leoni

Ndërtimi i TC Kosova e Re mund të nis brenda një viti

Banka Botërore ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes të saj për sektorin e energjisë në Kosovë dhe sektorë tjerë. Kjo u theksua sot nga Drejtori Ekzekutiv i Bankës Botërore, Frans Godts, i cili i shoqëruar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci kanë vizituar mjediset e Termocentralit Kosova A dhe Kosova B, me ç’rast nga menaxhmenti i korporatës u njoftuan me punën dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.

Ministri Stavileci tha se po punohet intensivisht që sektori i energjisë të transformohet, duke e ditur se me kapacitet ekzistuese mbulohet një pjesë e madhe e konsumit për energji elektrike, por këto kapacitete janë të vjetruara dhe pjesa më e madhe ka nevojë për rivitalizim.

“Në anën tjetër ne kemi punuar edhe në projekte të reja, me të cilat ne mund të kemi kapacitete të shtuara të prodhimit të energjisë elektrike, që të jemi pjesë e një rajoni stabil me furnizim të sigurt të energjisë, por edhe në të ardhmen të jemi pjesë e rrjetit trans-evropian të energjisë elektrike”, tha ai.

Sa i përket Projekti të TC Kosova e Re, Stavileci tha se përveç angazhimit të Qeverisë, pjesë e këtij procesi janë një varg akterësh, përfshi edhe vendimmarrjen dhe për këtë arsye po kujdesen që në të gjitha fazat t’i zgjidhin pikëpyetjet dhe dilemat që kanë dhe në këtë drejtim janë në bashkëpunim me Bankën Botërore, duke konsideruar si një nga opsionet e vetme që të sigurohet stabiltet të furnizimin me energji elektrike.

“Me investitorin amerikan jemi në përmbyllje të fazës së marrëveshjeve komerciale dhe presim që nga fundi i qershorit fillimi i korrikut të vazhdojmë me fazën tjetër që do të jetë pakoja tenderuese për ndërtimin e Termocentralit. Nëse nuk kemi pengesa, një vit nga tash do të nis puna e vërtetë e njërit nga investimet më të mëdha në të gjithë sektorët”, tha Stavileci.

Duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me fatin e TC Kosova A, Stavileci tha se për këtë paraprakisht do të bëhet një studim fizibiliteti, ndërsa konfirmoi detyrimet që vendi ka karshi TKE-së dhe Komisionit Evropian për dekomisionim të aseteve që ndotin ambientin.

Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i Bankës Botërore z. Frans Godts, njëherit Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës sonë në Bankën Botërore tha se kanë dëgjuar shumë për sektorin e energjisë në Kosovë  dhe kanë pasur propozime që i përkasin këtij sektori, dhe është këtu për të parë nga afër ato që ka parë në letër.

Godts u shpreh i impresionuar nga angazhimi i Qeverisë së Kosovës dhe punëtorët të cilët punojnë në termocentralet Kosova A dhe B dhe shtoi se do të shoh se si mund të mbështes në të ardhmen Qeverinë e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës në sektorin e energjisë dhe në të gjithë sektorët e tjerë.

“Planet janë në tavolinë, do të shikojmë me kujdes se cilat janë propozimet, ashtu siç e thashë më parë Banka Botërore është e gatshme ta mbështesë sektorin e energjisë në Kosovë dhe po ashtu do të shikojmë se si mund të ndihmojmë Qeverinë e Kosovës në ndërtimin e TC “Kosova e Re”, tha ai.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj njoftoi Stavilecin e Godts me zhvillimet në të cilat po kalon KEK, operimet e përditshme dhe me këtë rast mori përkrahje të vazhdueshme që këto sfida të jenë më të lehta dhe qytetarët të kenë energji elektrike.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …