Përpjekjet e një stafi publicistësh, puçistë, mjerisht edhe i disa krijuesve e intelektualëve të njohur, për të shkapurisur personalitetet më meritore të kombit, përpjekje të cilat veçanërisht bëhen nga disa matrapazë të letrave në Shqipëri, por edhe kudo në trevat shqiptare, nuk janë më temë që tërheqë gjithaq vëmendjen, sepse tanimë jemi mësuar dhe jemi imunizuar me këtë të keqe.
Vese të tilla të sëmura, të motivuara nga smira dhe xhelozia në letrat tona i ka stisur sidomos Faik Konica, në kohën e tij, i cili njihet për qëndrimet kontroverse, për etiketime e fyerje që i kishte drejtuar edhe Naimit të Madh, Fan Nolit, luftëtarit me nam të Shqipërisë, Çerçiz Topulli, pale edhe sa e sa të tjerëve. Faiku kishte vesin e keq të ujkut tek, dhe të shqiptarit lindor, ves të cilin e ka spikatur, në mënyrë fenomenale mendimtari i madh shqiptar, Kristë Maloku. Faiku, para dite urrente të gjithë, pas dite edhe veten.
Ky ves i lig i Faik Konicës, u mboll me kohë dhe në vitet pas vdekjes së tij, pati mjaft të tillë që e pasuan, sidomos për të etiketuar personalitetet me rëndësi të kombit. Në këtë gjuajtje shtrigash kanë marrë dhe marrin pjesë një taraf gazetarësh si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
U fillua duke hedhur baltë mbi Enver Hoxhën, dhe tërë atë që ishte ndërtuar për 50-vjet, nga ata që e kishin glorifikuar dhe kishin ndërtuar kultin e tij. Fushata kundër personaliteteve meritore të kombit nuk po pranë, sepse ata që e konsiderojnë veten të gjithë ditur, pretendojnë të shkojnë ca më tutje, me qëllim për të na bindur se ata i ditkan të gjitha.
Pas një studimi, antishkencor dhe pervers të sllavistit austriak, Shmidt, i cili shkalloi deri në nivelin sa heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e etiketonte si tregtar kuajsh, pasuan shkrime përçmuese e mohuese kundër Ali Pashë Tepelenës, madje edhe kundër Ismail Qemalit, kundër Migjenit, Fishtës e sa e sa të tjerëve.
Ndërsa për ironi të fatit të kombit, sllavisti Shimdt është shpallur anëtar nderi i asaj të quhet Akademi e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila po bën gjumin historik, duke marrë rroga të majme nga Buxheti i Kosovës, vetëm sepse i kanë njohur njëri tjetrit “nderin” e akademikut.
Në një shkrim të Nasho Jorgaqit lidhur me “bashkëpunimin” e Fishtës me fashizmin italian, i botuar në gazetën DITA, analisti kontrovers, njëfarë Mustafa Nano shprehet se ”Nuk të lë indiferent përmbajtja e kësaj letre të shkruar në vitin 1939. Në të, përveçse del në pah një marrëdhënie e ngrohtë e konfidenciale e poetit të madh shqiptar me një hierark fashist, flitet edhe për “rrugën e drejtë që duhet të ndjekin qeveria e populli italian për të ngritur nga mizerja shumëshekullore popullin e mjerë shqiptar”. Por nga ana tjetër kjo letër nuk të befason, gjithashtu. Kjo letër flet më pak se sa ndonjë letër tjetër që ai i ka dërguar Mussolinit e më pak se sa ndonjë gjest i tiji, siç është ai i anëtarësimit në Akademinë Italiane të kohëve të fashizmit. Unë jam dakord me Jorgaqin e të tjerë që i japin rëndësi këtij momenti në jetën e Gjergj Fishtës. Duke i kritikuar figurat tona me peshë kombëtare, ne mbajmë dashje pa dashje edhe një qëndrim të caktuar etik, me të cilin edukohen brezat e rinj. Këta të fundit duhet ta dinë se Fishta ka gabuar. Ashtu si duhet ta dinë edhe se ku kanë gabuar të tjerët. Ja si rezonin ky skrib, për të cilin nuk ka asgjë të shenjtë, asgjë meritore, asgjë kombëtare, e cila nuk mund të përbuzet. Kjo është deviza e këtyre matrapazëve të letrave sot. Unë habitem sidomos me Nasho Jorgaqin, i cili po ashtu është në shënjestër të sulmeve të ulëta, po nga ambigjenët e publicistikës shqiptare, një palë syresh edhe pa moral njerëzor.
Cila qenka e keqja e bashkëpunimit të Gjergj Fishtës me fashistët italianë?
Që Italia fashiste e kishte okupuar Shqipërinë në prill të vitit 1939, pa e pyetur Fishtën dhe asnjë shqiptar tjetër dhe pa një kundërvënie meritore të kombit, fajin nuk e ka Fishta as intelektualët e kohës së tij. Italia në Shqipëri ishte instaluar shumë kohë para pushtimit, në kohën e Zogut, i cili gradualisht ia kishte hapur të gjitha dyert e për vete, me familjen, hyzmeqarët, dhe kur u ndodh ngushtë, bashkë me arkën e Shtetit ia kishte mbathur për në Greqi, duke harruar se kishte thënë se në rast se sulmohet Shqipëria do të mbatrhte opingat e do t i qepej maleve…
Çka duhej të bënte Fishta, shtrohet pyetje, kur Italia, Gjermania e Japonia ishte boshti ushtarak, ishin tri forcat më të mëdha, që kishin sfiduar tërë botën?. Në një situatë të tillë, pa bërë ndonjë dallim ideologjik, Fishta dhe jo vetëm ai, dashur pa dashur do të pranonte mënyrën e mbijetesës së shqiptarëve, sepse nuk ishte komunist me bindje, dhe për këtë nuk mund ta akuzojmë. Ai kishte vdekur në vitin 1940 dhe në atë kohë nuk mund të flitej për një Lëvizje të fuqishme të Rezistencës kundër Italisë. Jo vetëm Fishta e ka menduar se vetëm një forcë e madhe botërore mund ta ruante Shqipërinë e katandisur si është më keq nga shtetet e krishtera të Evropës, sesa nga Turqia me të cilën kishte “bashkëjetuar” më shumë se 500 vjet. Në konferencën e Paqes në Paris, më 1919, ai kishte shkruar:
“Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mundi të dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombëtare ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.
Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vitin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqind mijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnji send për së mbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.
Këto konstatime historike dhe antologjike të Fishtës, japin për të kuptuar se sa thellë ishte pezmatuar në atë që quhej “qytetërim evropian” i kohës. Fishta ishte i vetëdijshëm se vetëm një forcë e madhe botërore, e cila do të kishte mirëkuptim për shqiptarët mund t’i ndihmonte ata.