Njëmbëdhjetë kongresistë amerikanë kanë kërkuar nga kryetari, Joe Biden që të përmbushë zotimet e tij lidhur me vendosjen e drejtësisë për rastin e vëllezërve Bytyçi dhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Përmes një letre, kongresistët thanë se presidenti amerikan duhet të kërkojë nga autoritetet në Serbi që të kryejnë hetim të plotë lidhur me vrasjen e shtetasve amerikanë, Ylli Bytyçi, Agron Bytyçi dhe Mehmet Bytyçi, që u vranë në Serbi dhe që kishin qenë luftëtarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi. Trupat e tyre u gjetën, të masakruar në Petrovo Selo, në Serbinë lindore.