leoni

Në Ratkoc u përkujtua dëshmori Lulzim Shaip Hoti

Në Ratkoc të komunës së Rahovecit u përkujtua dëshmori i kombit Lulzim Shaip Hoti, në këtë përkujtim ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, i cili në fjalën e tij ndër të tjera tha: Luli ishte njëri nga ne. Që në vitet e hershme të rinisë u shqua për shpirtin kryengritës dhe dukej se asnjëherë nuk do të pajtohej me fatin tragjik të popullit të tij. Lindi e u rrit në një familje bujare, punëtore e të përkushtuar, cilësi që i trashëgoi edhe ai vetë. Në moshën e rinisë ju ra në sy të këqinjve të pushtetit komunist dhe nuk u lejua që ta vazhdojë shkollimin. Ju rrek punëve të shtëpisë dhe mirëqenies së familjes. Duke qenë i ndershëm e punëtorë, nuk hezitoi që t’ju bashkohet shokëve të ilegales në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, duke bërë thirrje për luftë të armatosur dhe duke u marrë me përgatitjet e kësaj lufte. Shtëpia e tij ishte bazë e sigurt dhe vend ku ruhej e sistemoheshin armët që vinin për zonat e luftës. Me daljen publike të UÇK-së në Drenoc, Luli me disa shokë nuk u hamendësuan dhe menjëherë u bashkuan me shokët në istikame. Ishte i gatshëm të pranonte çdo detyrë që i ngarkohej. Pikërisht këtë bëri edhe më 12 maj 1998, ditën kur forcat serbe po bëheshin gati të sulmonin bazën e UÇK-së në Drenoc. Tashmë një grup djemsh nga njësiti gueril i LKÇK-së ishte bashkuar me luftëtarët e lirisë në Drenoc dhe se ishin bashkuar potencialet ushtarake për të marshuar drejt lirisë. Luli ishte në vijën e parë të luftimeve atë ditë për të penguar zhbërjen e kësaj baze ushtarake. Forcat serbe vollën zjarr e hekur mbi trupat e njomë të djemve tanë në afërsi të Bërtatinit e Vrajakës, me ç’rast në fushë të nderit do të bie luftëtari Milaim Krasniqi nga Pastaseli dhe Elmi Morina nga Vrajaka. Plagë të rënda e të lehta do të marrin disa luftëtarë, ndër të cilët edhe Lulzim Hoti. Përballja me plagët e lirisë ishte e vështirë dhe Luli e familja e tij do të bëjnë gjithçka për ta shmangur më të keqen. Luli iu nënshtrua disa operacioneve të vështira në trupin e tij, por s’qe e thënë të mbijetojë. Plagët e marra më 12 maj 1998 i shkaktuan shumë shqetësime dhe në ditën e sotme të vitit 2005 Lulzim Hoti do të ndahet fizikisht nga ne. Do të hyjë në përjetësi dhe do t’ju bashkohet shokëve dëshmorëve; Jahës, Naserit, Visarit, Sahitit, Safetit e Visarit. Ne gjithmonë kemi qenë të bindur se Luli është njëri nga këta dëshmorë, ndonëse statusi i tij u përcaktua vetëm pas punës së komisionit shtetëror për përcaktimin e statusit të dëshmorit të atdheut. Jemi krenar që Luli ka marrë vendin e merituar në histori dhe ne do ta nderojmë e kujtojmë përherë për cilësitë dhe gatishmërinë e tij për t’u flijuar për lirinë. Obligimi ynë është i vazhdueshëm për sendërtimin e idealit të dëshmorëve dhe në këtë rrugëtim nuk do të ndalemi asnjëherë. Familjarëve dhe shokëve ju bëjmë thirrje që të mbahen dhe ta nderojnë e kujtojnë Lulin ashtu siç ishte; i ndershëm, punëtorë, i dashur e miqësor, i përkushtuar dhe i pajisur me vetitë më të larta morale dhe atdhetare. I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorin e kombit Lulzim Shaip Hoti!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të atdheut!

Mund të jetë një imazh i 12 persona, monument dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …