Në Rahovec shënohet Dita e Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”

Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, me aktivitete të ndryshme kulturore e artistike ka shënuar Ditën e Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”, aktivitetet janë organizuar në shënim të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Sulejman Krasniqi, emrin e të cilës e mban biblioteka Komunale. Të pranishëm në aktivitete ishin familjar të shkrimtarit Sulejman Krasniqi, veprimtar të çështjes kombëtare, invalidë e veteran të luftës së UÇK-së. Në fjalën e tij, kryetari i komunës, Smajl Latifi ka thënë se meqë armiqtë vinin e shkonin dhe pas linin varre e mjerim, natyrshëm që do të ketë pasur heronj e martirë, të cilët i lanë gjurmët e veta në këto troje. Një nga ata që la gjurmë të dukshme dhe që nuk mund të fshihen dot, është edhe shkrimtari e patrioti Sulejman Krasniqi. Atëherë kur “miza brente hekurin” si i thonë fjalës, baca Sulë guxoi të kundërshtonte politikat shkombëtarizuese, antishqiptare dhe në esencë antinjerëzore serbe. E braktisi vendlindjen dhe u nis drejt të panjohurës. I vetëdijshëm për rreziqet, ai vendosi të ndryshojë formën e luftës kundër pushtuesit sllav. Shkrimet e tij historike dhe ndriçimi i fatit të heronjve të qëndresës shqiptare, që nga dardanët e deri tek pjesëtarët e UÇK-së, përbëjnë korpusin e heronjve të tij, që në fakt janë edhe heronjtë e kombit shqiptar. Ndonëse në rrethana të vështira dhe me shumë sfida, ai e përmbushi misionin e tij historik ndaj kombit shqiptar. Para se të largohej nga kjo botë, pa të realizoheshin disa nga synimet e tij jetësore;

Prezantimin e punës dhe aktiviteteve të Bibliotekës Komunale, është bërë nga shef i sektorit për rini dhe sport në DKRS Qemajl Krasniqi, duke thënë se Biblioteka Komunale në Rahovec ka histori më të gjatë, pasi që ishte hapur në kushte e rrethana kur libri shqip ishte i ndaluar të lexohej, madje akoma më keq të shkruhej. Me gjithë masat e ashpra kufizuese, dashamirësit e dijes kishin arritur që librin shqip ta sillnin në Rahovec dhe ta përhapnin me shumë pasion. Dashurinë për librin e kanë paguar shtrenjtë shumë njerëz të kësaj ane, por nuk kanë hequr dorë nga dëshira për emancipim të shqiptarëve. Njëri ndër ata që vuajti e u persekutua për shkak të librit dhe dashurisë për atdheun e lirinë, ishte edhe Sulejman Krasniqi. Biri i Hoçës së Vogël shfrytëzoi mundësinë që iu dha nga shteti amë dhe luftën për Shqipërinë natyrale e bëri me penën e tij të mprehtë.

Albana Krasniqi, vajza e shkrimtarit, ka falënderuar kryetarin e komunës, Smajl Latifi për organizimin e aktiviteteve në shënimin e Ditës së Bibliotekës Komunale në Rahovec, që mban emrin e babait tonë, Sylejman Krasniqi. Prezenca juaj si kryetar i komunës dhe të pranishmëve tjerë tregon respektin që ju keni për babain tonë, i cili nuk na përket vetëm neve. Ne ndjehemi  krenar që kemi pasur baba dhe që kemi gjakun e tij në vena.

Aktivitetet kanë vazhduar me vizitë në bibliotekës komunale “Sulejman Krasniqi, vizitë në shkollën e Mesme të Lartë “Heronjtë e Kosovës” në Hoçë të Vogël (vendi i lindjes së shkrimtarit) dhe vizitë truallit ku do të ndërtohet muzeu historik i Sulejman Krasniqit, aktivitetet do të përfundojnë me vizitë në kompleksin historik, kulturor e muzikor “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …