leoni

Fjala e plotë e kryetarit Latifi në seancën inauguruese

Fjala e plotë e kryetarit Latifi në seancën inauguruese

Të nderuar anëtarë të zgjedhur të Kuvendit Komunal të Rahovecit, familjarë të dëshmorëve, organizata të dala nga UÇK, përfaqësues fetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, afaristë, fermerë e punëtorë, studentë e të rinj, të nderuar të pranishëm, ju përshëndes të gjithëve!

Të respektuar qytetarë të komunës së Rahovecit,

Është nder i madh dhe njëkohësisht përgjegjësi e madhe të dal sot para jush në këtë ceremoni solemne për të thënë disa fjalë, që nuk janë fjalë vetëm ceremoniale. Në fillim duhet të falënderoj të gjithë ata qytetarë që me vullnetin e tyre të lirë i kontribuuan procesit demokratik zgjedhor, si dhe subjektet pjesëmarrëse në garën politike për korrektësinë e treguar në këtë proces. Në raste të tilla është e udhës që të zotohemi, edhe solemnisht se, do të jem i përkushtuar maksimalisht t’ju shërbejë me nder, përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie. Sistemi ynë politik ofron mundësi dhe hapësira për bashkëpunim institucional dhe përmbushja e këtij obligimi ofron përparësi të mëdha për qytetarët. Kultivimi i raporteve korrekte kolegiale, respektimi i mendimit ndryshe dhe përqafimi i propozimeve të dobishme, përbëjnë bazën e një demokracie funksionale. Bashkëpunimi i ekzekutivit komunal me Kuvendin e Komunës është ndër detyrat tona dhe nënkupton respekt për vetë qytetarët. Përbërja diverse e Kuvendit është pasuria jonë e përbashkët dhe propozimet, idetë e pikëpamjet e kuvendarëve do të ndikojnë në ruajtjen e balancit qeverisës. Bashkërisht mund të arrijmë suksese të dukshme dhe ne të gjithë jemi të interesuar që përpjekjet e angazhimet tona të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Qeverisja e mirë, demokratike, transparente dhe llogaridhënëse përmbush në masë të madhe kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, prandaj do të vazhdojmë përpjekjet e vendosura që të dalim faqebardhë para qytetarëve tanë. Të gjithë e duam një komunë të fortë, të zhvilluar, të përparuar dhe që qytetarët tanë të ndjehen të përmbushur, të respektuar dhe krenarë që i takojnë kësaj komune me njerëz të vyeshëm e punëtorë. Përmbushja e këtyre pritjeve është obligimi ynë moral e institucional, bazuar në një program të qartë dhe të analizuar me kujdes. Arritja e këtyre synimeve do të bëhet në përputhje me zotimet publike që i kemi dhënë, i vetëdijshëm se për këtë kërkohet punë e përkushtim i madh.  Dua ta bëj të qartë se do të punojmë shumë për të evituar vonesat e pengesat që mund të na dalin në rrugë, sepse dëshira jonë për përmirësimin e kushteve të jetës e të punës për qytetarët tanë është e madhe dhe ne jemi të vendosur në këtë rrugëtim. Ndër prioritetet tona kryesore do të vazhdojë të jetë bujqësia, pasuar nga ekonomia dhe përkrahja e prodhuesve, agroturizmi dhe krijimi i kushteve për punësim, përmes industrisë së agropërpunimit. Do të punojmë për administratë bashkëkohore, me shërbime të shpejta dhe cilësore, si dhe do të përkujdesemi që Arsimi, Shëndetësia dhe Përkujdesja sociale të jenë ndër çështjet ku do të fokusohemi me përkushtim e seriozitet. Në mandatin tonë të radhës vreshtarët do të vazhdojnë të trajtohen me respekt, duke ofruar ofruar mbështetje konkrete materiale e teknike, si dhe përpjekje të vendosura për sigurimin e tregut të rrushit e të verës, brenda dhe jashtë vendit. Infrastruktura publike do të ketë prioritet, ashtu si edhe angazhim i përqendruar për mirëmbajtjen e gjithë asaj që është bërë e do të bëhet. Të rinjtë do të zënë vend të veçantë në angazhimet tona institucionale, sepse funksionalizmi i potencialeve të tyre mendore, intelektuale e fizike, përbën bazën për ardhmërinë më të mirë të këtij vendi. Përfshirja e tyre në vendimmarrjen komunale dhe krijimi i hapësirave rekreative, sigurimi i objekteve moderne për shpërfaqjen e talenteve të të rinjve, do të ketë ndikim në zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror. Komuna e Rahovecit ka potencial të pashfrytëzuar të turizmit rural apo Agroturizmit, prandaj fokusi ynë në këtë sektor do të jetë i vazhdueshëm. Bukuritë natyrore të Rahovecit, por edhe prodhimet e bollshme e cilësore bujqësore, e favorizojnë këtë sektor. Në këtë mënyrë do të punojmë shumë që Rahovecin ta shndërrojmë në destinacion të preferuar për turistë nga Kosova, por edhe nga bota. Gjatë mandatit të ri, do ta kemi planin e konkretizuar për ta zhvilluar këtë sektor, që mund të jetë fitimprurës për komunën dhe qytetarët. Do të vazhdojmë me rregullimin e rrugëve fushore, që bujqve t’u krijohet qasje më e lehtë në arat dhe fushat e tyre bujqësore. Po ashtu, do të vazhdojmë me përkujdesjen për ambientin, duke rikultivuar deponitë e pastruara, pyllëzuar hapësirat e përshtatshme dhe duke ndërtuar parqe të reja nëpër lagjet dhe fshatrat e komunës sonë. Do ecim me plane të qarta edhe në arsim, të cilat pashmangshëm do të reflektojnë rezultate të ndjeshme në mësimdhënie. Kur i përmendim harta e sakrificës dhe vlerat e lirisë, përveçse në nderim e respekt të tyre,  kemi planet edhe tona për t’i ruajtur e institucionalizuar ato. Gjej rastin t’ju them se kontakti me qytetarët dhe debati me ta është rikthyer në planet tona, përditshmëria jonë, si një komponentë e vizionit që do të garantojë pushtet transparent, demokratik dhe në shërbim të qytetarëve. Për përmbushjen e këtyre zotimeve jemi të vetëdijshëm se kërkohet një bazë më e gjerë e konsultimeve me ekspertë të fushave të ndryshme, debate e takime me qytetarë e me shoqërinë civile, takime e debate publike me grupet e interesit, si dhe me pakicat etnike e me grupe të margjinalizuara. Me një fjalë, debati konstruktiv do të jetë baza e qeverisjes tonë. Përfshirja e potencialeve ekzistuese në hartimin dhe zbatimin e politikave zhvillimore, përbën elementin më të rëndësishëm të zhvillimit të gjithanshëm socio-ekonomik të komunës së Rahovecit. Natyrisht se të gjitha këto nuk do të mund të realizohen nëse nuk arrijmë të sigurojmë bashkëpunim të mirë me Qeverinë e Kosovës, me donatorët e brendshëm e të jashtëm, por mbi të gjitha me qytetarët tanë.

Të nderuar të pranishëm,

Të gjitha këto nuk janë vetëm fjalë boshe, por zotime që do të përmbushen me punë e përkushtim, disiplinë dhe angazhim maksimal të administratës civile komunale. Bashkë mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme, prandaj na priftë e mbara!

Faleminderit për praninë dhe mbështetjen tuaj! Ju uroj mbarësi dhe suksese!

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, njerëz të ulur, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë organizon tryezë diskutimi për aktivizimin kundër dhunës ndaj gruas

Komuna e Vitisë, përmes zyrës së kryetarit dhe Zyrës për Barazi Gjinore, ka mbajtur sot …