Ahmet Qeriqi: Gjergj Fishta kishte mbështetur fuqishëm interesin e shqiptarëve në kohën e rrezikut të shpërbërjes II

Po të analizojmë me fakte e argumente rrethanat që mbretëronin në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit, do të shohin se fashizmi italian ishte shumë më i qytetëruar dhe më mik i shqiptarëve sesa fashizmi sllav, serb, bullgar e grek.

Italia kishte okupuar Shqipërinë në prill të vitit 1939, por pa u derdhur shumë gjak, ndërsa në vitin 1941 kishte çliruar viset shqiptare të Kosovës e Maqedonisë, të cilat kishin jetuar nën një regjim shumë më fashist dhe shfaronjës, sikur ishte Mbretëria  despotike serbe,  e cila kishte synim strategjik shpërbërjen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë në tërësi.

Italia fashiste dhe forcat italo-shqiptare në trojet, deri atëherë të pushtuara të Shqipërisë, hapi shkollat e para kombëtare  në gjuhën shqipe, instaloi administratën shqip, qarkullimin e lirë. U lejua përdorimi i Flamurit kombëtar. Ajo iu dha armë shqiptarëve për të mbrojnë viset e veta etnike, natyrisht, nën flamurin me sëpatën e Liktorit. Asnjë të drejtë elementare njerëzore as kombëtare nuk e kishin gëzuar shqiptarët nën regjimin Jugosllav i cili pasi kishte vrarë rreth 300.000 shqiptarë në vitet 1912-1918 dhe kishte dëbuar për në Turqi disa qindra mijëra të tjerë, kishte filluar ndëshkimin kolektiv të shqiptarëve, asimilimin duke hapur disa shkolla vetëm në gjuhën serbe, ku nxënësit shqiptarë e kishin të ndalura rigorozisht të bisedonin në gjuhën e tyre madje edhe me njëri-tjetrin, derisa ishin në shkollë. Po qe se një shqiptari i zbulohej një libër shqip ai dënohej me burg deri në 20 vjet.

Cilat do të kishin qenë arsyet që shqiptarët e okupuar në Kosovës e troje të tjera, të rrëmbenin armët dhe ta mbaronin regjimin shfarues të Beogradit nga Italia e Gjermania?

Cili fashizëm ishte më i zi, ai që sollën italianët në trojet shqiptare, apo regjimi fashist jugosllav që  kishte kryer krimet më monstruoze kundër tërë një populli, prej vitit 1912  me pretendime për ta zhdukur gradualisht, duke e përndjekur për në Turqi, duke e asimiluar, duke e shfarosur në mënyrë graduale, duka ua marrë tokat shqiptarëve dhe duke ua bërë tapi kolonëve serbë.  

Fishta ishte i informuar me të gjitha mizoritë, me të cilat po ballafaqoheshin shqiptarët e mbetur nën regjimet monarko-fashiste të Ballkanit, andaj nga dy të këqijat ai zgjodhi të keqen më të vogël dhe koha ka treguar se ai nuk kishte gabuar.  Ishte hera e parë pas vitit 1912 kur shqiptari nga  Kosova, Plava e Gucia, nga Sanxhaku e Kumanova lëvizte i lirë deri në Labëri, Çamëri e gjithandej. Cilat masakra i ka kryer regjimi fashist italian në Kosovë kundër shqiptarëve?

Kosova ka vetëm 170 dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe shumicën prej tyre i kanë vrarë bandat partizane e çetnike serbe. Drenica i nuk ka dhënë asnjë dëshmorë kësaj lufte, ndërsa në luftë për t’u mbrojtur nga hordhitë partizane-çetnike kanë rënë dhjetëra mijëra, në Drenicë, Prishtinë, Gjilan, Tetovë, Kumanovë, Tivar dhe kudo në trojet etnike.

Ku krahasohen krimet e fashizmit italian me ato çetnike e partizane të Titos e Rankoviqit?. Prej vitit 1945 e deri në vitin 1951, OZN-a dhe më vonë UDB-ja ka vrarë me gjyq e pa gjyq jo më pak dhe 8.000 shqiptarë, 1200 prej tyre pjesëtarë të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare.

Vetëm prej vitit 1951, fillon një klimë më e zbutur politike ndaj shqiptarëve. Regjimi komunist i Jugosllavisë, duke u thirrur në parimet e lirisë, drejtësisë e barazisë, i bindur se shqiptarët nuk do të mund të shpërbëheshin as do të zhdukeshin me dhunë sikur kishte provuar me të gjitha metodat e mjetet  për 30 vjet ish Jugosllavia, u detyruan që shqiptarëve të iu njohin një autonomi kulturore, meqë e kishin anashkaluar Rezolutën e Bujanit të vitit 1944 dhe në gusht të vitit 1945 e kishin zhvlerësuar  në tërësi.

Gjergj Fisha nuk mund të akuzohet me asnjë fakt të qëndrueshëm për “bashkëpunimin”, sikur thuhet me fashizmin. Fakti se ai ishte shpallur anëtar i Akademisë Italiane, nuk do të thotë se atë Akademi i kishin themeluar fashistët, sepse nuk quhej Akademia Fashiste Italiane dhe i përkiste madje edhe sot i përket Shtetit të Italisë, Nuk është sikur Akademia e Kosovës që i takon vetëm një partie dhe bën gjumin e përjetshëm…

Po ashtu fshihet fakti se Fishta ka marrë një diplomë nderi  në vitin 1912, nga vetë Perandoria Osmane, Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke, në vitin 1912.

Pse fshihet nga opinioni konsiderata e lartë e Gjergj Fishtës për Hasan Riza Pashën, mbrojtësin e Shkodrës dhe të Shqipërisë nga  e po ashtu edhe e pashait për të.

Hasan Riza Pasha, vali e komandant i Shkodrës në periudhën 1911-13, megjithëse përfaqësues i Shtetit Osman, e çmoi shumë lart veprën e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”. Kështu që, propozoi që atij t’i akordohej medalja “Mearif” e Sulltanit,   që gjithsesi ishte një mirënjohje me shumë vlerë që deri më sot, pothuajse nuk është përmendur fare.

Një rast që shkëlqeu në madhështinë monumentale të Gjergj Fishtës, është koncepti i tij për tolerancën  fetare në mes të krishterëve  dhe myslimanëve, gjë të cilën e ka kultivuar me shumë se kushdo tjetër duke e shprehur qoftë në veprën e tij letrare, qoftë në shkrimet teorike e publicistike. Toleranca ndër fetare komunitetesh të ndryshme me pjesëtarët e një fisi, të një gjuhe, të një historie, të një etnopsikologjie e një kolosi si ai, po veçmas të Shkodrës, ka qenë e një rëndësie të madhe për krijimin e një atmosfere mirëkuptimi dhe ndër komunikimi të një rrethi më të gjerë qytetarësh.

Ishte propozimi i Hasan Riza Pashës, që Fishta ta përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Rasti i parë ka të bëjë në raportet që kanë ndërtuar në mes tyre dy autoritete të Shkodrës: autorit të veprës “Lahuta e Malcisë” dhe valiut e komandantit të Shkodrës në periudhën 1911-1913, Hasan Riza Pashës. Hasan Riza Pasha, i shkolluar në akademinë ushtarake të Stambollit dhe i specializuar në Gjermani, pas shumë vend shërbimeve, më 1911 vjen në Shkodër si vali dhe komandant i ushtrisë osmane. Ai, e simpatizonte mjaft lëvizjen kombëtare shqiptare, bisedonte me anëtarët e Komitetit Shqiptar, apo me anëtarët e klubit “Gjuha Shqipe” të Shkodrës. I çmonte shumë veprat e letërsisë shqiptare, sidomos ato me frymë patriotike, siç ishte poema “Lahuta e Malcisë”.

Hasan Riza Pasha kërkonte nga Stambolli  që shqiptarët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e një kombi, madje i nxiste ata për këto ndjenja. Në një moment, i propozoi Fishtës që të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Fishta e përpiloi tekstin dhe Pasha, Hasan Riza ia shpërbleu njëqind fish tue ia pague, secilën strofë me nga një lirë ari të  kohës së Turqisë.

Teksti i marshit:

Prej kah len e sa merr hana,

M’u çue shekulli kundra nesh,

Djem kreshnikë na ban nana,

Vetëm na iu dalim ndesh.

Të parët tanë burra çelikut

Bota mbarë sot i nderon

Ata i binin ndesh armikut

Si rrufeja kur veton…

Në rivarrimin e eshtrave të Hasan Riza Pashës, edhe pse  ishte mysliman, morën pjesë të gjithë shkodranët pa dallim feje, të krishterë e myslimanë. Në mes të tjerave fjalimin më elegant, më prekës, me ndjenja mirënjohje e me fjalë të zjarrta atdhetarie e mbajti At Gjergj Fishta. S’pyeti Shkodra a ishte mysliman apo i krishterë miku i Shqipërisë, strategu ushtarak osman, Hasan Riza Pasha.

Në vitin  1936, sipas propozimit të kryetarit të bashkisë, Zenel Prodanit, eshtrat e Hasan Riza Pashës, të vrarë  pabesisht  më 1913, u rivarrosën në varrezat e Komaneve. Me këtë rast, Gjergj Fishta tha: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli prej atyne që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baras  me heronjtë e kombit shqiptar”. Fishta e ka shkruar edhe epitafin për Hasan Riza Pashën që është i gdhendur në gurin e varrit. Në atë epitaf shkruan “Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive Osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer 1913 e vrau një dorë tradhtare, mizore. Mban këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme, ku  kje varrosë TRIMI”.

Ky fakt  flet për kredibilitetin që gëzonte si krijues, politikan dhe personalitet me rëndësi kombëtare e botërore.

Përveç kësaj Fishta ka marrë edhe këto mirënjohje e dekorata:

Kurorë Argjendi, nga Klubi “Gjuha shqipe” në Shkodrër, më 1911.

Dekorata Ritterkreuz, nga Mbretëria e Austrisë, 1912.

Penë floriri, nga qyteti i Beratit, 1913.

Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI, 1925.

Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan, 1929.

Dekorata Phoenix, nga Greqia, 1931.

Urdhrin “Nderi i Kombit” Shqipëri, 2002,

Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, në Kosovë.

Pretendimet për ta damkosur Gjergj Fishtën, sepse ai kishte pranuar idenë për krijimin e Shqipërisë Etnike, apo të Madhe, përmes Italisë së Musolinit e Kontit Çano, nuk u bëjnë nder pretenduesve, cilët do qofshin ata. Edhe sot Serbia e quan fashiste e terroriste NATO-n dhe Amerikën sepse ndihmuan popullin shqiptar të Kosovës të çlirohet nga robëria, gati njëshekullore serbe. Fati i popujve të vegjël gjithnjë ka qenë dhe po mbetet i nëpërkëmbur, andaj nuk duhet të ngutemi sot, për të mos rrëshqitur nesër. Fishta me veprën dhe jetën e tij ka dëshmuar kush ka qenë, ndërsa vepra e tij e dëshmon, e argumenton dhe e fakton  më së miri. Kokëfortësia për ta paraqitur si profashist, është tejet e zbehur, sepse vepra e tij, krijimtaria, zbulon më së miri shpirtin dhe devotshmërinë e tij për kombin e Atdheun.  Gjergj Fishta me jetën dhe krijimtarinë e tij është i përsëritshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …