Me çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, çështja kombëtare shqiptare pjesërisht është përmirësuar, pjesërisht është zgjidhur, por nuk mund të quhet historikisht e zgjidhur. Kështu është shprehur akademik, Rexhep Qosja në tryezën shkencore me temën “E ardhmja politike e shqiptarëve” e organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave në Tiranë.
Fillimisht në këtë tryezë shkencore është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave në Tiranë dhe Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij, akademik Qosja ka shprehur nevojën që institucionet shqiptare të angazhohen që ta ndalin dukurinë e shpopullimit të trojeve shqiptare, çështje të cilën e konsideroi edhe mjaftë shqetësuese për shoqërinë shqiptare.
Sipas tij çështja kombëtare shqiptare mbetet edhe më tej çështje e rëndë kombëtare, dhe njëra nga më të rënda sot në Evropë.
“Me çlirimin e Kosovës prej pushtimit serb dhe me krijimin e shtetit të lirë të pavarur dhe mëvete të Kosovë, çështja kombëtare shqiptare pjesërisht është përmirësuar, pjesërisht është zgjidhur por nuk mund të quhet historikisht e zgjidhur. E shikuar e shprehur në gjithë shtrirjen e saj gjeografike dhe demografike me mënyrën e jetës së tyre në trojet ku shqiptarët janë popullatë e vetme a shumicë etnike, çështja kombëtare mbetet edhe më tej çështje e rëndë kombëtare, njëra nga më të rënda në Evropë sot. Trajtimi i çështjes së ardhme shqiptare jo vetëm në dy vendet shqiptare por kudo jetojnë ata sot përmban premtimin se me politik të menduar mirë, me politikë gjithëpërmbajtësore dhe gjithëaspektore të shihet qartë drejt realisht gjendja e tyre kudo janë ata dhe ashtu me një politik të tillë kurrë më pak e kurrë më shumë t’i kontribuohet pakuptimit për çështjen e tyre kombëtare në njërën anë kurse përmirësimit të gjendjes së tyre jetësore”, ka thënë Qosja.
Më tutje, akademik Qosja ka kërkuar nga politika shtetërore shqiptare të lirohet prej korrupsionit, krimit të organizuar dhe nepotizmit.
Po ashtu, akademik Qosja ka kërkuar që Kosova dhe Shqipëria të ndërtojnë në akademi të përbashkët dhe shkencave dhe arteve, e cila sipas tij do lironte mendimin akademik prej politikës dhe dallimeve krahinore.
“Është e nevojshme të bëhet çmos për punësimin e të rinjve, kurse atyre që nuk mund të punësohen tu sigurohen të ardhura mujore siç bëhet në Francë me çka ndalet emigrimi i tyre. Është e nevojshme që njëmendësia politike shtetërore shqiptare të lirohet prej tri të këqijave të mëdha që cenojnë zhvillimin demokratik, që nxisin mosdurimin e qytetarëve ndaj strukturave politike, partiake shtetërore, që cenojnë prestigjin e shqiptarëve në botë të lirohet sa më shpejt dhe sa më rrënjësisht prej korrupsionit, prej nepotizmit dhe prej krimit të organizuar[…] Është e nevojshme që të krijohet një Akademi e Përbashkët e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka dyshim se krijimi i një akademie të tillë do të pasuronte shumë, do pasuronte vëllimisht dhe cilësisht krijimtarinë shkencore në të gjitha fushat e shkencave dhe do lironte mendimin tonë krijues prej partishmërive prej veçimeve krahinore dhe prej veçimeve të anshme që kanë pushtuar dy akademik, e në mënyrë të veçantë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, është shprehur Qosja.