Sot, në prag të festave të mëdha të NËNTORIT, në Institutin Albanologjik, në Prishtinë, është përuruar libri monografik, “Për një Atdhe të lirë e të bashkuar”, vepër e autorit, Agim Sylejmani, kushtuar veprimtarit të madh të çështjes kombëtare dhe ish të burgosurit politik, NAZMI HOXHA. Edhe pse i botuar më herët, ky libër u përurua me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes së Nazmi Hoxhës.
Pas intonimit të Himnit Kombëtar dhe heshtjes përkushtuese për Nazmi Hoxhën, fjalën e parë në përurim e librit e mbajti, Hydajet Hyseni, deputet i Kuvendit të Kosovës, Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës bashkëveprimtar i ish të burgosurit politik, Nazmi Hoxha, tani i ndjerë. Ai në fjalën e tij çmoi lart monografinë, e cila pasqyron me besnikëri jetën dhe veprën atdhetare të Nazmi Hoxhës, në organizmin dhe përparimin e Lëvizjes i cili nga regjimi jugosllav i kohës ishte dënuar 15 vjet burg në krye të një grupi veprimtarësh, në Gjilan.
Pas fjalës së Hydajet Hysenit lidhur me monografinë, “Për një Atdhe të lirë e të bashkuar”, vepër e autorit, Agim Sylejmani, kanë folur edhe bashkëveprimtarët e Nazmi Hoxhës: Xhevat Ademi, Bejtullah Tahiri, të tjerë. Në emër të familjes i ka përshëndetur të pranishmit dhe autorin e librit, djali Nazmiut, Kushtrim Hoxha.
Në fund të përurimit një fjalë përshëndetëse për familjen Hoxha dhe të pranishmit e ka mbajtur autori i librit, “Për një Atdhe të lirë e të bashkuar” Agim Sylejmani, veprimtar i çështjes kombëtare, i dënuar politik, njëri nga drejtuesit e OMLK-së në vitet 1984 – 1986, administrator i operativës në operacionin „Shigjeta“ i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është libri i shtatë i tij. Ndërkohë ai ka botuar edhe librin e tetë, “Rexhep Malaj në shkresat e UDB-së”.