Libri me tregime “Dashuri pa kushte” duket si një pelegrinazh në shenjtërinë e dashurisë, si ndija më e bukur dhe më e thellë e njerëzimit. Një inkursion në shpirtin e dlirë të njeriut dhe fatit njerëzor. Ka aty ndjesi të holla nga natyra, nga sensualiteti human, gjen problemet e përditshme të njeriut dhe dhimbjes njerëzore. Gjen shpirtin e shqiptarit, mëkatin dhe lumturinë, dhimbjen dhe ndëshkimin por dhe Edenin e famshëm të lumturisë. Në tregimet e Albert Zholit gjen të përditshmen dhe të jashtëzakonshmen, gjen flirtin me shpirtin në të gjitha skajet e dhimbjes dhe kënaqësisë. Është kaq i thjeshtë sa duket sikur vetë jeta të paraqitet para sysh por me një shpirt të kulluar dhe me një penë Çehoviane që duket se godet lart dhe larg. Ndije që paraqiten kaq të natyrshme sa duket sikur në çastin që i lexon po e përjeton para syve.
Peizazhi, njeriu, psikologjia dhe fati ngërthehen me njëra tjetrën në mënyrë të vrullshme dhe me një penë kaq të kulluar dhe të vërtetë sa duket sikur lexon histori biblike. Autori e njeh mirë psikologjinë e shqiptarit dhe na e paraqet atë në të gjitha dimensionet. Herë në hall braktisjeje, herë në një martesë të dështuar, herë në një ikje dashurie, herë në një flirt me vetveten. Pena dhe gjuha e përdorur ka një lakonizëm poetik. Është shpirti i shkrimtarit që flet. Është detaji që ngrihet në madhështi. Aq thjesht, aq bukur me një melodi gati gati makabre që ulurit nga dhimbja. Autori e ngërthen vëmendjen brenda dhe jashtë Shqipërisë duke sjellë fate njerëzish, antagonizma kulturash dhe mentalitetesh, histori të përditshme që duket sikur himnizohen nga gjuha dhe stili që ai përdor në ngritjen e personazhit. Duket sikur autori ka një bagazh njohjesh njerëzore që i rrjedhin nga eksperiencat e veta të jetës. Ka takuar shumë njerëz, ka dëgjuar shumë dhe me atë profesionalizmin e vet e ka shkrirë punën e gazetarit me atë të shkrimtarit.
Ai e njeh mirë terrenin ku lëvron. Është i thukët në gjuhë, herë-herë i qëndisur në një gjuhë rruge që e bën personazhin më të vërtetë dhe më real. Ka shumë kulturë dhe në historitë që ai tregon drama njerëzore duket se rrugëton bashkë me figurën artistike. Natyra me personazhin, shpirti me dhimbjen dhe lumturinë, braktisja dhe e shkuara dashurore, dashuria për atdheun, lëmimi material, dominojnë tregimet e tij. Personazhet e tij vuajnë për dashuri, mospërputhje ndjesish, largime interesash, dashuri të pastra që lindin mes të rinjve. Autori duket se e qëndis të vërtetën shqiptare.
Ka një filigram ari që qëndis frymëzimin e tij aq të dëlirë, aq të pastër dhe aq magjik. Temat janë të thjeshta dhe të marra nga jeta e përditshme dhe nga fatet njerëzore që përjetohen aq shpesh ndër njerëz. Psikologjia e shqiptarit dhe fati i tij njerëzor përbëjnë dramat që autori ka hedhur në letër. Frymëzimi i tij duket si një anije me vela që lundron mbi detin e bukur jonian, si zajet e bardhë të Vjosës që shkëlqejnë nën rrezet e diellit dhe si bjeshkët e veriut që uturijnë ndër gërxhe britmën njerëzore të dhimbjes. Talenti i tij është origjinal, me spazma poetike dhe aq të detajuara, sa duket si një pikturë rembrandiane që të ngjall kënaqësi estetike dhe katarsis shpirtëror. Rrëfimi është shumë origjinal sa duket si një bisedë njerëzore ku dikush po të tregon historinë e tij të jetës. Ka një gjuhë të thjeshtë, me kulturë dhe që ta sjell shpirtin para syve.
Albert Zholi është shumë origjinal në tregimet e tij. Ka vërtetësi dhe një shpirt kaq të ndjeshëm që të rrëmben në kullotën e tij të njomë ku livadhisin perënditë e krijimit.Në kohërat e sotme ka shumë shkrimtarë shqiptarë që shkruajnë prozë. Format e tyre të rrëfimit ngërthehen herë pas herë në qerfullin e prozës poetike, apo konceptimit të vështirë. Albert Zholi vjen me një dëlirësi dhe madhështi vërtet të respektueshme. Lexohet me endje dhe ka mesazh. Rrjedh bukur dhe lexohet me një frymë. Ai ka një krijimtari të gjatë dhe shumë të vlerësuar por ky libër me tregime e radhit atë ndër tregimtarët më të mirë shqiptarë të kohëve të fundit.