Një libër ndryshe për Rexhep Malajn, "tërmeti" që dridhte burgjet jugosllave

Një libër ndryshe për Rexhep Malajn, “tërmeti” që dridhte burgjet jugosllave

Veprimtari, krijuesi dhe publicisti, Agim Sylejmani, tashmë ka bërë emër meritor, sidomos në angazhimin e tij për të ndriçuar disa nga momentet kyçe të historisë sonë më të re, të cilat i ka sjellë para lexuesit, qoftë si studime, rrëfime, vepra dokumentare, por edhe vepra  letrare e artistike.

Agimi, duke qenë edhe vetë në mesin e “Armatës” së qëndrestarëve, që zakonisht ende i quajmë ish-të burgosur politikë, pastaj bashkëvuajtës me qindra të burgosur për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, të cilin ish-regjimi i RSFJ-së e kualifikonte si veprimtari nacionaliste e irredentiste  kundër bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë së shqiptarëve me serbë e sllavë të tjerë, duke qenë i bindur në rrugën e drejtë për liri, drejtësi e barazi, ka arritur të manifestojë edhe botën e tij origjinale, vrojtuese e krijuese, në veprat e botuara pas luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë.

Në mesin e tetë veprave, që deri tani i nxjerrë në dritë, Agim Sylejmani, kësaj radhe do ta marrim për analizë e interpretim, veprën publicistike: “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”, që është b0tuar në mars të këtij viti.

Libri, “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”, është  libër i veçantë për faktin se heroi i kombit, është parë  në radhë të parë me syrin e inspektorëve të UDB-së, me qasjen, hetimet dhe keqtrajtimet  që ata i kishin bërë atij  gjatë vuajtjes së dënimit,  sidomos në “Burgun e Idrizovës” në Shkup, i cili  së bashku me Goli Otokun e Burgun e Nishit ishi tri ndër burgjet më famëkëqija të ish-Jugosllavisë.

Autori duke qenë hulumtues i zellshëm i veprimtarisë së bashkëmendimtarit dhe bashkëveprimtarit të tij, tani heroit, Rexhep Malaj,  ka arritur të zbulojë edhe fakte e dëshmi nga një pjesë e arkivave të UDB-së, të cilat hedhin dritë mbi disa anë të panjohura deri tani të veprimtarisë së Rexhep Malajt, Rafi Halilit, Binak Ulajt, Njazi Korçës, Gafurr Lokut (dëshmor i UÇK-së së bashku me djalin e tij, Dritonin)  dhe disa të burgosurve politikë shqiptarë, në Burgun e Idrizovës në vitet 70-të të shekullit 20-të.

Libri ka dy dimensione të mbarështruara në shtjellimin dhe në analizën e lëndës. Dimensioni i parë është materiali dokumentar, i përkthyer nga gjuha maqedone, i prezantuar nga origjinali në gjuhën shqipe dhe dimensioni i dytë, interpretimi realist dhe studimor, që i ka bërë atij materiali, autori i librit, Agim Sylejmani, duke nxjerrë edhe përfundime të caktuara brenda kontestit dhe nëntekstit, brenda kohës dhe hapësirës, pasi është njohës i jashtëzakonshëm i veprimtarisë atdhetare të Rexhep Malajt e disa veprimtarëve të tjerë.

Cili ishte Rexhep Malaj dhe pse aq shumë i frikësohej Sigurimi i Shtetit, edhe pse e mbante të prangosur dhe nën një regjim të trajtimit mizor, fizik dhe psikik?

Të gjithë bashkëveprimtarët dhe bashkëvuajtësit shqiptarë nëpër burgjet ku kanë vuajtur dënimin së bashku me Rexhep Malajn, pajtohen në konstatimet  që flasin më së miri për karakterin, temperamentin, forcën, guximin, shpirtin revolucionar të  vetëflijimit, solidaritetin me të gjithë të burgosurit dhe qëndrimin e tij vertikal, kurrë të mposhtur. Të gjithë pajtohen se ai ishte, ta themi një “Promethe” i kohës sonë, i cili edhe pse mbahej në pranga, kurrë nuk jepej, sepse kishte një besim të thellë në të drejtën e tij, kishte një ndjenjë të thellë atdhetarie, të cilën nuk mund t’ia bënte zap askush, as edhe me metodat më brutale e më barbare, që kanë përdorur mbi trupin e tij, dhunuesit nga radhët e UDB-së.

Pikërisht sepse ishte i tillë, ia kishte frikën regjimi gjakësor, i cili ndodhej para dilemës se si do t’ ia dilte në krye me të.  Ata, nuk e kishin të vështirë ta eleminonin, sikur kishin eleminuar shumë të tjerë, por po ashtu ishin të vetëdijshëm se do ta bënin hero, shembull për qindra të tjerë, madje një shembull krejt të veçantë, që rrezatonte forcë e siguri në vetvete, pasi ishte nga ata që edhe vdekjes i thonë, plaç!

Po kështu në bazë të materialit, të cilin e ka sistemuar, autori i librit, Agim Sylejmani, zbulojmë se vëzhgimi i pandërprerë që i bënte Sigurimi i Shtetit me autoritetet e caktuara të burgut, Rexhep Malajt, kishte për qëllim që t’i zbulonte edhe lidhjet e tij jashtë burgut, lidhjen jo vetëm me organizatën e tij,  por edhe me bashkëmendimtarë te të cilët kishte depërtuar, falë gjeturisë dhe konspiracionit, falë taktikave ndër më të ndryshmet, deri edhe te shpikja e një alfabeti të veçantë, të cilin nuk e dëshifronin dot as ekspertët më të njohur të kohës.

Rexhep Malaj, kundruar nga këndvështrimi i inspektorëve të UDB-së por edhe i një pjese të autoriteteve politike me ndikim të kohës, madje jo vetëm në Maqedoni por edhe i niveleve federale, na bën të kuptojmë se rreth tij ishte krijuar një “mit”, miti i qëndrestarit të pa kompromis, miti për njeriun që e ke në duar, e ke në pranga, por nuk je i sigurt se e pushton apo e mposht në asnjë mënyrë, me asnjë metodë, madje as me likuidim.

Kjo është përshtypja që krijohet pas leximit me kujdes të materialit faktik, të cilin e ka prezantuar, Agim Sylejmani  në librin e tij, “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”.

Në këtë libër zbulohet edhe një dimension tjetër  i angazhimit të UDB-së, sikur ishte instruktimi  dhe infiltrimi i  njerëzve të caktuar në mesin e të burgosurve politikë nga radha e atyre që ishin penduar dhe kishin pranuar të bashkëpunonin me inspektorët e UDB-së, me kushte dhe për përfitime  të caktuara.

Dëshmitë e arkivuara të UDB-së flasin për “lidhjet operative” të kishte vendosur UDB-ja brenda të burgosurve, sikur ishin:

Lidhja operative, Baki Imeri i koduar me nofkën “Sharski”,  mbase nga “Sharski pas”, (qeni i Sharrit apo thjesht një kod i rastësishëm.).

Lidhja operative Seladin Dalipi, po kështu një i burgosur i instruktuar.

Lidhja operative, Daut Kadriu,  apo Daut Kadriovski një super agjent i UDB-së jugosllave.

Në materialet e zbuluara të UDB-së e të prezantuara në këtë libër hetohen edhe disa emra të tjerë, të cilët nuk janë në lidhje direkte operative, por hetohet një dozë dyshimi  lidhur me bashkëpunimin e tyre, edhe pse nuk flitet për fakte konkrete, sikur është rasti për tre të instruktuarit.

Nga materiali faktik, arrihet në përfundim se Rexhep Malaj kishte një sens të lindur, mbase edhe të kalitur nëpër burgje, për të hetuar të dyshuarit. Ai, në disa raste del të ketë qenë i rezervuar me disa nga të burgosurit, edhe pse nuk kishte shfaqur ndonjë dyshim të caktuar, ndonjë fakt konkret. Kjo na bën të kuptojmë se Rexhepi kishte një strategji korrekte gjatë komunikimit me të burgosur dhe nuk binte pre, aty për aty e thashethemeve.

Duke qenë revolucionar i lindur dhe i shkolluar, i kalitur sikur kalitet  çeliku dhe me një përvojë të gjatë në komunikim me të burgosur, ai ndihej i sigurt në vetvete edhe për faktin se shumicën e veprimeve i bënte hapur, brenda burgut, sikur ishte organizimi i grevave, shkrimi i peticioneve,  dialogu diskret me autoritetet e burgut, qëndrimi i paepur në kërkesat e drejta të të burgosurve, duke kërkuar gjithnjë më shumë, pavarësisht rregullores së burgut.

Ai këtë e bënte për të treguar hapur se, edhe pse i prangosur, ishte në luftë të pandërprerë kundër autoriteteve të burgut, të cilat zbatonin urdhër-dhëniet.

Nga të dhënat sekrete të kohës, tashmë të zbuluara, del se Rexhep Malaj, sidomos në burgun me famë të keqe të Idrizovës, afër Shkupit, ishte “tërmeti” që e dridhte atë nga brenda, duke pasur prapa edhe disa shokë besnikë e të kalitur, të cilët ishin treguar të pathyeshëm dhe në të shumtën e rasteve e kishin përkrahur  pa rezervë.

Rexhep Malaj, ishte i burgosuri politik, ishte ekzemplari më militant dhe më i pa kompromis nga të gjithë të burgosurit e kohës së tij, ishte revolucionar “sui generis”, ishte i burgosuri që i sfidonte prangat edhe grilat, pushtuesin dhe ligjet e tij e të gjitha autoritetet e burgut.

Edhe ana  tjetër e karakterit dhe temperamentit  të tij ka qenë brilante.

Ishte shumë i dashur dhe solidar me të gjithë, ndante kafshatën e bukës si me shokun e idealit, ashtu edhe me të burgosurin tjetër, hallexhi, cilido të ketë qenë ai, mjaftonte të mos ishte eksponent i regjimit edhe brenda burgut. Për virtytet e tij flasin të gjithë ata që e kanë njohur, veçmas autori i librit dhe shoku i tij i idealit, Agim Sylejmani.

Jeta dhe  vepra e Rexhep Malajt duhet parë e studiuar edhe në segmente dhe aspekte të tjera, sepse ai ka qenë protagonist i shumë lidhjeve e organizimeve, ka qenë shembulli më tipik i shpirtit revolucionar shqiptar që e kishin prodhuar rrethanat e kohës nën robëri, ka qenë shembull i papërsëritshëm i shqiptarit militant ademdemaçian dhe ademjasharian.

Ahmet Qeriqi

Shtime

  1. 11. 2021

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …