Më 28 nëntor të vitit 1912, me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, nga Ismail Qemali, Isa Boletini Luigj Gurakuqi e të tjerë, Kosova e viset shqiptare ishin përgjakur nga të katër anët, nga hordat barbare sllave, serbe, ruse, bullgare e greke.
Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, kryesisht popullatë civile gra fëmijë e të moshuar u masakruan nga serbët, grekët e bullgarët, qindra mijëra të tjerë ishin shpërngulur dhunshëm për të Turqi e në vende të tjera të lindjes.
Lëvizjen e Rezistencës kundër pushtimit të trojeve të Vilajetit të Kosovës e kishin marrë përsipër, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, Azem Bejtë Galica, Shote Galica e shumë të tjerë.
Prej vitit 1912 e deri në vitin 1924, forcat çlirimtare të Azem Galicës, Bajram Currit, e atdhetarëve të tjerë kishin luftuar kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë së Nikolla Pashiqit. Grupet e armatosura, të cilat regjimi shfaronjës antishqiptar serb i quante “Kaçakë”, nuk kishin pushuar luftën dhe rezistencën qytetare kundër Jugosllavisë deri në prill të vitit 1941, kur Jugosllavia monarkike e despotike kishte nënshkruar kapitullimin nga forcat gjermane dhe kishte krijuar qeverinë kuislinge, profashiste, në Beograd.
Kosova dhe viset shqiptare nën Jugosllavi prej vitit 1941 e deri në vitin 1945 sa do që nën pushtimin italian e gjerman, për herë të parë pas vitit 1912 kishin krijuar Shqipërinë etnike, e cila u quajt edhe Shqipëria e Madhe. Në territorin e asaj Shqipërie bënte pjesë Kosova e Çamëria si dhe trojet shqiptare të Maqedonisë e të Sanxhakut.
Për herë të parë pas vitit 1912, shqiptarët ishin bashkuar, kishin krijuar forcat mbrojtëse, administratën në gjuhën shqipe, shkollat shqip dhe flamurin kombëtar.
Ajo frymëmarrje lirie, katërvjeçare, mobilizoi forcat nacionaliste shqiptare, të cilat pavarësisht kapitullimit të Italisë në vitin 1943 dhe të Gjermanisë në vitin 1945 kishin konsoliduar ndjenjën e lirisë dhe bashkimit kombëtar, e cila rezultoi në Kosovë dhe në trojet e Iliridës, me rezistencën e forcave nacionaliste të NDSH-së, prej vitit 1944 e deri në vitin 1951.
Gjatë kësaj periudhe kohore regjimi jugosllav, sado që kishte burgosur, vrarë e masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë, forcat atdhetare nuk ishin zhbërë, përkundrazi kishin mbajtur gjallë idealin e lirisë dhe bashkimit kombëtar dhe nuk kishin kursyer as jetën e tyre për çlirimin e vendit.
Në vazhdimësi të programit kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të NDSH-së, në vitin 1963, veprimtari, Adem Demaçi kishte themeluar “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, organizatë e cila mobilizoi forcat atdhetare shqiptare kudo në trojet e pushtuara, duke i dhënë hov të ri idealit për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Nuk mund të mohohet as roli i një segmenti të forcave komuniste shqiptare në Kosovë, të cilët edhe pse u shërbenin interesave të shtetit të përbashkët të sllavëve të jugut, që quhej Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë, i kanë dhënë kontribut fuqizimit të statusit autonom të Kosovës, duke shfrytëzuar liberalizmin jugosllav, sidomos në vitet 70 të shekullit XX.
Po kështu, Jugosllavia Socialiste në krahasim me Jugosllavinë Monarkike, fashiste, njihte të drejtat e kombësive, ndërsa në vitin 1974, Kosovës iu kishte akorduar një status, i cili në disa segmente barazohej me republikat e tjera të shtetit të përbashkët të sllavëve të jugut.
Një rol vendimtar në zgjimin dhe konsolidimin e idesë për liri, drejtësi, barazi kishte luajtur edhe Shqipëria Socialiste në krye me Enver Hoxhën, e cila mbështeti fuqishëm të drejtën e shqiptarëve për Vetëvendosje, ndërsa Enver Hoxha nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Konferencës së Helsinkit të vitit 1975, për mos-ndryshimin e kufijve të shteteve të Evropës, e cila nënkuptonte mospajtimin e Shqipërisë me caktimin e dhunshëm të kufijve, si rezultat i ndarjes së sferave imperialiste të interesit, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitet 70 dhe 80 të shekullit 20, shqiptarët liridashës nga Kosova dhe viset e pushtuara nën Jugosllavi, kishin konsoliduar Frontin e Rezistencës aktive, duke shpalosur programin kombëtar e politik mbi të drejtën e popujve për vetëvendosje, duke u thirrur në të drejtën historike dhe etnike, në rezolutën e Konferencës së Bujanit të fillim-vitit 1944 dhe duke kërkuar që Kosovës t’ i njihej statusi i Republikës, ashtu sikur gjashtë republikave të tjera të ish-RSFJ-së. Shqiptarët ishin popullata e tretë në numër në ish-Jugosllavi, pas serbëve e kroatëve.
Në mars dhe prill të vitit 1981 në Kosovë dhe viset shqiptare kishte shpërthyer revolta popullore me kërkesë për liri, drejtësi, barazi dhe krijimin e Republikës së Kosovës. Protestat e rinisë studentore dhe punëtorisë shqiptare të Kosovës u shtypën me dhunë dhe kjo çoi deri edhe në rrëmbimin e armëve, në përpjekje për kryengritje të armatosur.
Prej vitit 1981 e deri në vitin 1989, kur u pezullua edhe autonomia e Kosovës nga regjimi serb i Milosheviqit, dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Kosova Lindore iu kishin bashkuar Lëvizjes atdhetare për krijimin e Republikës së Kosovës. Disa mijëra u nxorën para Gjykatave të ish-RSFJ-së dhe u dënuan prej një deri në 20 vjet burg, por ideali për çlirim dhe bashkim vetëm sa ishte kalitur e përforcuar.
Klasa politike zyrtare e Kosovës, duke qenë se nuk i besonte mundësisë së ndarjes nga Jugosllavia dhe duke qenë besnike ndaj të ashtuquajturit bashkim vëllazërim, degjeneroi në një klasë tërësisht vasale. Në fund, pasi Jugosllavia kishte pezulluar autonominë e Kosovës, forcat komuniste shqiptare, tanimë të degraduara dhe të shtrydhura nga Beogradi, formuan Lidhjen Demokratike të Kosovës në dhjetor të vitit 1990, duke e regjistruar në Beograd, por me kërkesë për krijimin e Republikës së Kosovës, në mënyrë paqësore.
Në mungesë të besimit në fitore kreu pacifist i LDK-së kishte paraqitur një platformë të quajtur paqësore për zgjidhjen politike të statusit të Kosovës, fillimisht në kuadër të Federatës jugosllave, e cila asokohe kishte filluar të shpërbëhej edhe me luftë të armatosur në Slloveni, Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Forcat atdhetare të Kosovës e më gjerë, pjesa e saj militante, që ishte pozicionuar me programin kombëtar të Lëvizjes për krijimin e Republikës së Kosovës, pastaj të Lëvizjes Popullore të Kosovës, me kohë kishte përqafuar programin e kryengritjes së armatosur, si mundësi të vetme për shkëputje nga robëria shekullore jugosllave e serbe.
Për këtë qëllim ishin krijuar grupe të rezistencës së armatosur në Drenicë, Llap, Dukagjin e vise të tjera, nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës cilat i kishin vënë vetës për detyrë t’i përgjigjeshin me armë dhe rezistencë forcave policore serbe dhe tërë aparatit represiv të regjimit të Beogradit, i cili shqiptarëve në Kosovë u kishte pezulluar madje edhe të drejtat elementare njerëzore e kombëtare.
Segmenti më i konsoliduar i kësaj rezistence aktive, të armatosur, ndodhej në Drenicë, në krye me Adem Shaban Jasharin e Prekazit me vëllezër, kushërinj e të afërm, pastaj komandanti, Zahir Pajazitit në Llap e në Prishtinë, vëllezërit Haradinaj në Dukagjin, dhe celula të tjera të armatosura të cilat u bënë bërthama të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u paraqit publikisht, përmes komunikatave të LPK-së, qysh në vitin 1994 ndërsa doli në skenë më 28 nëntor të vitit 1997.
Lidhja Demokratike e Kosovës priste që regjimi në Beograd nën presionin e faktorit ndërkombëtar të zgjidhte çështjen e statusit të Kosovës duke u thirrur në deklaratën e shpalljes së pavarësisë nga delegatët e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës të vitit 1991. Kosova kishte pranuar sistemin shumëpartiak dhe kërkonte zgjidhjen e problemeve me dialog. Si rezultat e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat nuk i kishte penguar Beogradi, klasa autonomiste pacifiste e Kosovës, kishte formuar Qeverinë në ekzil, po ashtu edhe një krah të forcave të armatosura të kësaj qeverie, të cilët nuk u pajtuan me kreun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk e njohën Shtabin e Përgjithshëm të kësaj ushtrie, dhe gjatë rërë kohës së luftës mbeten në pozicionet e tyre të pritjes, në Tiranë dhe në disa kazerma të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre forcave u inkuadruan në luftën e UÇK-së, veçmas në brezin kufitar, Kosovë-Shqipëri duke njohur paraprakisht luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po jo Shtabin e Përgjithshëm të saj.
Literatura:
Historia e Popullit Shqiptar, Shtëpia Botuese “TOENA”. Tiranë, 2002.
Lëvizja Popullore e Kosovës 1981-1989.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, Wikipedia, internet.
Kristo Frashëri: Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Enver Hoxha kishte planifikuar të sulmojë Jugosllavinë? – Gazeta Tema 3. 4. 2013.
Dr. Jakup Krasniqi: Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2006.
Dr. Jakup Krasniqi: Pavarësi dhe personalitete, Prishtinë 2012.
Radio-Kosova e Lirë, Arkivi i luftës I II III. Prishtinë 2009
Historia e UÇK-së, Wikipedia.org/wiki/ Ushtria Çlirimtare e Kosovës.