Zoja Pali

Zoja Pali, është këngëtarja, e cila i këndoi me përkushtim të jashtëzakonshëm, Enver Hoxhës II

Intervista e plotë  e Zoja Palit  për PanomramA

 

(Apr 21, 2014 | 14:54  Linku: http://www.panorama.com.al/zoja-pali-si-me-detyruan-te-kendoj-ne-ditelindjen-e-enverit/)

Kënga e Zoja Palit nuk kishte shkelur më herët skena festivalesh o teatrosh, nuk kishte interpretuar as si amatore, jo më si profesioniste, ama urdhri ishte kategorik dhe i drejtpërdrejtë nga Komitetit Ekzekutiv i PPSH-së. Zoja Pali, mësuesja pukjane, u detyrua që t’i këndonte Partisë, ashtu si të dinte, edhe pse deri më atëherë kishte kënduar vetëm në ndonjë sebep familjar. “Fjalë prej zemre”, kënga fituese në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës e kënduar nga ajo, ishte krijuar për udhëheqësin komunist, në shenjë mirënjohjeje dhe dhurate në ditëlindjen e tij. Aq të sikletosur duhet të kenë qenë autorët e saj, saqë e ndryshuan tekstin vetëm dy orë përpara daljes në skenë të këngëtares. Kënga duhet të ishte sa më heroike. Për këtë interpretim, vetë Zoja u vlerësua me dekoratë të posaçme nga Enver Hoxha, për të nisur kështu rrugëtimin në fushën e artit. Mirëpo, dukej sikur ajo kishte lindur për t’i kënduar vetëm udhëheqjes. Pas këngës për Enverin, të njëjtët autorë krijuan edhe një për Ramiz Alinë, 3 vjet pas vdekjes së diktatorit. Kënga me titull “Gjëmojnë lodrat në malësi”, në vitin 1988, do të kthehej në mollën e sherrit të festivalit. Por, me urdhër të Alisë u arrit të ndërpritej transmetimi i saj në radio e televizion.

Edhe pse prej vitesh ndani jetën mes Italisë dhe Shqipërisë, sërish duket se publiku nuk ju ka harruar… Si nisi karriera juaj muzikore?

Të jem e sinqertë, pak më ndryshe nga artistët e tjerë, për arsye se unë s’e kisha menduar dhe as imagjinuar kurrë të bëhesha këngëtare. Së pari, kam qenë shumë e ndrojtur si natyrë dhe së dyti me humbjen e nënës kur isha në klasë të tetë dhe të babait sapo fillova vitin e parë të shkollës së mesme, pesha e këtyre dy dhimbjeve më rëndoi shumë, ndaj as që më kishte shkuar mendja të këndoja ndonjëherë. Duke qenë një familje e thjeshtë punëtore, nuk mendoja të ngatërrohesha në muzikë e skena festivalesh. Në ato kohëra ndikonte opinioni që kush merrej me art, shikohej si “njeri i qejfit”, individ jo shumë i lartë moralisht… Por, unë gjithnjë kam qenë e mendimit se janë të pamoralshmit që njollosin artin, jo arti që i bën njerëzit të pamoralshëm. Në vitin 1978 mbarova shkollën e mesme pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë dhe u ktheva mësuese në fshatin tim të lindjes, Berishë, Pukë.

Nga mësuese në këngëtare… Ishit e angazhuar më parë në grupet artistike të rrethit?

Në maj të 1983-s zhvillohej konferenca e partisë e rrethit Pukë dhe më vjen një telegram urgjent nga Komiteti Ekzekutiv që të paraqitesha në seksion të arsimit. Isha mësuese dhe menjëherë u shqetësova se çfarë kishte ngjarë, ndonjë gabim me nxënësit, ndonjë problem në mësimdhënie… Kur u paraqita në zyrën e arsimit, zëvendësshefi i arsimit më thotë që është konferenca e partisë, e cila mbahej në 16 tetor dhe unë duhej të këndoja në koncert. E habitur i them që s’dija të këndoja… Nuk kisha zë, nuk kisha kënduar më herët dhe as isha marrë me muzikë, ndaj nuk kishte vend që të më detyronin të bëja një gjë që s’e dëshiroja. Menjëherë më vjen përgjigjja me një ton të rreptë dhe fjalët: “Ashtu si të dish do të këndosh. Ti je mësuese e pastaj, çfarë?! Nëse ti s’i këndon Partisë dhe Enver Hoxhës, kujt do t’i këndosh? Si do e edukosh brezin e ri? Shko menjëherë te Pallati i Kulturës”. Nuk mund ta bëja dysh fjalën e të deleguarit të Partisë, pasi ishte urdhër i Komitetit Ekzekutiv.

Po pse ishin drejtuar ata direkt te ti?

E them shumë sinqerisht që unë nuk kisha kënduar asnjëherë në jetën time, në ndonjë sebep familjar ndoshta, por kjo nuk më bënte mua artiste. Fakti që isha mësuese, do të thotë që e kisha një profesion, ndërsa përfshirja në muzikë më erdhi e detyruar nga “lart”. Kështu, pas urdhrit vajta në Pallatin e Kulturës, aty më prisnin drejtori Lin Shahini, shefja e muzikës Sabrie Nushi, Ndue Shyti, bashkë me tre orkestrantë, Fran Zefi, Sadri Lleshi dhe Besnik Haxhia. Nuk mund ta harroj kurrë në jetë këtë moment: unë thosha nuk di, ata më luteshin të këndoja çfarë të dija… U sforcova shumë, pas provash të njëpasnjëshme, derisa ata u bindën që unë mund të këndoja një këngë për Partinë, për shokun Enver Hoxha, natyrisht një këngë e një rëndësie të veçantë.

Si për herë të parë, një këngë për Enver Hoxhën, ishte një përgjegjësi e madhe, apo jo?

Zoja Pali me grupin folklorik të Pukës, në festivalin e Gjirokastrës

Në vitin 1983, kur më angazhuan për herë të parë që të këndoja, po në këtë vit do zhvillohej Festivali Folklorik i Gjirokastrës, ku u zgjodha të marr pjesë edhe unë. Sigurisht, komisioni i muzikës ishte ai që vendoste për çdo numër se kush do ta këndonte… Kështu, për mua ata kishin vendosur të më jepnin këngën “Fjalë prej zemre”. Për këtë aktivitet bëheshin tre muaj prova. Faktikisht, kjo këngë nuk më pëlqente shumë kur ma dhanë, pasi ishte këngë e kënduar në TVSH nga një kolege më e vjetër në art, me një tekst tepër të fuqishëm për fjalimin e shkurtit të Enver Hoxhës për Sazanin dhe Karaburunin. Ishte një nga fjalimet që bëri bujë të madhe, për faktin se udhëheqësi për herë të parë doli hapur kundër provokacioneve të jugosllavëve, duke thënë që “Sazani dhe Karaburuni janë të pacenueshëm, jugosllavët ta provojnë po ua mbajti…”. Emocionet dhe angazhimi im kanë qenë të jashtëzakonshme, sidomos për faktin se vetëm dy orë para daljes në skenë më kanë ndërruar tekstin e strofës së parë…

Për çfarë motivesh u ndryshua?

Afërmendsh që të theksoheshin më shumë fjalët për Enver Hoxhën. Teksti ishte shkruar nga regjisori i Pallatit të Kulturës Pukë, Fran Vukaj, pastaj janë bërë ndryshime disa herë, kurse muzika është bërë nga Artisti i Popullit, Ndue Shyti. Vargjet u shtuan, dy nga Frrok Haxhia dhe dy nga Fran Pali. Mbas prezantimit tim nga Flutura Çangu. Kur ka filluar orkestra, sa s’më pushonte zemra nga emocionet dhe nuk më kujtohej asgjë prej strofës që më kishin ndryshuar. Fillova çfarë më erdhi për momentin në mend, boll mos të ngelesha në skenë:

  “Gjirokastër Heroinë

Bujarisht prite Shqipëri

të sollëm këngën burim drite

të lumtë për djalin që ti rrite”

Nëse të tjerët në një farë mënyre ishin të detyruar të duartrokisnin, cili ishte reagimi i vetë Enver Hoxhës kur dëgjoi këtë këngë?

Festivali përkoi edhe me gjendjen disi të rënduar shëndetësore të udhëheqësit, ishte vetëm dy vite përpara se të ndërronte jetë. Kështu që kur të gjithë spektatorët u ngritën në këmbë, edhe ai i pamundur fizikisht dhe duke sforcuar veten, por me shoqërinë e pandarë të Ramiz Alisë, i cili gjatë gjithë kohës i qëndronte afër, i fuste krahun herë pas here për ta mbajtur afër, u çua. Enveri dukej sikur do të binte nga momenti në moment, por u afrua me buqetë me lule për të na përgëzuar dhe për të na përshëndetur të gjithëve, patjetër që edhe mua.

Keni kënduar dhe herë të tjera për udhëheqjen?

Kam kënduar këngë të ndryshme në vite, edhe pse angazhimi im ka qenë në një periudhë të shkurtër. Në vitin 1988 do zhvillohej si gjithnjë Festivali i Gjirokastrës dhe unë kisha përsëri një këngë të ngjashme me atë të 1983-shit, e cila i kushtohej Ramiz Alisë, titullohej “Gjëmojnë lodrat në malësi”’. Teksti u shkrua sërish nga Fran Vukaj e muzika Ndue Shyti. Por, suksesi im i Festivalit të mëparshëm kishte shkaktuar xhelozi te disa kolegë, të cilët kishin organizuar prapaskenën më të shëmtuar që mund të më ketë ndodhur… Sapo u prezantua emri im, filluan durtrokitje të fuqishme në Kalanë e Gjirokastrës dhe, kur filloi orkestra, më vijnë pranë mikrofonave në të dyja anët tre kolegë, të cilët kishin organizuar të këndonin bashkë me mua, pasi vetëm nuk ishin në gjendje të performonin dhe sapo i pashë, jam larguar nga mikrofoni dhe jam futur në kor, duke i lënë të këndojnë ata vetëm. Dhe sot e kësaj dite publiku s’ka kuptuar se çfarë ndodhi. Dikush ka menduar se isha e sëmurë… Vetëm drejtuesit e rrethit dhe të Ministrisë e kanë kuptuar menjëherë dhe është ndaluar urgjent transmetimi i kësaj kënge në televizion dhe në radio nga vetë Ramiz Alia. ( Intervistoi Ermira Isufaj)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …