Zef Pergega: Nusret Pllana një zë që ndez pishtarin e kujtesës kombëtare

Zef Pergega: Nusret Pllana një zë që ndez pishtarin e kujtesës kombëtare

     …Kanë kaluar vite po ai nuk harrohet. Ka qenë data 4 janar 1999.  kur foli për heë të parë. Ishte gricë. Pemët ishin veshur me një  shtresë  të trashë acari. Po, po, më kujtohet ai zë që  çau akullin si bashi i Titanikut. Na ngrohu të gjithëve. Si një zjarr na ndezi zemrat e hov i dha guximit qytetar për të mbrojtur pragun tonë…Ishe zëri i të vërtetës që vinte nga vija e parë e e zjarrit. Studio e këtij zani ishte llogorja ndërsa lajmin e përcillnin plumbat…

Po pra apo u kujtohet tash ai zë?!“Ju flet Kosova e Lirë!” Ishte zëri i luftës. Kështu e thirrnin luftëtarët e lirisë dhe njerëzia zërin e Nusret Pllanës, i cili raportonte detajet deri në imtësi nëpërmjet flurudhave  nga fronti i betejave të përgjakshme. Të luftosh me bishat dhe zërin ta kesh më të fortë këtë e kanë parë e dëgjuar vetëm tek Nusret Pllana. Zani i tij e shoqëronte plumbin në zemër të armikut pushtues e ç’njerëzor. Faktin për lajmin që transmetonte e kapte si shqipja ushqimin për zogjtë e saj në qiellin me tym baruti. Shqipet kurrë  nuk janë trembur nga korbat, por korbat kësaj radhe ishin të armatosur deri në dhëmbë, e makina e tyre me zingjirë ngrinte jetë, fëmijë, pleq e nëna, madje edhe të sëmurë me të meta fizike e mendore. Ishte një  kosë që nuk bënte seleksionime.

Ushtar i Dukagjinit dhe i  Zonës së Drenicës si folës i radios “Kosova e Lirë”, familjen e pa vetëm dy herë për pak minuta sa disi të shuante mallin. Po në të tilla raste, malli vjen e ndizet sa në zemër njeriu e ndjen djegien e mungesës…Ora 16: 00 minuta vjen zani i Nusretit në radio. Gjindja e mbajnë në vesh, familja ngushëllohet duke dëgjuar zërin e tij. Janë gjallë trimat dhe nuk i lëshojnë  pozicionet e ky është  frymëzimi dhe morali i shpresës për fitore.

Nusreti ishte në luftë, por ai jetonte shekullin e lirisë, ndaj ai nuk e priti kohën, por e avansoi atë. Me zanin e tij shqip kanë folur 570.000 heronj dhe martire të tokës tonë. Gjeologu i thesareve të kombit, Pllana qëmton e zbulon çdo fakt që mendon se përbën fakt historik, për të lartësuar përmendoren e dëshmisë. Zëri i tij është zëri i revoltës, i shprehur në të gjitha mënyrat me zërin e tytës e me zërin e fjalës, me dashuri e paqe, pa hakmarrje, por si një gur i kujtesës që  duhet të shëndrisë mendjet e shëndosha edhe ato të sëmura.

 “Ushtar Prishtina” ishte larguar nga qyteti nga pjacat e kryeqytetit me një zë të shenjtë që i erdhi nga shpirti për shenjtërimin e lirisë dhe të çështjes kombëtare.

Arbreshasi i Kosovës Nusret Pllana, ditën me syrin në shënjestër e natën nën dritën e zbehtë të qirinjve shkruante ditarin e tij, ngjarje të vërteta si kthjelltësia e lotit. Zëri i tij ishte zëri kushtrim. Ky zë ndezi pishtarët e lirisë dhe vazhdon t’i mbajë ndezur, për të patur rruga dritë. Mund të quhet me plot gojë se zëri i Pllanës është zëri i  konventës së  lirisë…

Sadik Fejza nuk e harron atë ditë. I sëmurë me pak dritë në sy priste torturat dhe më pas vdekjen. Nusret Pllana e merr në krah përmes plumbave dhe për tri kilometra e bartë në qafë dhe e bashkon me familjen. Lot gëzimi. Po si e ka zërin loti?! Lexoni veprën e Nusret Pllanës për të  marrë  përgjigje!

Prifti nuk e festoj 70 vjetorin, por bekoi lindjen e një libri!

Gjithmonë përpara se të bie për të  fjetur në darkë  vonë u hedh një sy mediave, gazetave dhe revistave në online. Diku në një cep kapa lajmin e ardhur nga Stubulla e Kosovës së Dom Ndue Gjergji kishte 70 vjetorin e lindjes. E kujtonte vendlindja me një urim të sinqertë, gjë të cilën e konfirmonte edhe Kryetari i Këshillit të Kishës “Zonja Pajtore” Rrok Dedivani me një urim familjar. Ora kishte kaluar 10 e darkës dhe si është një zakon i pa shkruar në  Amerikë se mbas kësaj ore nuk është mirë të marrësh në telefon. Po ne shqiptarët i kemi më përzemër rregullat tona dhe formulova numrin e telefonit. Dom Nduja mu përgjigj menjëherë. E urova për ditëlindjen dhe në përfytyrimin tim në ato thinja të argjenda vitet hidhnin vallen e shpirtit të tij të bukur, të paqtë dhe i mbushur në dashuri njerëzore. Një shpirt valëzues për të gjithë, edhe për ata ecin mbi thepa, lavdi e krenari për të qenë mbi të gjithë, por Dom Ndoj me sjelljet e tij të bën të ulesh në gjunjë e të lutesh nëse don forcë e vitalitet njerëzor me meritë.

Ishte në një lokal me Dom Fredin dhe atdhetarin Ben Marku. Dom Ndou me ftoj për një gotë verë. Kur shkova po atë natë të 29 prillit ia urova ditëlindjen meshtarit dhe ai e pashë se sytë ngazëlluan në dritë mirësie. E uroi edhe Dom Fredi dhe Beni. Aty e kuptova se nuk ishin mbledhur për të festuar, por thjeshtë si mundësi për tu takuar e biseduar së bashku si meshtarë. Aty Dom Ndou me njofton se më 1 maj do të bëhet promovimi I librit të Nusret Pllanës në Kishën “Zonja Pajtore” ndaj duhej të përgatisja një përshëndetje të shkurtër. Do të vinte edhe Dom Lush Gjergji si recensent i librit të Profesor Pllanës…Dom Nduja nuk e festoi 70 vjetorin për të festuar daljen e këtij libri. Libri është si njeriu, edhe ai ka ditëlindje. Me thjeshtësi meshtari e bekoi këtë ditëlindje të kujtesës kombëtare shqiptare.

Dy fjalë nga impresionet e mia

Përurimi  i librit të Nusret Pllanës, peshën e ka të çmuar, sepse është pesha e dhimbjes të një kombi që ka bërë sakrifica sublime për liri. Ky libër e ka bërë me meritë vendin në skedarin e ndërgjegjës kombëtare, të akademive shkencore dhe bibliotekave të fjalës shqipe dhe atyre ndërkombëtare.

Ky libër voluminoz me foto dhe shënime përkatëse, është një institucion shkencor e i dëshmisë figurative dokumentare dhe historike. Çmimi i madhi lirisë së një kombi.

  Është një punë kurajoze, disa vjeçare, sfilitëse, e cila për shumë vite ka fjetur nën dhe me heronjtë dhe martirët, dhe e nënçmuar nga pluhuri politik i harresës, të cilën nuk e ka bërë një institucion akademik shtetëror apo universitar, që del në dritë vetëm nga drita e shpirtit atdhetar të autorit.

   Libri është një mozaik i gjenocidit të një populli të shtypur nga makina më e rëndë ushtarake në Evropë,  nga ajo serbe ndër vite.

   Është një përmendore plot vezullim drite, i kujtesës së një  kombi për të mos u harruar. Zjarr i ndezur i kujtimit të gjakut të dëshmorëve. Heronjt nuk bien për medalje, por gjaku i tyre ushqen faren e lirisë.

Libri është një pasqyrë e gjallë e fytyrës me të gjitha shqisat në gjerdanin e patriotizmit dhe te flamurit tonë kombëtar, një vlerë e shtuar e të vërtetës historike që prek thellë ndërgjegjen e njerëzve të çdo rangu. Ky libër është një leksion dhe një  mësim i madh, për t’u patur në vëmendje, e sidomos për krijuesit dhe gjeneratat e reja.

Sepse hapi i parë i shuarjes së një kombi nuk është lufta e pushtimi, se ne jemi pushtuar 56 herë në dymijë vjet, por është fshirja nga memoria e historisë dhe kulturës së tij. E kjo fillon me djegien e librave, siç i dogjën 40 mijë vetëm të jezuitëve të Shkodrës,  t’u shkatërrosh kulturën, historinë dhe gjuhën me të cilen kanë folur dhe kanë rënë për të. Historia jonë e pa shkruar saktësisht është bërë lamshqe, vështirë t’i gjendet filli. Eliminimi vjen kur librat ua shkruajnë të tjerët, siç ne u referohemi të huajve, qofshin ata edhe kalimtarë të rastit, siç i referohet bujku hënës për të mbjellë. Dhe kështu, pas pak dekadash brezat nuk dijnë nga erdhën, kush janë dhe nga shkojnë.

Ne kemi qenë të pushtuar ndër shekuj, por kemi mbijetuar. Pushtimi më i madh ka qenë pushtimi ndaj vetvetës. Kemi qenë të vrarë se vramë besimin. 160 priftërinj që kishin mbaruar 800 vjet shkollë në perëndim, 7 ortodoksë dhe 28 lider musliman nuk janë pak për një komb të vogël në teritor. Nuk ishin thjeshtë vrasje fizike, por vrasje shtetërore e tempullit të shenjtë për të zhdukur mesazhin letrar dhe historik të veprave të tyre, për të krijuar realizmin socialist, të shartuar jo në tregun kombëtar të vlerave të trashëgimisë, por në parimet e krijimit të njeriut të ri ideologjik.

Dhe më e tmerrshmja ishte vrasja e “Gjuhës Krisht” siç e kanë konsideruar shkrimtarët e famshëm Arshi Pipa e Martin Camaj, madje dhe italiani Zef Valentini.

Libri i Nusret Pllanës na bën sot me dije se duhet shkruar në kohë historia e kombit tonë, për të mos lënë të bjerret. Për ne në mërgatë,  është një thirrje për t’i ruajtur vlerat tona, e sidomos gjuhën. 35 mijë femijë e të rinjë në komunitetin tonë, nga të cilët 25 mijë nuk dijnë ta shkruajnë shqipen e bukur të Naimit e të Fishtes.

Ky promovim bëhet sot në Kishën Zonja Pajtore. Le t’i themi autorit të lumtë, dhe me vepra më të bukura, e t’i urojmë Dom Ndues 70 vjetorin, këtij shërbestari të devotshëm të shembëllimit në Krishtin dhe në sytë e mërgatës, këtij punëtori të palodhur, që ka ngritur një digë, për të na mbrojtur nga vërshimet e asimilimit.

Si u shpërnda vala e zërit të luftës edhe në paqe?

Ky zë u shpërnda në 50 vepra historiko dokumentare të autorit Pllana në 30 filmat e tij dokumentarë  dhe në 7 ekspozita të hapura në disa vende të botës. Zani promovues mbërriti në 50 qendra europiane e deri në Amerikë, Kanada e Australi.

Nusret Pllana është guximtari i vetëm i dhimbjes, se ciflat e predhave dhe të granatave nuk ia mbuluan fjalën me dhe, nuk ia vranë driten e syve se, ai Rrnon me Diftue…

Dy mirënjohje mori nga Biblioteka Botërore e Kongesit Amerikan, nga Biblioteka Botërore e Britanisë së Madhe në Londër, “Victoria” e Australisë, Akademia Ushtarake e Gjermanisë, etj.

Nuk është zëri i autorit, por i një gjysmë milioni të shqiptarëve të vrarë padrejtësisht, në mënyra të ndryshme, më barbaret, më makabret që njeh historia e njerëzimit ndonjëherë. Në një periudhë 140 vjeçare gjenocidi serb thuri 24 elaborate për zhdukjen e shqiptarëve në mënyrë kolektive. Për 150 vjet janë ushtruar katër gjenocide mbi popullin shqiptarë të Kosovës. E kështu zani i Nusretit flet edhe me gojën e 570.000 heronjëve të rënë. Politikanët kanë hedhur shtat në kolltuqet e perandorit, por gjaku i të rënëve që nuk është tharë një ditë do t’ua zërë sytë. Njerëz si Nusreti nuk pranojnë që lloj-lloj tugjari e  udbashi të jetë veteran i parë i luftës së Kosovës. Se shpirti i Nusretit dhe i Nusretëve të tjerë(bashkëluftëtarë të tyre) nuk pranojnë që heronjtë e luftës të trajtohen si lypësit e rrugëve, se plaga e tyre dhemb tani më shumë në paqe se në luftë. Se ua kanë grabitur lirine matrapazët e mafijozët, dhe në qiellin e Prishtinës kanë ngritur çerdhe përsëri korbat e zeza.

Takimi promovues në Kishën “Zonja Pajtore” nisi me meshën e shenjtë të celebruar nga Dom Lushi, Dom Nduja dhe Dom Antoni, ku ishin të pranishëm edhe autori Pllana, Shoqatat e Detroitit dhe Shoqata e shqiptarëve të Kanadasë.

Dom Lush Gjergji – vlerësoi edhe një herë momentin më të rëndësishëm historik të kombit tonë,  shenjtërimin e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës në Romë, më 4 shtator 2016 dhe  të 38 martirëve meshtarë katolikë të ekzekutuar nga diktatura komuniste. Dom Lushi e cilësoi Nënë Terezën ikona e dashurisë njerëzore.“Ne e shikojmë Zotin në rrudhat e fytyrës së saj, fytyrë e meshirës dhe e humanizmit njerëzor. Sëmundja më e rëndë  e njerëzimit sot është mungesa e dashurisë. Ajo me veprën e saj e fitoj jetën dhe për ne i dha kuptim asaj!”

Në sallën e kulturës u shfaqën dy filma dokumentarë të përgatitur nga profducenti Nusret Pllana,me skenar dhe fegji të Luan Kryeziut.  Shoqata “Nëna Terezë” – aktiviteti i kësaj shoqate humanitare bëmirëse, në drejtim të së cilës ishin shqiptarë të besimit musliman që paragjykimet ia kishin lënë kohës së shkuar. Të përfshirë në dhunë e terror, secili dha diçka nga vetja, bile 150 prej tyre u përjetësuan në Altarin e Lirisë -dëshmorë të humanitetit. Shoqata u krijue në vitin 1990, kur populli nuk kishte një kafshatë bukë dhe një sapun për të larë sytë. Shoqata përveç se ndihmoi me ndihma ushqimore e veshmbathje vaksinoi rreth 100 mijë femijë. Të gjithë fëmijët që lindën në atë periudhë janë gjallë e shëndosh edhe sot. Ajo dha medikamente  e veshmbathje për luftën. Kryetari i shoqatës “Nëna Terezë” të Hanit të Elezit,  Dr.Gafurri me të birin u vranë nga forcat barbare serbe në prag të shtëpisë, po ashtu edhe katër antarë të Kryesisë humbën jetën nga plumbat e mizorit. Forcat serbe dogjën 100 depo dhe 96 ambulanca të shoqatës humanitare “Nëna Terezë”

Dokumnetari i dytë “Dëshmitë e Heshtura”i kushtohej 241 vrasjeve(civilë shqiptarë) në fshatin Krushë e Madhe të Kosovës. Gjykata e Hagës zbuloi në Kosovë dy kremotoriume si ato të Aushvicit gjerman dhe 660 varreza masive që nuk kanë përgjigje nga drejtësia.Qengji që u sakrifikua barbarisht ishte shqiptari i Kosovës. Asnjë nga dëshmitarët nuk është thirrur të dëshmojë para Tribunalit të Hagës. Rubin Kuk, ministri i jashtëm anglez që e vizitoi këtë fshat tha: “Përgjegjës për këto vrasje masive janë vrasësit por edhe urdhëruesit nga Beogradi!”

Prezantimin e librit”Terrori i Serbisë mbi Shqiptarët 1884-1999″(botimi i gjashtë i plotësuar), i përkthyer në tetë gjuhë të botës e bëri Dr. Gjekë Gjelaj. Ai tha se treni i të drejtës së shqiptarëve është ndaluar nga serbët dhe nga rusët, por shqiptari me të drejtën e vet do të bëjë që  lokomotiva e këtij treni të eci deri në zgjidhjen e problemit.

  Dom Lush Gjergji tha: “Tri çështje u bënë shtysë për këtë libër. E para – kujtimin të mos e mbulojë harresa. E dyta – Jo për hakmarrje. Mos u harroftë ajo çka ngjau dhe mos u përsëritë askund. Kush heshtë e pranon. A është e mundshme të heshtim, sikur s’ka ndodhur asgjë?! Krimi dhe krimineli nuk duhet të barazohen me viktimën. A mund të heshtësh për hir të pajtimit?! Dhe e treta – njerëzit e zhdukur. Si është e mundur të zhduket njeriu. Zoti na e ka dhanë jetën për ta shijuar dhe vetëm ai na e merr. Ne kërkojmë dashuri e drejtësi, jo hakmarrje!”

Dom Fred Kajaj: “Nuk ka paqe pa drejtësi, pa të vertetën. Me serbët na ndanë një qiell e një dhe, edhe pse afër kemi le! Si nuk ka një Muze për luftën në Kosovë?! Po thuajse të njejtën pyetje shtroi edhe Dom Anton Kqira, se si ka mundësi që politikanët  e Kosovës nuk e vlerësojne këtë libër që është dëshmitari më i vërtetë i dramës Kosovare për më shumë se 100 vjet, apo mbushin xhepat?! Takimin e përshendetën edhe Luigj Gjokaj, Marash Nuculaj, Anton Lajcaj, Mikel Dema, Kujtim Qafa, Dr.Ruki Kondaj e Ramazan Këllezi nga Kanada. Takimin e moderoi Rita Gjelaj dhe u filmua nga dy televizionet e komunitetit.

Në fund përshendeti autori Nusret Pllana:

“Mbas heronjëve dhe martirëve vjen diaspora, të cilën e nderoi me gjithë zemër për kontributin e saj për çështjen kombëtare dhe ngritjen e funksionimin e institucioneve të Kosvës. Unë kam projekte të tjera për ta çuar në 10 vëllime këtë trajtesë. Synojmë që dokumentari për SHHB “Nëna Terezë”, po patëm përkrahje financiare nga shteti, të paraqitet si konkurrent për çmimin “Oskar” në Amerikë….” Autori nuk e fshehu brengën se, si ka mundësi që asnjë lider i Kosovës nuk pati guximin që këtë libër të ia dhuronte Ivica Daçiqit, Mogerinit apo Ban ki Mun-it, gjatë takimeve…?!! Zëri i Nusret Pllanës do të flasë!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …