Lufta për njësimin e tokave shqiptare u ndërthur në mendimin politik të rilindësve me përpunimin e një koncepti të drejtë mbi këto territore. Në argumentimin e përkatësisë kombëtare të trojeve shqiptare ata mbështeteshin në radhë të parë në të dhënat etnike,në faktin që shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në këto toka dhe banonin atje në mënyrë kompakte. Abdyl Frashëri, ndonëse mbronte me argumente të gjithanshme historike, etnike, gjuhësore, ekonomike dhe ushtarako-strategjike tërësinë e Shqipërisë, e vinte theksin në gjuhën shqipe ,që ishte tipari i përbashkët dhe një nga më kryesorët e kombit. “Gjuha e banorëve të Shqipërisë,shkruante Abdyli,është shqipja,dhe banorët e saj janë shqiptarë qysh prej kohëve të lashta” (“Basiret”,Istambull,nr.2416,7/19 prill 1878.). Ky koncept i rilindësve për Shqipërinë, si atdheu i përbashkët i shqiptarëve,i një popullsie që fliste të njëjtën gjuhë, pavarësisht nga dallimet fetare e ndarja administrative në katër vilajete, ishte një koncept i drejtë,shkencor, i cili qe vënë në themel të formimit të shteteve kombëtare në Ballkan e në tërë Evropën. Këtë parim mbronte edhe F.Engelsi, kur shkruante se “kufijtë e vërtetë natyrorë janë ata që përcaktohen nga gjuha dhe simpatia e përbashkët”(K.Marks-F.Engels veprat, vëll.13, 1959, fq.281).
Për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si dhe për historiografinë tonë të sotme, janë krejtësisht të huaja synimet që u atribuohen nga disa studiues të sotëm të tipit të Dimitrije Bogdanoviçit,i cili,duke i dhënë tezës mbi origjinën ilire të shqiptarëve një interpretim krejt të falsifikuar e subjektiv,përpiqet të bindë opinionin publik se, sipas kësaj teze,konsiderohen si shqiptare të gjitha territoret e banuara dikur nga ilirët,ku në shek.XIX jetonin popuj të tjerë. Ai shikon në pikëpamjen për origjinën ilire të shqiptarëve përpjekjen, e imagjinuar prej tij, për ta kthyer Ballkanin,madje edhe Evropën,shumë shekuj prapa,në periudhën e dyndjeve të fiseve sllave, në shek VI.(D.Bogdanovic’,Knjiga o Kosovu, Beograd, 1985,fq.16).
Si dijetarë, rilindësit i referoheshin edhe historisë,sillnin të dhënat për të drejtat historike të shqiptarëve mbi trojet amtare, për të mbrojtur paprekshmërinë e tyre, por duke u shtrirë këto të drejta vetëm në ato territore, në të cilat banonin në shek,XIX,si pasardhës të ilirëve,si një popull autokton e jo i vendosur si rrjedhojë e “dyndjeve të mëvonshme të fiseve shqiptare dhe e shpërnguljes së popullsive sllave”,sikurse pohohet në historiografinë e vjetër dhe të sotme jugosllave. Jo për shkak të ndonjë ekskluziviteti kombëtar,por për hir të kushteve,në të cilat i vendosi historia ,shqiptarët, sikurse shprehej edhe Abdyl Frashëri,nuk kishin ushqyer asnjëherë aspiratat pushtuese ndaj popujve të tjerë. (“Basiret”, Istambull, nr. 2416,7/19 prill 1878).
Ndonëse ishin të ndërgjegjshëm që e ardhmja e Shqipërisë garantohej me formimin e një shteti të pavarur, përballë rrezikut të copëtimit,”të zhdukjes së ekzistencës kombëtare dhe politike të vendit” (A.Frashëri,Letër nga Janina, “Basiret”, Istambull, nr.2416,7/19 prill 1878), i cili u qëndronte mbi krye shqiptarëve si “shpata e Damokleut”,atdhetarët rilindë veçuan si një detyrë tepër të ngutshme dhe imperativë bashkimin e viseve shqiptare,kërkuan nga Porta e Lartë “që vendi i quajtur Shqipëri të bashkohej në një tërësi dhe të formonte një vilajet të vetëm” (Akte të Rilindjes…,dok.52).
Ata e shikonin këtë si një kërkesë minimale,të përkohshme,si një qëndrim taktik të imponuar nga politika e Portës së Lartë dhe e Fuqive të Mëdha që kundërshtonin autonominë e Shqipërisë. Në këtë çështje ushtroi ndikimin e vet edhe bindja e udhëheqësve të lëvizjes sonë kombëtare për ta përdorur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet, si një shkallëz,si një fazë transitore, për të kaluar më pas në shpalljen e tij si një njësi shtetërore autonome shqiptare. Pikërisht pse çonte në rrjedhime të tilla, bashkimin e viseve shqiptare në një vilajet të vetëm e gjejmë edhe në mendimin politik e në veprimtarinë praktike të mendimtarëve të tillë me pikëpamje radikale,si Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri,si edhe në vetë aktet e Rilindjes. Abdyl Frashëri, që njihet si luftëtar më i vendosur për autonominë, madje edhe për shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane,në memorandumin që i dërgoi sulltanit,më 13 tetor 1880, kur siç,shprehej si, “Flotat e Gjashtë Fuqive të Mëdha, si zhgaba shqyese, sulmuan një qytet të vogël si Ulqini”, u detyruan të kufizohej me një masë të tillë shumë të ngutshme,të domosdoshme dhe nga më të rëndësishmet, siç, ishte “bashkimi i Shqipërisë; në një vilajet të vetëm,me emrin “vilajeti i Shqipërisë;”.Udhëheqësi i lëvizjes kombëtare e vlerësonte këtë si një nga mjetet që do t’u priste rrugën lakmive të shteteve fqinje”,lakmi që nxiteshin edhe nga “ndarja e Shqipërisë në katër vilajetet”, ku,krahas shqiptarëve, që përbënin shumicën e popullsisë së tyre,kishte edhe pakica sllave e greke, si “një masë që do të mbronte e do të siguronte tërësinë e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane”.
Në kushtet e atëhershme tepër të ndërlikuara ndërkombëtare,Abdyli e quante aq kritike gjendjen e Shqipërisë dhe aq real rrezikun që kërcënonte tërësinë e trojeve të saj e vetëqenien e shqiptarëve si komb,sa që u detyrua në këtë memorandum t’u bënte lëshime koncepteve të veta radikale për zgjidhjen e çështjes shqiptare. “Le të mos i jepet Shqipërisë asnjë privilegj ose formë administrative e veçantë,i shkruante Abdyli sulltanit, Le të administrohet ajo sipas ligjeve,me të cilat administrohen vilajetet e tjera perandorake. Mjafton që të katër vilajetet të bashkohen në një vilajet të vetëm “(Promemoria e A.Frashërit, parashtruar Sulltanit me 13 tetor 1880. Bashbakanllik Arshivi, Istanbull,Yildiz Esas Evraki, Kisim 14,Evrak nr.2239.). Këtë kërkesë Abdyli ia paraqiti sulltanit si një aspiratë të mbarë popullit shqiptar.
Ideja e bashkimit të viseve shqiptare në një vilajet të vetëm përshkon memorandumet dhe peticionet që iu dërguan Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë në fund të shek.XIX dhe në fillim të shek.XX.deri në shpalljen e Pavarësisë . Ajo paraqitet në dy forma :së pari ,si kërkesë e veçantë,që u shtrua sidomos në periudhat e ndërhyrjeve më të ashpra të Fuqive të Mëdha dhe të monarkive ballkanike, dhe së dyti,si pjesë e platformës autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në memorandumet e peticionet e shumta,e sidomos në ato të kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912. Në të dyja rastet bashkimi i viseve shqiptare do t’i nënshtrohej, sikurse Sami Frashëri, “qëllimit kryesor të shqiptarëve: ruajtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë,të gjuhës dhe të kombësisë shqiptare dhe formimit të një shteti autonom kombëtar” (S.Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë,…,fq.59.).
Ekzistencën e shqiptarëve si një komb i vetëm dhe të drejtën e tyre për të pasur shtetin e vet të pavarur nuk mund t’i vinte në pikëpyetje ndarja e tyre në tri besime fetare në atë mysliman, të cilit i përkiste shumica e popullsisë,në atë katolikë e në ortodoks. Megjithatë, në kushtet e atëhershme,kur Porta e Lartë dhe Patrikana greke e Stambollit u mohonin shqiptarëve kombësinë,vinin shenjën e barazimit midis fesë dhe kombësisë, duke i quajtur shqiptarët myslimanë turq, katolikët latinë dhe ortodoksët grekë,besimet e ndryshme ushtronin ndikim negativ në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Në rrethana të tilla,bashkimi kombëtar i popullit shqiptar dhe organizimi i tij në një shtet të pavarur nuk mund të arriheshin pa atë luftë të vendosur që atdhetarët rilindës zhvilluan kundër reaksionit klerikal kundër të të tri besimeve, e cila i dha Rilindjes Shqiptare një tipar të veçantë,e bëri të dallohet nga lëvizjet kombëtare të shteteve fqinje. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ku borgjezia,për shkak se popullsia i përkiste të njëjtit besim fetar,e përdori kishën si armë ideologjike në luftën për çlirimin kombëtar dhe më pas për të përmbushur lakmitë e saj pushtuese, në Shqipëri kleri ishte një faktor negativ, siç shprehej Noli, “një vegël politike”në duart e të huajve, që punonte për t’i përçarë e për t’i asimiluar shqiptarët,dhe frenonte kështu bashkimin e tyre kombëtar. Ishte meritë e veçantë e rilindësve,që e vlerësuan drejt këtë rol reaksionar të klerit,që kuptuan se për të arritur bashkimin e shqiptarëve aq të nevojshëm për çlirimin e tyre kombëtar,duhet të kapërceheshin ndasitë fetare dhe të shkëputeshin masat nga ndikimi përçarës i klerikëve të të tri besimeve. Te bashkimi pa dallim feje dhe krahine,ata shihnin bazën e vetme të luftës për çlirimin e Shqipërisë.
Një luftë e tillë nuk mund të zhvillohej nga pozitat e ateizmit,sepse pjesa më e madhe e rilindësve ishin vetë besimtarë dhe në kushtet e prapambetjes ekonomike e kulturore të vendit,kur feja kishte lëshuar rrënjë në ndërgjegjen e njerëzve, populli ynë,sikurse theksonin me të drejtë atdhetarët më të përparuar, nuk kishte arritur deri në atë shkallë sa të mërzitej feja dhe t’i shporrte priftërinjtë e hoxhallarët jashtë vendit (“Shqipëria”,Magaga (Egjipt),nr4-5 maj 1907, për ortodoksët).Megjithatë,me qëndresën kundër reaksionit klerikal,iluministët e vendosën Rilindjen Kombëtare Shqiptare në një platformë më të përparuar,në parimin e kombësisë,të shqiptarisë si feja e shqiptarit”, që përshkon një literaturë të tërë politike dhe artistike të Rilindje sonë,ishte afetare, një nocion politik që synonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. (St.Pollo;Mbi disa tipare dalluese themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,në Studime Historike,Tiranë,1970,nr.3,fq.121.).
Ideologjisë reaksionare të pan-islamizmit,panortodosizmit,etj,.që kishte gjetur mbështetje edhe në disa qarqe çifligare e borgjeze turkomane e grekomanë dhe që identifikonte fenë me kombësinë,rilindësit u kundërvunë racionalizmit të tyre,konceptin mbi kombin shqiptar si një kategori e veçantë, që ishte një dhe i pandarë, megjithëse u takonte tri besimeve fetare. “Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman e i krishterë” (S.Frashëri; Shqipëria.. fq.39.) shkruante Sami Frashëri. Mendimtarët rilindës i mbaheshin pikëpamjes se kombësia dhe feja nuk janë e njëjta gjë,se ato përfaqësojnë dy kategori të ndryshme shoqërore dhe nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Ata luftuan kundër propagandës halifatiste të sulltanëve osmanë dhe asaj panheleniste të Patrikanës greke,që ngrinin “besimin fetar në parim kombësie dhe zëvendësonin racën ( kupto kombësinë) me dogmë,ritin me atdhe,që ishte krejt e papranueshme”.Nuk janë as myslimanizmi,as krishterimi,-arsyetonin rilindësit, ata që formojnë popujt,kombet,por gjuha,doket,zakonet e karakteristikat e tjera që i dallojnë kombësitë nga njëra tjetra. (P.Wasa,vep.e përmendur, fq.56.Shih edhe ; “I foni tes Alvanias”, 13 tetor 1879 dhe 19 janar 1880). Pas propagandës panheleniste që identifikonte krishterimin me helenizmin dhe i quante grekë shqiptarët ortodoksë,sepse kishin besim të përbashkët me ta, rilindësit shihnin rivendikimet e qarqeve të caktuara politike ndaj popullsisë shqiptare dhe trojeve të tyre. Këto ishin pikëpamje përparimtare dhe mbeten gjithnjë të freskëta,shërbejnë si dëshmi për të kundërshtuar si koncepte antishqiptare të atyre “studiuesve” të huaj,të cilët ndarjen e shqiptarëve në tri fe e interpretonin si ndarje “në tri grupe”,për çdo njërën nga të cilat feja na paska qenë”një flamur kombëtar”,ashtu edhe shtrembërimet që propaganda,duke ringjallur konceptet mesjetare halifatiste dhe patriarkiste, i bënë në ditët tona gjendjes së sotme të kombit shqiptar.
Përpjekjeve të jashtëzakonshme të rilindësve u kushtohet ai bashkim politik i popullit shqiptar,pa dallim feja e krahine,që u realizua në vitet e Lidhjes së Prizrenit ( 1878-1881) dhe u ruajt gjatë gjithë Rilindjes. Vendimet e Lidhjes dhe gjithë veprimtaria e saj,vinte në dukje Sami Frashëri më 1878,”ishin frymëzuar nga patriotizmi, atdhedashuria…dhe mbështeteshin në parimin e kombësisë dhe jo në fanatizmin fetar”. (“Terxhumani Shark”,17/19 qershor 1878,nr.81, fq.3). Ky bashkim i shqiptarëve i të tri besimeve ishte rrënjosur thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar,ishte një e vërtetë e pohuar edhe në dokumentacionin e huaj bashkëkohës. Në relacionet që funksionarët e administratës osmane në Shqipëri i dërgonin Portës së Lartë prandaj se midis myslimanëve shqiptarë,që përbënin shumicën e popullsisë, dhe të krishterëve ekzistonte një bashkim me tradita të lashta e që i ka qëndruar kohës,se ky unitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Këtë bashkim të shqiptarëve të të tri besimeve funksionarët osmanë ua atribuonin devotshmërisë kombëtare dhe patriotizmit të shqiptarëve,të cilët,siç theksonin ata,ishin aq të fortë, sa që ndryshimet në fe nuk mund t’i dobësonin aspak.(K.Prifti;Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881,Tiranë, 1978,dok.40.).
Është i njohur kontributi që dha në luftën kundër reaksionit klerikal për bashkimin kombëtar të popullit shqiptar një brez i tërë atdhetarësh, në fundin e shek.XIX dhe në fillimin e shek XX,i përbërë nga Jani Vreto,Shahin Kolonja, Fan Noli, Aleksandër Drenova, Çajupi, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi,Bajram e Çerçiz Topulli, Dervish Hima, Mihal Grameno, etj. të cilët,duke ecur në hullinë e hapur nga Lidhja e Prizrenit dhe themeluesit e saj, demaskuan në shumë artikuj, botuar në shtypin patriotik të kohës, veprimtarinë përçarëse të klerit të të tri besimeve. Në pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, lufta kundër ndasive fetare,të mbjella nga kleri,zinte një vend po aq të rëndësishëm sa edhe qëndresa kundër sunduesve osmane dhe armiqve të tjerë të jashtëm. Klerin ata e shihnin si një armik po aq të rrezikshëm sa edhe Perandorinë Osmane. (“Kombi”,Boston,nr.58,25 tetor 1907).
Lufta e gjithanshme e rilindësve për demaskimin e reaksionit klerikal ishte një faktor i rëndësishëm politik në lëvizjen kombëtare,që dha frytet e tij për forcimin e unitetin të popullit shqiptar. Ndonëse i shkaktuan pengesa Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sunduesit osmanë dhe fuqitë e tjera të huaja, përballë forcës së bashkimit të shqiptarëve, nuk arritën t’i përçajnë e t’i hedhin ata në luftë me njëri-tjetrin. Sikurse vinte në dukje me kënaqësi Pashko Vasa, ndërmjet shqiptarëve mysliman dhe atyre të krishterë nuk ka pasur kurrë “hasmëri të rrënjosur as edhe armiqësi shekullore”, se “ndryshimet fetare s’kanë qenë shkak për t’i shtypur në përçarje” (P.Wasa, vep e cituar, fq.91.). Është një e vërtetë e provuar historikisht, që nuk i ka shpëtuar vështrimit të Sami Frashërit,se shqiptarët “nuk kanë njohur ato grindje,luftëra fetare, masakra të mëdha e të tmerrshme që kanë ndodhur”jo vetëm në v endet e Lindjes,por edhe “në vendet e qytetëruara të Evropës” (S.Frashëri; Shqipëria ..,fq.45-46.).
Mungesa e një fanatizmi të tillë fetar,që Jani Vreto në Apologjinë e vet ua atribuonte shqiptarëve të të gjitha besimeve e sidomos atyre myslimanë (J.Vreto, Vepra të zgjedhura,Tiranë, 1973,fq.225),zotërimi tek ata i ndjenjës kombëtare mbi atë fetare,përbënin për rilindësit, dhe jo vetëm për ta,por edhe për gjithë lëvizjen që u zhvillua edhe më pas,për bashkimin e të gjitha forcave të kombit shqiptar në luftën për çlirimin kombëtar dhe mbrojtjen e pavarësisë së vendit.
Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i shtetit kombëtar me 28 nëntor 1912 përbën një ngjarje të shënuar që do të mbetet e paharruar në historinë e kombit tonë, jo vetëm për nga rrjedhimi që pati për të ardhmen,por edhe për forcën e bashkimit politik të shqiptarëve përballë pushtuesve të rijnë e tepër të rrezikshëm ballkanas. Ajo ishte vepër e mbar popullit shqiptar dhe e qindra atdhetarëve që vepronin në gjirin e tij. “Në emër të të gjithë popullit,mysliman e të krishterë,në emër të të gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar,shpalli Pavarësinë, më 25-28 nëntor 1912,nën grykën e pushkëve dhe të topave të ushtrive pushtuese” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj. Tiranë, 1963.dok.3,6-9,11,13).