Zgjedhjet në Kosovë

RKL: Fituesin e zgjedhjeve vendore në Kosovë, nuk e përcakton fitorja e akëcilit kandidat në balotazh, por numri i votuesve në nivel të vendit

Zgjedhjet për balotazh që do të mbahen më 14 nëntor, ose sikur thuhet radha e dytë e zgjedhjeve nuk sjellin vota më shumë në nivel të vendit, por përcaktojnë fituesit për kryetarët në disa komuna të vendit, të cilët nuk i morën votat e mjaftueshme në radhën e parë të zgjedhjeve, më 17 tetor.

Parashikimet dhe pretendimet e disa analistëve se Vetëvendosja do ta përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të 17 tetorit janë dëshira,  synime, lutje, por asgjë më shumë, sepse tani vota riciklohet për të parin e komunës dhe jo për asamblistët, të cilët kanë fituar ulëset e tyre nëpër komuna në radhën e parë.

Nuk e përcakton dot fitoren gara në Prishtinë , as në Prizren, ku Vetëvendosja pretendon të fitojë, sepse edhe në rast të fitores dallimi në numrin e votuesve është kurdoherë i ngushtë dhe ndikon krejt pak në numrin e përgjithshëm të votuesve.

Ekzaltimi parazgjedhor i Albin Kurtit, për të fituar kryeqytetin dhe pretendimi se ai që e fiton kryeqytetin është edhe fituesi i zgjedhjeve, është vetëm dëshirë por kurrsesi realitet. Askund në botë, ku mbizotëron sistemi pluralist në zgjedhje, fituesin nuk e përcakton kryeqyteti dhe Kosova nuk mund të jetë përjashtim. Është numri fiktiv i votuesve për dy nga kandidatët,  në balotazh, që përcakton fituesin qoftë edhe me një votë më shumë, pavarësisht se është i drejtë apo i padrejtë ky ligj zgjedhor. Kjo është loja politike e demokracisë dhe vlen për të gjithë, andaj nuk ka pardon.

Fitues i zgjedhjeve vendore në nivel vendi është Lidhja Demokratike e Kosovës, e pasuar nga Vetëvendosja dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Në asambletë komunale në nivel vendi, e para është LDK-ja, e dyta PDK-ja, e treta Vetëvendosja, e katërta AAK-ja, pastaj Lista serbe e kështu me radhë.  Ky rezultat nuk mund të përmbyset, sepse ai është konfirmuar.

Të ndodhur në pritje, por të pashpresë, disa nga militantët e Vetëvendosjes  kanë ndezur “turbinat e vuvuzelet”, disa të tjerë arsyetojnë se fitorja në zgjedhjet e përgjithshme është fitore kryesore, sepse Albin Kurtin votuesit e paskan zgjedhur për ta udhëhequr Kosovën e jo komunat. Kështu, ‘logjikon” një profesor Universiteti, i cili madje  konsideron se nuk do të ishte mirë një angazhim i shtuar në fushatën lokale të Albin Kurtit. Është e njohur tashmë fabula e dhelprës e cila nuk e arrinte dot rrushin dhe arsyetonte se është i papjekur.

Rënia fatale e Vetëvendosjes nga rreth 400 mijë vota sa kishte fituar në zgjedhjet e 12 shkurtit ( bashkë me ato të “pajës” që mori me vete Vjosa Osmani nga LDK-ja dhe ia dhuroi Albinit), në 168 mijë në  zgjedhjet vendore, flet më shumë se të gjitha matematikat politike të analistëve, sepse kemi të bëjmë me fakte e jo me dëshira e synime.  Nuk thuhet kot se “shpresa vdes e fundit”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

Behxhet Sh. Shala-Bajgora: Vetëvendosja, nuk do të arrijë më shumë se 30% të votave në zgjedhjet e ardhshme

Analisti dhe veprimtari, Behxhet Sh. Shala-Bajgora ofron një analizë të ashpër dhe kritike mbi gjendjen …