Sabit Gashi

Sabit Gashi: Kosova urgjentisht duhet ta ndërrojë politikën aktuale për të dalë nga kollapsi ku është futur

 Ka kohë që Kosova nuk merr pjesë në nisma rajonale, e as nëpër konferenca të rëndësishme, të cilat mbahen nëpër Botë, për shkak se ajo nuk ftohet nga askush dhe nuk merr asnjë lloj ndihme, përveç atyre humanitare me barëra, etj. duke u futur kështu në një izolim total në politikën e brendshme dhe atë të jashtme. Sidomos marrëdhëniet më të këqija janë shënuar me SHBA të dhe BE, që nga historiku i vendosjes së tyre e deri sot. Samiti i fundit për demokracinë në Amerikë, ku nuk u ftua Kosova, Serbia dhe Bosna, dëshmon se ndërtimi i demokracisë në këto vende len ende për të dëshiruar, nuk është në nivele të duhura. Kjo u dokumentua disa herë deri tani, pasi qeveritë aktuale po e udhëheqin një politikë populiste, konfliktuoze dhe në kundërshtim me politikat paqësore, të cilat po zhvillohen aktualisht në Botë, e me theks të veçantë me Ballkanin Perëndimorë, pjesë e së cilës është edhe Kosova. Retorika e  këtyre liderëve është kryesisht akuzuese, linçuese, e jo paqësore, çka e mban rajonin vazhdimisht nën tensione të luftës.  Që nga marrja e detyrës së kryeministrit Kurti, në politikën e brendshme dhe të jashtme, jo vetëm që kemi hapa në vend numëro, por edhe kthim mbrapa, për shkak të çasjeve të gabuara në drejtim të zgjidhjes së çështjeve madhore që i ka vendi, si dhe sulmet që po ia bën kjo qeveri institucioneve të pavarura të shtetit. 

  Pra kjo qeveri për shkak të së kaluarës së saj mohuese ndaj të gjitha proceseve të cilat e kishin bërë shtetin e Kosovës, e pati mbushur vendin me parullat: “jo negociata, vetëvendosje”, kishte mohuar pavarësinë e Kosovës, ishte deklaruar kundër flamurit “lara lara”, disa herë u mbush parlamenti me gaz lotsjellës, u shkatërruan pronat, duke i lënduar me dhjetëra policë të Kosovës dhe duke e mohuar çdo të arritur nga qeveritë e kaluara, paraardhëse të saj. Pastaj kishte bërë premtime të mëdha se do të bënte bashkimin kombëtar, do të ulte çmimet, nuk do të merrte pjesë në negociata me Serbinë, nuk do ta pranonte asociacionin me komuna serbe, e shumë premtime të tjera populiste, përmes të cilave arriti që të grumbullojë numër të madh të votave në zgjedhjet qendrore. Këto dhe të tjera, bënë që kjo qeveri aktuale e Kurtit ta ketë vështirë që të kthehet mbrapa për t’i pranuar rezultatet e arritura nga të gjitha qeveritë e kaluara së bashku me partnerët ndërkombëtarë, kështu që tani me ardhjen e saj në pushtet, po mundohet që të devijojë rrugën e zgjidhjes së problemeve, duke tentuar që të krijojë një rrymë të ashtuquajtur “Albinizëm” dhe të bëjë gjithçka ndryshe nga qeveritë e kaluara.

Mirëpo të bësh diçka ndryshe nuk është e lehtë, sepse nëse del nga një rrugë e asfaltuar, të cilën ta kanë trasuar të tjerët, do të futesh llugave, ku mund ta thyesh qafën. Kjo qeveri aktualisht po e bën të njëjtën gjë, po mundohet që të ndryshojë rrjedhën e proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi, t’i mohojë të arriturat e deri tashme dhe për çdo dështim të vetin, t’i fajësojë qeveritë e kaluara. Mirëpo këto procese janë më të komplikuara se sa duken në sipërfaqe, pasi është bërë punë e madhe e qeverive të mëparshme në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare për të arritur progres në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Prandaj dhe tendenca për të mohuar çdo arritje të kaluar, i ka irrituar ndërkombëtarët dhe vendorët, të cilët nuk duan që të gjitha të arriturat të shkatërrohen për shkak të kapriçove politike, por ato duan që vendet të ecin përpara drejt zhvillimit të demokracisë dhe prosperitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu në mes të qeverisë Kurti dhe organizmave ndërkombëtare dhe të opozitës ka filluar një luftë e ftohtë, por e ashpër, pasi udhëheqësit e qeverisë Kurti janë gjendur para një barriere të fortë, sidomos me faktorët ndërkombëtarë, të cilët janë bashkë çliruesit dhe bashkë shtet ndërtuesit e shtetit të Kosovës.

 

Bashkësia ndërkombëtare kishte menduar se Kosova pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku partia e Kurtit dhe ajo e Osmanit i fituan zgjedhjet me shumicë absolute, do të kenë fuqinë votuese për t’i votuar ligjet dhe marrëveshjet, të cilat janë vitale për vendin dhe rajonin dhe do t’i japin vendit një kthesë të mbarë. Mirëpo ato u zhgënjyen me refuzimet e pa logjikshme të kësaj qeverie, e cila në mënyrë të përgjithshme i refuzoi pothuajse të gjitha marrëveshjet edhe ato të nënshkruara ndërkombëtarisht, nën pretekstin se ato janë të dëmshme për vendin. Një refuzim të tillë ia bëri Marrëveshjes së Washingtonit, e cila ishte marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të bërë marrëveshje ekonomike, infrastrukturore, administrative, politike, etj. ku në fund të kësaj marrëveshje parashihet edhe pranimi i Kosovës nga Serbia. Kjo marrëveshje edhe pse u nënshkrua në prezencën e ish presidentit Trump, u përkrah në tërësi edhe nga administrata e presidentit Biden, i cili e kërkoi zbatimin e saj në tërësi. Pastaj u refuzua marrëveshja për gazin me MCC në, si dhe një varg marrëveshjesh të tjera të rëndësishme, të cilat janë vitale për Kosovën. Ajo që bie në sy më së shumti është edhe loja e kryeministrit Kurti, i cili po luan me karta të demagogjisë dhe të hipokrizisë, duke u munduar që të mashtrojë bashkësinë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë të mashtrojë edhe votuesit e tij.

E kemi dëgjuar disa herë të thotë: “Nëse Amerika thotë se duhet të bëhet diçka, ne nuk pyesim se a bëhet, por si bëhet”? Derisa i thotë këto fjalë, ai jo vetëm që nuk i respekton këto marrëveshje, por prapë vazhdon me të tijën, duke i refuzuar marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare dhe duke i ikur obligimeve që dalin prej tyre. Pastaj ngritjen e çmimeve dhe inflacionin, mundohet që ta mbulojë me gënjeshtra se gjoja vendi ka rritje të madhe ekonomike dhe eksport të madh nën udhëheqjen e tij dhe gjithçka është në rregull, duke u munduar që të fshehë faktet se vendi ka rritje enorme të importit nga Serbia dhe rritja e çmimeve e ka rritur inflacionin në qiell. Në fakt çmimet dhe inflacioni kanë marr një hov të madh e me hapa galopant sa popullatën e kanë sjellë në buzë të mbijetesës, pasi nuk ka pasur rritje të rrogave qysh nga koha kur Hashim Thaçi kishte qenë kryeministër, kurse çmimet u rritën mbi 500%. Këtyre dështimeve të njëpasnjëshme po u përgjigjet kinse po bën qeverisje të mirë, pa e menduar se njerëzit tashmë po i shohin hapur të gjitha këto dështime dhe janë irrituar në masë të madhe nga kjo udhëheqje e dobët dhe nga hipokrizia e treguar nga kryeministri Kurti, e që kjo u reflektua me rënien e votave të kësaj partie në zgjedhjet e fundit lokale. 

  Por ndër gabimet që cilësohen si më të rëndësishme është edhe ajo e mospranimit të nismës rajonale Ballkani i Hapur, e cila fillimisht u formua me procesin e Berlinit, ku kërkohet që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do t’i heqin të gjitha pengesat doganore, të aplikohen katër liritë themelore, të krijojnë një treg të përbashkët dhe të harmonizojnë politikat administrative, për të bërë një para pregaditje për t’u futur së bashku në BE. Përveç që nuk e pranoi këtë nismë, Kurti e quajti atë me orientim nga Moska dhe Kina, duke u munduar që të krijojë konfuzitet te populli, për ta arsyetuar mospraninë e tij në këtë nismë, e cila i hap rrugë Kosovës për të dalë nga ky kollaps ku është futur vendi aktualisht. Kjo deklaratë e tij dhe shumë gabime të tjera, bënë që Kurti të largohet sa më shumë me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, në vend që të përafrohet dhe të përmbush premtimet e tij për bashkim kombëtar.

Të gjitha këto përfshiheshin me marrëveshjen e Washingtonit, të cilën Qeveria Kurti e refuzoi në tërësi, përveç njohjes nga Izraeli. Ky refuzim ishte grushti më i fortë që iu dha një marrëveshjeje paqësore, e cila pretendon që të zgjidhë problemet në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkanin Perëndimor, me arritjen e të cilës do të jenë të gjithë shqiptarët në një Union të përbashkët. Prandaj dhe filloi një luftë e ftohtë në mes të Qeverisë Kurti dhe faktorit Ndërkombëtar, me theks të veçantë SHBA ve. Ata nuk i ftuan as Kurtin e as Osmanin nëpër konferenca ndërkombëtare, të cilat u mbajtën më parë. Po ashtu disa herë shkoi Osmani në Amerikë, por nuk u prit nga ndonjë udhëheqës i lartë i administratës Biden, por sillet nëpër shoqata e klube të shqiptarëve, për të dhënë një përshtypje para popullit të Kosovës se gjoja po shkon atje për të takuar struktura të larta të shtetit amerikan. Refuzimet e të gjitha marrëveshjeve dhe nismave rajonale nga Qeveria Kurti, bëri që të mos kishte dërgim të ndihmave, përveç atyre humanitare, e për investime strategjike nuk flitet fare. Nuk pati ndonjë interesim bashkëpunimi me këtë qeveri, duke u ftohur marrëdhëniet në tërësi, gati në pikën zero.

Në anën tjetër SHBA të dhe BE, i japin përkrahje të pa rezervë kryeministrit Rama, i cili në bashkëpunim me ndërkombëtarët, po bën hapa të mëdhenj të zhvillimit në Shqipëri, duke bërë investime enorme në aeroporte, hekurudha e porte detare, të cilët po bëhen nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në Ballkan. Po ashtu një rëndësi të madhe po i jepet zhvillimit të turizmit, çka kjo e bën vend i cili po bën hapa të mëdha të zhvillimit ekonomik, infrastrukturor dhe kulturor. Prandaj bashkësia ndërkombëtare ia ka bërë të ditur Kurtit se nuk do ta kontaktojnë atë drejtpërdrejtë, por rruga e kontaktit me SHBA të për Kurtin kalon përmes Shqipërisë, konkretisht përmes kryeministrit Edi Rama, i cili ishte zgjedhur në procesin e Berlinit udhëheqës për të çuar përpara proceset e Minishengenit Ballkanik, apo Ballkani i Hapur siç u emërtua më vonë. Kështu Qeveria Kurti u mbyll në vetvete, pa pasur mundësi manovrimi. Neglizhenca ndaj pandemisë pati pasoja të mëdha, pasi numri i vdekjeve në Kosovë i arriti të gjitha rekordet, ku si rezultat vdiqën me mijëra kosovarë, prej të cilëve edhe shumë të rinj. Ngritja e çmimeve karshi pagave të ulëta, bëri që inflacioni të ngrihet me hapa galopant, ndërsa pakënaqësia ka arritur pothuajse në kufijtë e pa durueshëm. Një faktor tjetër i cili e solli këtë qeveri përpara kollapsit, ishte mungesa intelektuale e kësaj qeverie për të udhëhequr me shtetin, pasi në mënyrë amatore u sulmuan bordet dhe organet e pavarura, si në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore kur në emër të komunizmit shkatërronin çdo gjë që u dilte përpara, vetëm pse nuk ishin pjesë e partisë së tyre. U shkarkuan të gjitha bordet e pavarura dhe ato u zëvendësuan me militantë partiakë të vetë. Kështu erdhën edhe reagimet nga BE dhe SHBA të për sulme të kësaj qeverie ndaj demokracisë në Kosovë, e cila ishte dëmtuar rëndë nga mosdija e tyre për ta udhëhequr shtetin dhe kundërshtimet që po u bëjnë të gjitha proceseve përparimtare në rajon.

 Shtrohet pyetja se pse SHBA të dhe BE e duan Ballkanin e Hapur?

  Kjo është një mundësi e mirë për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që t’i largojnë tensionet e luftës dhe të bëjnë paqe të përhershme, për të shikuar drejt përparimit dhe prosperitetit, pasi me bashkëngjitjen e Kosovës në Ballkanin e Hapur, ku do të futen të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor me të drejta të barabarta, Kosova do të lidhë marrëveshje kontraktuale me të gjitha këto shtete, e që nënkuptohet edhe me Serbinë. Kështu Serbia de facto do ta pranojë Kosovën, duke i pranuar të gjitha marrëveshjet e lidhura në Ballkanin e Hapur. Heqja e tensioneve të luftës dhe e doganave do të krijojë ambient të favorshëm për investitorët e huaj si dhe mërgimtarët që operojnë aktualisht në tërë Botën me bizneset e tyre, pasi kushti kryesor për të pasur investime vendi, duhet që të ketë qetësi dhe infrastrukturë ligjore, rrugore, hekurudhore, ajrore, etj. Mirëpo ata që duan të investojnë në vend, nuk iu konvenon që të ketë burokraci doganore, siç po i shohim aktualisht nëpër kufijt e Ballkanit Perëndimor, ku po shohim radhë të gjata të kamionëve dhe makinave, të cilët presin me orë, apo edhe me ditë të tëra për të kaluar doganat. Mos eliminimi i pengesave doganore e bën vendin jo atraktivë për investime dhe i largon të gjithë investitorët seriozë që duan të investojnë në vendin tonë. Pastaj heqja e doganave do të stimulojë prodhimin vendor dhe vendi do të rrisë GDP në e vendit, çka e shëndrron Kosovën nga një vend pasiv, i cili jeton nga doganat, në një shtet aktiv, i cili do të jetojë nga prodhimi. Eliminimi i pengesave doganore do të bëjë që shqiptarët të integrohen në një union brenda për brenda kombit, duke u lidhur fort me marrëdhënie ekonomike, politike, kulturore etj. si dhe largimin e Kosovës nga ndikimi ekonomik i Serbisë, e cila aktualisht është mjaft e influencuar prej saj.

Me eliminimin e pengesave doganore populli do të ketë një jetë të qetë dhe do të hapen perspektiva të punësimit, si dhe do të marrin paga të dinjitetshme, kurse çmimet do t’i kenë shumë më të lira se sa që janë aktualisht. Kjo do t’ia kthen shpresat rinisë për të jetuar në vend dhe për t’iu larguar rrugës së mërgimit, pasi me ardhjen e investitorëve do të rritet kërkesa për punëtorë dhe do të rriten të ardhurat, të cilat do të jenë të përafërta me ato të vendeve të BE.  Rëndësinë  e Ballkanit të Hapur e ka kuptuar mjaft mirë Shqipëria, konkretisht kryeministri Edi Rama, i cili po e bën një punë të madhe në ngritjen e infrastrukturës komunikative dhe ligjore në Shqipëri, e cila do të shfrytëzohet nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe të gjitha pjesët e tjera të Evropës, ku Shqipëria dhe Kosova do të kenë përfitime të mëdha, pasi Shqipëria aktualisht po i ndërton tre porte detare ndër më të mëdhatë në Ballkan, tre aeroporte, disa autostrada, si dhe rrjetin hekurudhor modern për transport të njerëzve dhe të mallrave, i cili po e lidh me të gjitha shtetet fqinje.

  Këto dhe shumë elemente të tjera, janë tregues se qeveria Kurti e ka sjellë vendin para kolapsit dhe rrezikon që ta falimentojë shtetin. Është nevoja urgjente që kjo qeveri të ndryshojë kursin e veprimit, t’i bashkërendojë punët me faktorin ndërkombëtar, e në radhë të parë me SHBA të, të cilat janë arkitekti i çlirimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, si dhe përkrahës i madh i kombit shqiptar. Po ashtu është tejet e rëndësishme që kjo qeveri të përafrohet me qeverinë shqiptare në Tiranë, t’i bashkërendojë të gjitha punët dhe t’i rrijë te këmbët kryeministrit Edi Rama, i cili po e jep një kontribut të rëndësishëm në çuarjen përpara të çështjes shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe përafrimin me BE në. Kjo për faktin se me procesin e Berlinit dhe me marrëveshjen e Washingtonit parashihet që edhe Kosova, ashtu si edhe pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet që t’i heqin të gjitha pengesat doganore, të harmonizojnë ligjet administrative dhe të krijojnë mundësitë për aplikimin e katër lirive themelore, liri këto që aplikohen si në SHBA të, ashtu edhe në BE. Kjo qeveri duhet që ta ketë të qartë se përfituesit më të mëdhenj të kësaj nisme janë shqiptarët, të cilët i kanë të gjitha parakushtet për të dominuar në fushat ekonomike, politike dhe kulturore, për shkak të pozitës strategjike, si dhe popullatës, e cila dallohet për një vitalitet të madh, e që kjo e bën kombin shqiptar ndër kombet më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor. Duke i hequr pengesat doganore i jepet mundësia shqiptarëve që të integrohen më shumë brenda kombit, sidomos Kosova do të ketë mundësinë që të largohet nga ndikimi ekonomik i Serbisë, e cila aktualisht e dominon ekonominë e Kosovës dhe do t’i bashkëngjitet ekonomisë shqiptare.

  Sa më herët që i kuptojnë këto zhvillime udhëheqja e Kosovës, aq më mirë do të jetë për të ardhmen e saj dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, që të dilet nga politika e mbylljes totale dhe të shkohet drejt zhvillimit e prosperitetit, ku populli shqiptar po e zë një vend të rëndësishëm dhe udhëheqës në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.  

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …