leoni

Afrim Morina: Analizë veprës publicistike, “Arsyetimi të çon pranë së vërtetës” të autorit, Xhemil Zeqiri

Afrim Morina: Analizë veprës publicistike, “Arsyetimi të çon pranë së vërtetës” të autorit, Xhemil Zeqiri

Dëshmi të kohës

 

Xhemilin e njoh përmes portalit “Diplomacia.dk”, të cilën e përcjell vazhdimisht. Një herë jemi takuar në selinë e UNIKOMB-it, si ilegalë, ndërsa nuk kam pasur rastin të takohemi fizikisht për një kafe. Kur më pyeti, përmes telefonin, në jam i gatshëm të jap mendimin për librin “Arsyetimi të çon pranë së vërtetës”, menjëherë iu përgjigja pozitivisht.

Pasi e lexova autobiografinë e Xhemilit, m’u kujtua viti 1976. Atëherë bëra një hulumtim gjashtëmujor për vrasjet (hakmarrja dhe gjakmarrja). Ky fenomen, në Shqipërinë londineze, veç kishte filluar t’i takojë së kaluarës, ndërsa te ne gjallonte me të madhe. Këtë hulumtim ia dorëzova prof. Ismet Salihut si punim seminarik, ndërsa bëra edhe një analizë, që u botua në “Rilindje”. Në pasuesin e fundit, shkrova se LKJ në bashkëveprim me UDB stimulonin hakmarrjen dhe gjakmarrjen. Artikulli doli në shtyp pas dy muajsh, sepse kërkonin që atë pasues ta hiqja. Pasi e argumentova, në të gjitha instancat e redaksisë, u lëshua, por m’u morr e drejta e publikimit të emrit, në të gjitha revista javore dhe në “Rilindje”. Kjo kishte ndodhur pas burgosjes së gjithë familjes sime në stacion të policisë, për një ditë, në vitin 1958 (Janar) dhe pas burgosjes sime në vitin 1974.

Nga ajo që përshkruan Xhemili, për vitin 1977, ku edhe fillon urrejtja, që shndërrohet në hakmarrje, e, nga hakmarrja vetjake, te individëve të caktuar, kalon në mobilizim për luftë të pakompromis me pushtuesin dhe tradhtarët e kuislingët. Nga kontakti me shokë, literaturë dhe me ambasadën e Shqipërisë londineze në Suedi, merr orientim të mirëfilltë rrugëtimi i jetës së Tij, me moton “Mos merrni anën e kundërt të interesave kombëtare!” Kjo moto shihet në gjitha shkrimet e tija, por edhe në shtjellimin e këtij libri.

Ai, në Danimarkë, filloi t’i kontaktojë edhe shoqatat e ndryshme, që i kishte hapur titizmi, për të urtuar mërgatën. Ato dispononin literaturë të socializmit vetëqeverisës, me të cilat nuk do të pajtohet dhe ngrit zërin kundër këtij fenomeni, por zëri i tij ende nuk kishte marrë përmasat e luftimit, siç thotë autori ”në Danimarkë nuk erdha për tu bërë shkrimtar”.

Me punën e vet, të orientuar tashmë, ai do të sqarojë, se ”Përpjekjet e luftës ilegale para viteve 90-ta, që udhëhiqeshin nga organizatat ilegale shqiptare me në krye shtetin shqiptar, objektivat politike ishin që shqiptarët, si hap i parë drejt lirisë dhe ribashkimit të tyre të barazoheshin me popujt tjerë në ish-Jugosllavi… në aspektet nacionale, ekonomike, politike, ushtarake e të tjera fusha të jetës. Këto përpjekje u përkrahën zyrtarisht pa rezerva nga shteti amë”. Duke e parë këtë mbështetje të Shqipërisë londineze, edhe më tepër do t’i përkushtohet punës. Gjatë rrugëtimit do të hasi në pengesa, edhe nga të strehuarit politikë, në Danimarkë, pas vitit 1990, të cilët ishin rreshtuar pas Rugovës dhe mundoheshin ta ndryshonin historinë, se para tyre nuk ishte marrë askush me çështjen shqiptare. Ditët kalonin, e, ky mori guximin të shkruajë, madje të lëshojë komunikatë ”… Serbia e pushtoi Kosovën para syve të Evropës. Jugosllavia, këto ditë po përjeton një krizë të re dhe ka shenja që ajo së shpejti të shpartallohet. Në qoftë se ndodhë kjo, atëherë patjetër edhe shqiptarët duhet të përfshihen në këtë proces”. Ky proces, për autorin, do të thotë shkëputje nga krijesa artificiale, të të gjithë shqiptarëve dhe të bashkërendisin veprimet, për të krijuar shtetin komb, si zgjidhje e përhershme në këtë nënqiell ilirik. Aty, ndër të tjerash, edhe ia tërheq vëmendjen Qeverisë Daneze, se po bënte politikë dykutesh, njërin për shtetet e Baltikut dhe tjetër kut për shqiptarët nën pushtimin jugosllav. Mendja dhe pena e Xhemilit, duket sheshit, sepse, jo vetëm që ka njohuri për politikën e jashtme daneze, por tregon edhe guximin e intelektualit, për t’iu drejtuar publikisht, që të ndryshojnë politikën e tyre ndaj shqiptarëve.

Gjatë jetës në mërgim, Xhemili, kishte kuptuar, se, opinioni ndërkombëtar nuk kishte njohuri mbi atë që ndodhte me shqiptarët në Jugosllavi. Mu për këtë, filloi të hulumtojë mundësitë e depërtimit të së vërtetës, të pakte atje ku vepronte, në Danimarkë. Në hulumtim e sipër zbulon z.Sperlingu Vebeke, si eksperte për Ballkanin (Ilirikun). Gjithë kjo filloi me ”një litër Uiski”. Dhe ”Pasi u njoftuam se kush jam dhe se ç’punë bëj, më pyeti ç’kam nga zemra për të biseduar? E po, ja këtë… e keni dhuratë nga babai im për redaksinë tuaj, e nderova unë gazetaren.”. Aty do të fillojë miqësia e besueshmëria e ndërsjellë. Kjo i mundësoi autorit për të ftuar në intervista: ”Ibrahimin, Hajdin Abazin, Prof Muhamet Kelmendin, Dr. Muhamet Memetin, Ilirin dhe Stela Dashin nga Tirana.”, të cilët folën për situatën politike në Jugosllavi, si politikë kundërshqiptare, mohimin e të drejtave të tyre, për burgosjet, torturat, vrasjet…

Befasia më e madhe e Xhemilit ishte, se z.Sperlingu Vebeke nuk e dinte se kush ishte Adem Demaçi dhe me gjithë potencialin e vet, u mundua t’ia bëjë të ditur opinionit danez, çështjen e Tij, edhe pas pranimit të tij në PEN-qendër. Pas shumë përpjekjeve arriti, që ”Komiteti Miqtë e Kosovës organizuan një debat publik në sallën e Kuvendit Danez më 17 janar 1992. Ky propozon, që Sperlingu Vebeke… të jetë në Debat. Në atë bankë ishte akademike Mina Skafte Jensen Krytare e “Komitetit Miqtë e Kosovës”, kryetarja e Bashkisë së Kopenahgës, Ritt Bjerrgord, anëtare e Kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Nils Ålleman Olsen, deputeti i Parlamentit Danez dhe atij Evropian – Partisë Konservatore” Aty ishte i ftuar edhe Adem Demaçi.

Gazetarja Vebeke, iu drejtua Demaçit me një rrëfim, ngjarje që i kishte ndodhur në Beograd. ”Kur u thash shokëve, nesër udhëtoj për Prishtinë atje më ka dërguar Redaksia të raportoj për situatat. Eu, eu, të gjithë njëzëri ç`do lypësh atje, ata janë nacionalista myslimanë”. ”Po pyes z, Demaçi ç’është kjo urrejtje ndaj shqiptarëve kështu? Ne, danezët, nuk i urrejmë njerëzit pse kështu çka mund të na thoni?”. Baca Adem dha këtë përgjigje: – “He, he, në dashi të dini se sa demokrat janë serbët, përmendeni Kosovën dhe shqiptarët dhe e shihni…! Siç paskeni vepruar ju që jeni dhe dëshmitare e gjallë, Kosova dhe shqiptarët janë të shtypur e të diskriminuar nga pushteti i egër jugosllav…”.

Xhemili nuk do të kënaqet me këtë. Ai do të përpiqet, që zëri i shqiptarëve të dëgjohet edhe më shumë, e fuqishëm, por edhe më shpesh, për t’iu kundërvënë zërit titist e rugovjan. Veprojnë pa ndërprerë, komunikon me bashkëveprimtarë dhe një ditë arrin që zëri i këtij intelektuali të formuar, për herë të parë, të dëgjohet përmes valëve të Radio Danimarkës, programi 1, që do të përcjellë te qytetarëve danezë dhe atyre shqiptarë të vërtetën, për kombin e vet, se ”Në Danimarkë jetojnë afër 15.000 shqiptarë, pjesa më e madhe e tyre vijnë nga ish-Jugosllavia, shtet në të cilin shqiptarët me decenie kanë qenë populli më i diskriminuar”. Qeveria e Beogradit ua ka ndaluar shqiptarëve radion dhe Televizioni, por edhe shtypin, në gjuhën amtare. Mu për këtë, mërgata shqiptare nuk ka informata, prandaj ”kërkoj nga udhëheqja e Radio Danimarkës, që sa më shpejt, brenda mundësive, të japin programe të rregullta në gjuhën shqipe. Nëse Radio Danimarka, ka nevojë për ndihmë, në lidhje me këtë, jam në dispozicionin tuaj sa i përket ideve konkrete apo edhe me informacione shtesë”.

Kjo intervistë pati jehonë dhe drejtori i radios, Laif Losmani, i premtoi për një emision shtatë minutësh, por që gazetarin duhet ta gjenin vet. Kjo kërkesë e tij mbeti pa u realizuar, sepse LPK-ja nuk arriti ta gjej një gazetar.

Propaganda e verdhë, si mjet i luftës speciale, përmes partive politike, te mërgimtarët, kishte, marrë përmasa të mëdha. Në këtë valle do të hyjnë edhe bashkëveprimtarët e autorit. Kjo e brengos shumë dhe mu për këtë, nuk pushon së vepruari, po me propagandë kombëtare, për t’ua çjerrë maskat. “…organizoja takime të ndryshme me intelektualë danezë, me gazetarë, me organizatat jo qeveritare për të organizuar debate publike, pastaj ftonim intelektualë dhe veprimtarë politikë nga trojet tona dhe mërgata, që gjendjen ta mbajmë aktuale dhe të kërkonim zgjedhje e problemit tonë kombëtar, po ashtu i lutja gazetarët të bëjnë artikuj, pastaj i merrja artikujt e gazetave dhe artikujt e mi ose letrat që ua dërgoja institucioneve daneze e ndërkombëtare…. i kopjoja dhe i shpërndaja në shoqatat”

Xhemili shumë herë e vë veten në ballë të kritikës, sepse ishte ndër të rrallët intelektual që mori guximin, për ta demaskuar tradhtinë e Rugovës, që i bëri Referendumit për pavarësi. Rugova do: – të na kthejnë prapa me ato ”standardet e famshme” për diskutimin e ”statusit përfundimtar” e gjepura të tjera… Po statusin e kanë definuar vetë shqiptarët e Kosovës me referendumin popullor të vitit 1991. Atëbotë, populli nën kushte të terrorit serbomadh i tha PO, Pavarësisë së Kosovës”. Prandaj, nuk do mend, se, të gjithë shqiptarët duhet të veprojnë të bashkuar, sepse ”Avionët luftarakë po fluturojnë mbi hapësirën sllovene, ndërkaq Kroacia po tregon gatishmërinë, për shkëputje nga federata jugosllave. Në qoftë se ndodhë kjo, atëherë patjetër edhe shqiptarët duhet të përfshihen në këtë proces”. Pra, sipas autorit, nuk duhet shqiptarët të merren me lajka ndër vete dhe të bëjnë sehir, se çfarë rrobash do t’ua presin sllavët dhe pansllavistët. Duke e ditur historinë e hidhur dhe të përgjakur, në “këtë proces” të madh historik, në një moment, të jesh i lirë përgjithmonë, apo të jesh i robëruar, intelektuali lëshon kushtrimin. Jo vetëm se rugovjanët ishin kundër UÇK-së, por edhe disa bashkëveprimtarë, siç ishte Ibrahim Xhemaili, kishin kaluar në të njëjtin tabor. Kjo dëshmohet me faktin, se ndihmat që ishin mbledhur për UÇK-në ”t´ia dërgosh sabotuesit të Luftës Çlirimtare, LDK-istit – Bujar Bukoshit në Bon, a nuk është dyfytyrësi, e ligë, “politike?”. Parashtrohet pyetje e, si të hesht një veprimtarë i çështjes kombëtare, në këtë situatë? Duhet bërë të ditur bashkatdhetarëve dhe bashkëveprimtarëve të vet, këtë të vërtetë të hidhur dhe tradhtare, që ndodhte.

Kushtetuta e Kaçanikut, presidentin e konsideronte komandant të përgjithshëm të ushtrisë. Dhe për fat të keq, president ishte Ibrahim Rugova. Ky president ”Gjatë Luftës Çlirimtare, iku për në Beograd dhe prej andej në Perëndim, jo vetëm, por me vete mori edhe djemtë, nuset e djemve nipat e mbesat, gruan e tij, gjithsej 28 veta si dikur Mbreti Zog,”. Ky nuk e respektoi Kushtetutën dhe pozitën e ”Presidentit historik”, për të shpëtuar lëkurën e vet, ia mbathi. Mirëpo, Xemili nuk do të hidhërohet në atë, se e kishte ditur që në ditët e para, kush ishte dhe çfarë kahe politike kishte marrë, por këtë do ta hidhëronin ”Për fat të keq, në gjurmët e tij, sot edhe Thaçi, Ramushi e të tjerë si ai, të etur për pushtet, për ca vota shesin idealet e tyre pse luftuan; kur shkojnë e thyejnë kurrizet duke u përulur, duke i bërë ndere në varrin e “kryekomandantit” dezertor Rugovës që 21 vite, nderime që s´i meritonte as i meriton…” Kjo i tejkalon të gjitha parashikimet e autorit, edhe pse, që në takimin e Rambuiles, kishin filluar të jepeshin sinjale ogurzeza.

Kur flet për shqiptarë ka parasysh edhe vendlindjen e tij, e cila, nga titizmi, kaloi në një shtet artificial – Maqedoni. Shqiptarë të organizuar në subjekte politike, për të mbajtur në jëtë këtë shtet artificial, që u shpall i pavarur me ndihmën e serbo-malazezëve, nuk shikonin realitetin që ndodhte, sepse pranonin ”popullin shqiptar si minoritet nën 22% dhe mosreagimin e Akademisë së Shkencave Maqedone ku shqiptarët i nënçmojnë me epitetet më poshtëruese.”. Kjo jep për të kuptuar mjaftë, ku e derdhin ujin artikulluesit politikë shqiptar. Gurët e mullirit maqedonas bluanin miellin helmues për ne, ndërsa mulliri ynë ishte pa pikë uji. Lidershipi shqiptar nuk guxoi asnjëherë të zë në gojë se, ”Shqiptarët janë grupi më i madh i popullsisë në Maqedoni, që arrijnë afërsisht 40% të popullsisë”.

Të gjitha këto zhvillime, në trojet shqiptar, e bënë Xhemilin të shfryhet ”Li-derrat që e quajnë veten shqiptarë, duhet t’i largojnë komplekset ndaj realitetit historik, se po të mos ishte 29 Nëntori i vitit 1944, nuk do kishim mundësi të kujtojmë as të festojmë dhe 28 Nëntorin e vitit 1912. Lavdia i takon Kryetrimit dhe Kryeheroit kombëtar, udhëheqësit të lavdishëm të kombit, gjeniut – Enver Hoxha”. Deri te ky realitiet autori vjen, sepse, në të gjithë hapësirën kombëtare, për hir të ”miqve” tanë, mohohet historia e lavdishme e shqiptarëve, duke përfshirë edhe personalitete kombëtare. Kjo nuk do t’i duket fort e befasishme, sepse sllavo-ortodokset, mision të tyre e kanë zhdukjen e personaliteteve që e kanë bërë historinë dhe përmes tyre, gjithë historinë kombëtare, por atë do ta therë në zemër një mendim i Kadaresë për Adem Dem(açin)ën, kur e dëgjon një ushtar të UÇK-së, i cili thotë ”Nuk na mposhtën as indinjuan, sulmet e shumta të ushtrisë serbe, se sa deklarata e shkrimtarit – Ismail Kadare, kundër njëshit shqiptar, Adem Demaçit”.

Xhemili jo vetëm se lufton për çështjen shqiptare kundër armiqve, kuislingëve dhe tradhtarëve, por ai, nga përvoja e vet jetësore, e di rolin e propagandës. Prandaj edhe nuk mund të heshtë ndaj propagandës së verdhë, në krye me Mero Bazën dhe Baton Haxhiun, dhe ”Duket se Mero dhe Batoni e kanë trashëgim nga prindërit e tyre. Pikërisht për prindërit e tyre flitet se kanë qenë kolaboracionistë në dëm të vendit dhe popullit, prandaj po të inspektohet, patjetër do të dalin trashëgimtarë.”

Autori nuk do të jetë i kënaqur edhe me qëndrimin e institucionalistëve në Kosovë. Mu për këtë ngre zërin, për të dhënë dorëheqje Hashim Thaçi, se nuk po e kryente misionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Çdo ditë e poshtëronte për karrierë e për zhvate të mirave materiale, bashkë me klanin e tij.

Shumëkush do të parashtronte pyetjen, nga vijnë të gjitha këto njohuri të autorit, rreth realitetit kombëtar? Përgjigjen do ta jap po vet ”Vallë kush e ka studiuar filozofin grek, Sokratin, do të dëshiroj të pyes, mos vallë e ka ditur dhe ndërhyrjet e shovinistëve serbë nëpërmjet Ibrahim Rugovës e Sali Berishës që, këta dy “Liderë Largpamës” se, për kaq vite do t`i gjunjëzojnë shqiptarët me një demagogji marramendëse!?

Në të gjitha intervistat, Xhemil Zeqiri, mundohet ta shpjegojë angazhimin e tij në politikën kombëtare, në mbështetjen e luftës së drejtë të UÇK-së, në demaskimin e figurave politike dhe në dhënien e meritave të merituarve. Ky nuk gabon dhe këtu shihet sinqeriteti, guximi, njohuritë e thella, për shumë çështje, që ndërlidhen edhe me faktorin ndërkombëtar. Siç nuk ishte faktori shqiptar i bashkuar, kështu del të jetë edhe ai ndërkombëtar. Siç ia ka çjerrë maskën faktorit shqiptar, po ashtu ia çjerrë maskën edhe faktorit ndërkombëtar. Autori nuk flet vetëm për periudhën e paraluftës çlirimtare, por edhe gjatë saj, e pas saj, duke kritikuar edhe politikën e lidershipit shqiptarë, që ka lënë me një anë të kaluarën dhe tash nuk kursejnë mjete për të dëshmuar ”se cili ishte më meritori”, se kush duhet ta udhëheq vendin dhe se si duhet të jenë servil ndaj ndërkombëtarëve, edhe duke rehabilituar tradhtarët e kuislingët.

Të gjitha këto i bënë, sepse ”Duke qenë se nuk e njoh mashtrimin dhe duke thënë vetëm të vërtetën, këto më kanë dhënë forcën shpirtërore që të shkruaj pa pikë inferioriteti.

O të mjerë, o të pabesë!”

Këtu nuk do të përfshihesha në recensentët e librit ”E vërteta bënë armiq”, sepse janë mendime të tyre.

Po qe se nisemi nga mendimi i Hegelit, ”Se njerëzit e lindin kohën dhe koha i lind njerëzit”, këtu kemi të bëjmë edhe me Xhemil Zeqiri, i cili nuk shkoi në Danimarkë për t’u bë ”Shkrimtar”, por, ja, që jeta në luftë për çështjen kombëtare, hulumtimi për të gjetur rrugën e të vërtetës, guximi për t’u përballë me armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, e detyruan të mprehë penën e vet dhe të dalë para botës shqiptare e ndërkombëtare, me mendje të kthjellët dhe bindës, për artikulimin e së vërtetës. Pra koha e bëri shkrimtar, jo vetëm në këtë vepër, por edhe në katër veprat tjera.

Autorit i uroj sukses në trajtimin e temave, të karakterit kombëtar, ashtu siç ia ka filluar dhe pena e Tij, me mprehtësinë e vet, të dëshmojë për ngjarjet të cilat nuk janë hedhur ende në letër. Kjo i duhet kohës e historisë. Afrim Morina,

03.05.2021

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …