leoni

Avokati

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka mbajtur takimin e 271-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj

 Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 271-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës. Në fillim të këtij takimi, Këshilli morri vendim për fillimin e procesit të asgjësimit të regjistrave dhe lëndëve gjyqësore në gjykata, të cilat kanë arritur kohën për asgjësim sipas listës me afate të ruajtjes së dokumenteve arkivore. Anëtarët e Këshillit, shqyrtuan kërkesat e gjyqtarëve të Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me funksionalizimin e këtij departamenti, me ç’rast u autorizua Sekretariati i KGJK-së që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e rregullores për rekrutimin, caktimin e stafit në Departamentin Special në Kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit.

 

Këshilli aprovoi shpalljen e konkursit për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Leposaviq dhe dega në Zubin Potok. Po ashtu, Këshilli caktoi anëtarët e Komisioneve Vlerësuese për Intervistim, Vlerësim dhe Rekomandimin e kandidatëve për pozitën gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Mitrovicë, dega në Leposaviq dhe dega në Zubin Potok.

Me propozim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Këshilli caktoi nënkryetarin e kësaj gjykate, gjyqtarin Bekim Veliqi, mandati i të cilit është pesë (5) vjeçar dhe do të fillojë nga data 15 nëntor 2021.

Në vazhdim të këtij takimi, anëtarët e Këshillit aprovuan Draft Rregulloren për Procedurën e Rekrutimit dhe Përzgjedhjes së Bashkëpunëtorëve Profesional dhe shtojcat e saj, me ndryshimet e propozuara në përmbajtje.

Anëtarët e KGJK-së aprovuan shpalljen e konkursit për shtatëdhjetë (70) pozita për bashkëpunëtor profesional në Gjykatat e Republikës së Kosovës me ç’rast themeluan Komisionin për Rekrutim dhe Komisionin për Rishqyrtim.

Këshilli autorizoi Komisionin për Çështje Normative dhe Komisionin për Administrimin e Gjykatave për shqyrtimin e kritereve/tarifave për personat e dënuar ose arrestuar pa arsye, për dëmin material dhe jo material.

Po ashtu, Këshilli caktoi anëtarët e Komisionit për Kompensim dëmi për personat e dënuar ose arrestuar, mandati i të cilëve është tre (3) vjeçar, dhe do të fillojë nga data 1 dhjetor 2021.

Lidhur me çështjen e kompensimit të anëtarëve në Komisionet e KGJK-së dhe anëtarëve të grupeve punuese, Këshilli vendosi që pjesëtarët e grupeve punuese mos të kompensohen, me përjashtim të: anëtarëve të Komisionit për Kompensimin e Personave të Dënuar ose Arrestuar pa Arsye; anëtarëve të Panelit me Lirim me Kusht; Komisionerit për Mbikëqyrjen e Procesit të Përgjimit të Komunikimeve Elektronike dhe anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve.

Anëtarët themeluan Komisionin për Vlerësimin e Performancës së ish Kryetares së Komisionit për Çështje Normative, znj. Anita Krasniqi Prenaj, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Takimi vazhdoi me aprovimin e njoftimit të Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGJK, për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Ahmet Rexhaj dhe gjyqtares së Gjykatës së Apelit, Gordana Vlaškovic.

Anëtarët aprovuan Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, si dhe autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e këtij memorandumi.

Këshilli aprovoi vendimin GJA.nr.219/2021 të Kryetares së Gjykatës Themelore Mitrovicë lidhur me ndryshimin e Planit të Punës së gjyqtarëve dhe administratës për vitin 2021.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për shqyrtimin e një (1) rasti disiplinor dhe një (1) ankese të kandidatit për Kryetar të Gjykatës Themelore Prizren.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …