Anëtarësia e PDK- së, në Vushtrri, qytetarët dhe Ferit Idrizi e fituan garën për kryetar komune pas një angazhimi maksimal.
Konsideroj se për të qenë fitorja e plotë dhe përmbajtësore dhe e cila do të reflektonte edhe në vullnetet elektorale nacionale, duhet dëshmuar përkushtimin dhe devotshmërinë për të pasur një qeverisje të mirë nga djem e vajza pa hipoteka negative nga e kaluara, me integritet dhe novator të mënyrës së të bërit politikë.
Vetëm kështu i japim kuptim fitores së ditës së djeshme. Fitore e arritur nga angazhimet e shumë veprimtarëve përkushtimin e të cilëve në të kaluarën e kemi mbuluar e anashkaluar padrejtësisht.
Fitores i humb kuptimi nëse zgjidhet rrugë tjetër e veprimit, rrugë kjo e cila nuk e garanton mirëqeverisjen dhe respektimin e meritokracisë, me tendencën e mbulimit të punës nga ca karaktere të cilat vetëm interesi i ekzalton.
Jam i interesuar për të arritur fitoren e plotë, jo gjysmake.
Fitorja e plotë i jep imazh pozitiv partisë në nivel nacional dhe rrites e konsolidimit të saj.
Partitë apo degët e tyre, nuk duhet të bëhen lavatriqe për individ për të larë të kaluarën e njollosur me hajni e korrupsion.
Ka ardhur koha që në Kosovë, në skenën politike të saj të lirohen vullnetet e uzurpuara nga njerëzit e tillë, për ta bërë popullin më të lumtur. Kacavirrjet në muret e politikës nga ziliqarët, hileqarët dhe njerëzit pa personalitet e karakter janë një kotësi e momentit që shëmton vullnetet qytetare, shëmton vlerat më të çmuara të tij dhe tregon jo vlerë e civilizim.
Nëse dikush mendon të qeverisë me karaktere të tilla e dëmton shumë subjektin. Unë vet do shpreh revoltën publike edhe nëse ka të bëjë me subjektin të cilit i takoj.
Gjithmonë ka një rrugë edhe për ata që nuk kanë menduar se vijnë kohë të reja dhe assesi politika nuk mund të jetë shpëtimi i ndërgjegjes së tyre. Atyre mund t’u thinjën flokët, t’u shtohen rrudhat ballit, por ndërgjegjja u mbetet e njëjta.
Nuk ka progres:
Kur e ⁄i padrejti flet për drejtësi;
Kur jo atdhetarja ⁄ i flet për atdhetarizëm;
Kur e⁄ i paedukuari flet për edukatë;
Kur e⁄ i pakulturuari flet për kulturë;
Kur ajo ⁄ ai pa asnjë libër të lexuar flet për politikë;
Kur e ⁄ i pamoralshmi flet për moral;
Kur e⁄ i padituri flet për dituri….
Hajni / i pandershmi të flet për ndershmëri……!