit ka rënie në shikueshmërinë e lajmeve dhe kredibiliteti i tyre ka humbur efektivitetin e tij. Rëndësi më nuk paraqet cilësia e lajmit, por lakuriqësia e lajmit. Shikuar në një prizëm tjetër më të thellë, veshja jep dhe informacione të tjera për pamjen. Veshja po ashtu zbulon diçka më shumë rreth emocioneve, sjelljeve dhe diferencimit tonë. Ky efekt ka dy anë: se si ndjenjat tona ndikohen dhe se çfarë ndiejmë nga veshja jonë. Një stil i veshjes së moderatorëve është i lirë apo i detyruar. Kjo përveç që i vë në siklet ato, ndikon dhe në rehatin emocionale shpirtërore të individit. Gjendja ekonomike dhe konkurrenca, çfarë nuk i shtynë njerëzit të bëjnë për t’i kënaqur sytë e shikuesit.
Mungesa e guximit për ta thënë të vërtetën, varësia nga politika apo klani që financon, një medium të caktuar që gjithnjë quhet i pavarur, mungesa e shprehur e dijes, arsimimit, përvojës, mungesa e moralit dhe e edukatës në familje e njerëzve të tillë ka krijuar një tip gazetarësh, redaktorësh, udhëheqësish të medieve, të cilët jo vetëm që nuk çajnë kokën për moralin publik, por kanë pretendime që atë moral bazë të familjes e shoqërisë njerëzore ta degjenerojnë sa më shumë dhe të përfitojnë mbi të, qoftë edhe mbi të afërmit e tyre, të cilët zakonisht zënë punë në mediet që ata i drejtojnë.
Po të bëjmë një krahasim me pasqyrën vizuele të medieve dikur dhe tani, shohim se pjesa dërrmuese e medieve, kanë rrëshqitur në pornografi dhe disa prej tyre, sidomos disa portale bëjnë garë për sa më shumë lakuriqësi. Është për keqardhje që disa medie, të cilat deri vonë kanë ruajtur pavarësisë dhe moralin publik, tanimë edhe ato mbushin faqet me pornografi, me lajme për jetën e prostitutave, të disa këngëtareve dhe modeleve që pozojnë perversitete, me lajme për jetën e tyre private, martesat, ndarjet, tradhtitë, madhe duke pretenduar të bëjnë lajme me veshjet e tyre të jashtme e të brendshme dhe me plot horllëqe, banalitete e vullgaritete perverse.
Drejtuesit e medie të tilla arsyetohen se faqet porno iu sjellin më shumë klikime portaleve e medieve dhe tekefundit ky qenka trend i tërë botës dhe nuk ka pse shqiptarët të mos e pranojnë, përderisa e pranojnë amerikanët, francezët, italianët e të tjerë. Disa drejtues mediesh e sajues portalesh, pornografinë e arsyetojnë edhe si kundërvënie fesë islame, e cila nuk lejon perversitete dhe e cila konsiderohet si fe e prapambetur, të cilën nuk e honeps bota perëndimore.
Në mesin e medieve që nuk e praktikojnë pornografinë, kanë mbetur vetëm disa mediume, të cilat kanë bërë emër dhe kanë një histori të gjatë të konceptit profesional, njerëzor, human e kombëtar, qoftë edhe ideologjik dhe që nuk pranojnë të merren me këtë degjenerim sodomist njerëzor.