Thamë më sipër se te Fishta është kapur jeta e popullit dhe se kështu vepra e tij është bërë një pasqyrë besnike e folklorit shqiptar. Kjo rrjedh nga njohja e mirë e zakoneve të vendit nga an’ e poetit. Ky element popullor e përshkon veprën e tij aq fund e krye, sa që për të vërtetuar këtë nuk ka nevojë për shembuj të veçantë dhe janë përkundrazi shumë më të rralla ato pjesë në të cilat nota popullore nuk sundon kryekëput.
Vetëm kësisoj spjegohet që – siç i rrëfente njëherë i ndjeri poet shkruesit të këtyre rrjeshteve – kur iu këndua disa malësorëve një copë e veprës, këta bënin be se ç’kallëzohej atje qe e vërtetë, sado që bash ngjarjet e përshkruara në atë copë ishin të trilluara prej poetit.
Kjo do të thotë se ç’këndohesh atje nuk kishte ndodhur vërtet, mirëpo qe poetikisht e vërtetë. Krejt toni që përshkon këtë poem, pasqyrimi i gjallë i jetës së përditshme të popullit, i besimit dhe i zakoneve të tij, i jep këtij poemi vlerën e një eposi të vërtetë.
Për kryetrimin Oso Kuka poeti rrëfen “thonë me këmishë e bani nana”, ashtu siç beson polemi për trimat e moçëm; për trima të tjerë të fortë, shqiptarë e malazes, ai këndon sesi paskan lerë me tri, po edhe më shtatë zemra. Luftarët u besojnë ëndrrave, të cilat u lajmojnë vdekjen. Luftë e paqë e shohin në shpatull të berrit. Burrat rrinë të mbledhur rreth sofrës dhe djemtë e rinj pas darke fshijnë armët. Përnjëherë ngrihet atëhere një këngëtar dhe këndon trimëritë e kreshnikëve përrallorë, duke i nxitur dëgjuesit për vepra të reja. Një luftë mbaron keq, sepse u fillua një të premte në vend të së martës. Të pa-armët nuk vriten. Vëllamia është e shenjtë: në zjarr të luftës dy vëllamë njihen, njeri Shqiptar e tjetri Malazias, përqafohen e përsëritin miqësinë. Dasmat bëhen sipas zakonit në vjeshtë.
Si t’jenë mâjë skjept edhè deshtë,
E t’jetë pjekë rrushi në vneshtë.
Natyra e përvujtur, e shtruar e amvisës na çfaqet në ato vargje në të cilat Orët u shtrojnë trimave darkën përjashta:
Atà darkë sande s’kan ngrânë;
Para darkësh pse atŷ kan rranë,
E as s’i kan nuset e veta,
Qi atŷ bukën m’u a gatue.
Edhè tryezen me u a shtrue.
M’kâmë me u ndêjë gati me ujë.
Për të rinjtë e të rejat që vdesin të pamartuar bëhet “dasma e të vdekurit”, përhapjen e së cilës ndër popuj të Ballkanit e ka studiuar Muşlea. Kështu te Lahuta Tringën e vdekur Zânat e veshin me petkat më të bukura, e nisin nuse dhe e venë kështu në varr. Armiku vret në bjeshkë një bari të ri: sipas zakonit e qan e motra e i thotë se pat dashur ta martonte me një vashë të re dhe se tani po e martoka me dhe të zi. Veçse gratë nuk dinë vetëm të vajtojnë me ligjë: nëpër male ka nganjëherë çika të veshura si burra e me armë në brez, që dinë të luftojnë edhe të vdesin trimërisht. Një kësi tipi Fishta e ka përjetësuar te figura elegjike e Tringës.
Edhe besimi popullor na paraqitet i pasur te kjo vepër. Nëpër male e livadhe, ndër gryka e përndëndhé jetojnë Zâna, Ora, E bukura e dheut, “të Mirat”, Shtoizavallet lodruese. Dragojtë trima luftojnë me fuqi elementare, me kulshedrën me shtatë krerë, nëpër ujra po lëvizin Floçka e Kshetza, shtrigat shkojnë kaluar mbi breshka të stërmëdha, lugati jermon me bisht të zjarrtë ndër net të gjata dimri… Bota e lashtë e e zbehtë e përrallave po na ngjallet rishtas, e nxjerrë në jetë me magji prej një poeti të vërtetë.
Po shohim pra se po deshëm të zbërthejmë veprën e Fishtës me anë të disa “gurrave”, po ndeshemi më së fundi te poezia popullore. Ndikimi i saj nga kreu e gjer në fund është aq i thellë, sa Fishta na del një poet popullor i vërtetë dhe Lahuta e Malcís ka karakterin e një poezie popullore të thjeshtë; duket si një varg këngësh popullore më të gjata. Përkundrazi, disa këngë, në të cilat tingulli popullor është goditur veçanërisht mirë, po sillen tashmë nëpër gojë të popullit dhe janë bërë kështu, sikurse ndonjë këngë e Naim Frashërit dhe e Lasgush Poradecit, këngë popullore të vërteta.
Që forma e jashtme, masa e vargut është popullore: është ai metër trokaik katërkëmbësh, tetërrokësh, i cili në këngën popullore shqiptare sundon përmbi të gjitha metret e tjera lokale. Kështu vargjet e Fishtës puthen në vesh të dëgjuesit me masa të zakonshme popullore dhe tingëllojnë, qysh në rrjedhjen ritmike të tyre, popullore e të njohura. Këto vargje mund edhe të këndohen me melodi popullore të Veriut ose me melodi labe të Jugut, pra janë bërë, po t’i shikojmë edhe nga kjo anë, poezi e gjallë. Frymës së poezisë popullore poeti i falet edhe në aliteracionet e shpeshta, të cilat në gjuhë shqipe na dalin në të thëna të moçme me çifte fjalësh. Simbas gjurmave të poezisë popullore janë edhe asonancat në vend të rimës, në të cilat rimojnë vetëm konsonantet e jo më vokalet. Popullore janë dhe përsëritjet e shpeshta të vargjeve ose të një rrjeshti të tërë vargjesh, si edhe inversionet e plota ose përgjysmë si p.sh.:
Me msŷ anmikun pa u frigue,
Pa u frigue, po, me msŷ anmikun,
ose
Por at fjalë mue mos m’a thuej,
Mos m’a thuej as mue as kurrkuej.
Pastaj Fishtës sikurse dhe poezisë popullore i pëlqen pyetja retorike:
Pater Gjoni, Zot! ç’u bâ?
Fill te Pasha po kisht’ rrâ.
pastaj hiperbolat me numra të rrumbullta si bie fjala “tetqind taborre” për “shumë ushtri”. Një tjetër gjurmë të poezisë së popullit e gjejmë te ato fillimet e një kënge me një pamje të marrë nga natyra, fillime të shpeshta në poezi popullore:
Këngë gegërishte:
Lulzoj pjeshka, lulzoj thâna:
Nrece Bardhokun kû e kaa nâna?
(V. Prênnushi. Kângë pop. gegn. 44)
Fishta:
Buloi molla, lulzoi thâna,
Rrustem Uken kû e ká nâna?
Një vrragë tjetër të poezisë popullore e shohim edhe në mënyrën e krahasimeve të shpeshta epike. Ndër këto, përveç atyre të zakonshmevet, që janë bërë traditë qysh prej epeve inde e homerike, nëpër poezitë epike të Perëndimit, gjejmë krahasime që janë marrë nga poezia e popullit ose që sëpaku janë mbrujtur në frymë të saj. Kështu ndeshim shpesh në krahasime të marra nga jeta baritore shqiptare, nga sfera e gjahut, nga natyra, nga bota e shtazëve t’egra dhe e shpendve rrëmbyes. Poetit ia kish ënda t’i zvargte të gjera, të ndiqte fillin e nisur të krahasimit gjer në konsekuencat më të mbrame, jo vetëm, por nganjëherë ndërlikon brenda te një krahasim një krahasim të ri. Përveç këtyre, ndikimin e poezisë popullore e shohim edhe në formën e brendshme si dhe në stilin e veprës.
Kënga popullore shqiptare dallohet nga kënga e kombeve fqinj në shkurtësinë e saj pregnante, në ndërtimin dramatik në vend të gjerësisë epike, në veprim të shpejtë në vend të përshkrimit, gjë kjo që formalisht çfaqet në dialogët e shpeshtë. Kjo këngë popullore qysh prej fillimi, përsa mund ta ndjekim historikisht – në këngët e shekullit të XV të Italo-shqiptarëvet – ka karakter baladesk. Po ta këqyrim nga kjo anë poezinë epike të Fishtës, vrejmë një puthje formale të plotë me poezinë popullore. Përshkrimet janë hedhur me vija të shpejta e të shkurtra, veprimi vjen pas veprimit, dialogët janë mjeshtërisht të shkurtra e të gjalla, përshkrimi i jashtëm i njerëzve bëhet më fort shpejtas me një metaforë popullore.
Asgjëkund poeti i shkathët nuk ndalet gjatë, vepra e tij është vepër epike me një ndërtim gati dramatik. Te heronjtë ndjejmë shpirtin jo aq ëndërrimtar, të aftë më fort për veprime, të njeriut dinarik: thjesht shqiptare është edhe mungesa e çdo mundimi spekulativ mendor. – Edhe gjuha, siç e çekëm më sipër, sjell pjesën e saj në karakterin popullor të veprës. Ajo përdor në dukje pa ditur, por në të vërtetë me dije të plotë e me dorë mjeshtri, arkaizma, solecizma, fjalë e thëna popullore. Poeti zbret poshtë te populli, merr ujë te gurra e gjuhës së tij. Thonë se ai pyeste shpeshherë malësorë për fjalë të rralla e bukurkumbuese, të cilat i përdorte pastaj te Lahuta. Këndej spjegohet për një pjesë të madhe përshtypja e freskët dhe e gjallë e kësaj vepre. – Por përveç kësaj poeti ka marrë nga ndonjë varg a ndonjë strofë prej këngëve popullore, nganjëherë edhe ndonjë këngë të tërë, dhe i ka përlidhur në veprën e tij. Ai i krihte ato ku i dukej mirë dhe i sillte kështu në trajtë të fisnikëruar. Ato strofa mallkimi të Oso Kukës kundër Knjaz Nikollës të Malit të Zi, atje te kulla e Vraninës, janë marrë besnikisht nga një këngë popullore shkodrane. Një këngë e vjetër ushtarësh janë ato vargje me të cilat u falet shokëve Mican Leka i vrarë:
Këngë toske jugore:
Mbeçë, moré shokë, mbeçë
Përtej urën e Qabesë.
Të m’i falei nënésë,
Të dy qetë të m’i shesë.
T’i apë nigjá së resë.
Ndë pjetë nëna për mua,
T’i thoi se u martua;
Ndë thëntë, seç nuse muar,
Tre plumba ndë krahëruar,
Gjashtë ndë këmbë e ndë duar;
Ndë thëntë, seç krushq i vanë,
Sorrat e korbat e hajnë.
Fishta (Këngë e 18, f. 211):
Amanet, o shokë të mí,
Neper Dardhë kur të kaloni,
Armët e mija barrë t’i çoni,
N’oborr t’kullës edhe t’m’i lshoni,
Nânës as tatës mos m’u kallxoni
Pse janë t’vjetër e i verboni.
Ne pëvetët nana për mue,
Thoni: djali t’âsht martue!
Në pëvetët se ç’nuse muer:
Muer nji plume në krahnuer!
Ne u pëvetët se ç’darsmorë pat:
Pat tre korba ndêjë për ngiat!
Ne u pëvetët se ç’zoja kndojshin!…
Orrla e sorra m’tê po rmojshin!…
Këtu shohim sëpari vrragën e fortë të poezisë popullore te Fishta, sëdyti njësinë shpeshherë të injoruar të poezisë popullore shqiptare, njësi e cila na del prej identitetit të variantes së Jugut e të variantes veriore që duhet të ketë shërbyer si gurrë për trajtën që i dha kësaj kënge Fishta. – Prej poezisë popullore është marrë dhe kënga e bukur e trimit thjesht shqiptar, gati kombëtar Gjergj Elez Alija, i cili me emrin e tij shqiptar ka shtegtuar gjer në Bosnjë e në Maqedoni. Për të shpëtuar nder e vatër, ky lufton luftë të gjaktë me Harapin vigan “që kishte dalë prej detit”. Është një gjë posaçërisht tërheqëse të krahasosh – edhe në shkollë – këngën popullore me trajtën që i ka dhënë asaj poeti.
Po përveç kësaj, kjo këngë madhështore e popullit, në të cilën në frymë thjesht ballkanike motra ruan të vëllanë që lëngon, ka lënë dhe një tjetër gjurmë në poemin e Fishtës, në faqet 313, 314, 317, 318 të këngës së 22 të titulluar Tringa. Situacioni te Tringa e te i vëllai i varruar për vdekje është identik me situacionin e poezisë popullore, disa vargje e disa mënyra të thëni janë marrë të pandryshuara ose me shkurtim të numrit të rrokjeve. –
Por edhe figurat vetë të heronjve dhe mënyra se si sillen në luftë i përshkon poajo frymë epike që gjejmë ndër këngë kreshnikësh të Shqipërisë Veriore. Këto të fundit përbëjnë, siç dihet, atë qerthullin epik të dy vëllazërve trima Muji e Halili, visar i përbashkët i Shqiptarëve dhe i Sllavëve Jugorë. Sikurse në poezinë popullore shqiptare, këta përfaqësues të burrërisë muslimane-shqiptare luftojnë me Shqé ortodoksë, kështu poeti i bën trimat të përsëritin të njëjtën luftë me të njëjtin armik në një të tashme të përmendshme historike. Dhe sikurse kënga popullore simbas fjalës së vjetër “Trimin vrae, po mos e sha” nuk ia ha hakun trimërisë së armikut, kështu poeti përballë trimave shqiptarë nxjerr përpara po me të njëjtën vlerë trimat malazes, kundër heronjve të vet Mark Milánin e të tjerë burra sllavë të së njëjtës peshë. Shohim pra se të dhënat etnike-shoqërore kanë mbetur në themel gjatë shekujve poato, se si bota e gojëdhanave vazhdohet organikisht në histori të re e në poezi të saj. Fishta është mbase këngëtori popullor i mbramë, ndofta më i madhi, e jo më anonim, i qarkut të këngëve kreshnike të Mujit e të Halilit.
Kjo është përgjithësisht vepra epike e Fishtës. Ajo mbështetet pa dyshim mbi një themel popullor, te fryma e poezisë popullore. Veçse pjesën e kësaj nuk duhet ta çmojmë tepër lart. Lahuta e Malcís është sëfundi vepër vetiake e poetit, vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetveti.
Tani poeti na la. Te të gjithë ata që e patën njohur, vdekja e poetit dhe e njeriut ka lënë një vrragë zie të thellë. Burrë me pamje madhështore, qe në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme, aq tërheqës si njeri sa ka qenë origjinal e i madh si shkrimtar. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në të theksuar të vlerës së individit, si në ndërlikim të hyjnisë në jetën njerëzore, si në dukje të Zânave që u përgjajnë Dianës e Atenës, si sëfundi në përshkrim të figurave heroike dhe të një bote e cila të tërheq me thjeshtësinë e saj heroike. Kjo vepër ka për të rrojtur më shumë se poeti dhe ka për të treguar përtej nëpër kohë atë frymë të veçantë të popullit që ai këndoi. Për këtë popull vetë është dhjata e shtrenjtë e poetit lënë trashëgim
… nipnís s’kohve t’vona enè për t’lé.
Botuar së pari më 1941, në bleun Gjergj Fishta, dalë me rastin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës “Shkëndija”. Shtypun në Shtëpinë Botonjëse “Luarasi” Tiranë. Prezantuar së voni në portalin, “Faktor”
Redaktoi dhe përgatiti për botim, Ahmet Qeriqi.