Adil Fetahu: REVISTA “NORMALISTI”, E SHKOLLËS NORMALE TË ELBASANIT  DHE  PRISHTINËS

Adil Fetahu: REVISTA “NORMALISTI”, E SHKOLLËS NORMALE TË ELBASANIT  DHE  PRISHTINËS

Shkolla Normale e Elbasanit ishte institucioni i parë dhe më i rndësishëm për shkollimin dhe përgatitjen e mësuesve të kualifikuar për arsimin fillor në trojet shqiptare. Nxënësit e asaj Shkolle, mësuesit e ardhshëm, kontribuan në arsimimin në gjuhën shqipe dhe në përhapjen e kutlurës dhe edukimit jo vetëm të fëmijëve të moshës shkollore, por edhe të të rriturve.

Gjatë shkollimit në atë Shkollë, krahas mësimit, praktikës pedagogjike dhe aktiviteteve tjera kulturoe e sportive, nxënësit e Normales botonin fletushkën, apo revistën e tyre letrare të përkohshme, me emrin NORMALISTI. Numri i parë i “Normalistit” u botua në mars të vitit 1929, me gjithsejt 20 faqe.  Revista hapet (faqe 1) me një shkrim, si në vend të hyrjes, të M.Golemit, titulluar: “Qëllimi  i ynë”. Në atë hapje, Golemi shkruante:

Prej kohësh na ka pasë shkue ndër ment neve nxënësve të Normales për të nxjerrë nji të Përkohëshme, ku të shkruajshim ndonjë artikull, ndonji mësim të bamë në shkollë a ndonji shkrim tjetër pas fuqisë s’onë.  Por nuk mundëm deri më sot ta qesim mb’anë këtë qëllim nga shkaqe gjithëfaresh.

Këtij viti ndonëse të stepunë e të ngurruemë, guxuem me e çue në vend mendjen dhe dëshirën t’onë tue botua “Normalistin”, i cili shpresojmë të jetë guri i themelit të nji ndërtese ma të madhe arsimore, që do të mund ta ngrejnë të tjerë pas nesh, shokët t’onë, a që do të zbukurohet me kohë gjithënji ma mirë. Sepse ne e dijmë mirë se e Përkoshmëja e jonë nuk mund të ketë gojë qi quhet si nji gja e kullueme dhe pa të metë së gjithash. Vetëm qëllimi i shejtë që kemi me bamë dishka për të mirën e Arsimit ashtë mjaft që të na japi zemrë për të punue me zell dhe për me tërhekë vërejtjen dhe ndihmën e atyneve që e kanë në zemrë të mirën e Arsimit kombëtar. Ma fort nga 90 e sa normalistë nga kjo almamater e jona, shokë t’onë të dashur, presim ndihmën e përkrahjen për ta përmbajtë gjatë “Normalistin”, që do të jetë organ i tyne edhe i gjithë punëtorëve t’arsimit filluer. M.Golemi

Në faqën vijuese (fq.2), ishte botuar letra e drejtorit të Normles, Aleksandër Xhuvanit, me këtë përmbajtje:

Nxanës të dashunë

Tue çfaqë deshirën e botimit të njij të përkohëshmeje, me qëllim që të veni edhe ju një gur në ndërtesën e ardhshme t’arsimit filluer, bani me të vërtetë nji punë të lavdueshme, por duket se merrni mbi vedi edhe një detyrë tjetër, pak sa të  randë. Sepse mbë nj’anë keni mësimet t’ueja të përditshme, e mbë tjetër anë shkrimet dhe të prishurt*, që duhen për të mbajtë botimin e të Përkohshëmes.

Me gjith’atë, kur keni vullnet të mirë dhe ‘vouloir c’est pouvoir’, dhe zell e zemrë për t’iu përveshë kësaj pune, më mbanë shpresa se do t’ja qëlloni mirë punës s’uej që keni kapë sot. Madje kjo punë e jueja kaq e bukurë në vehte do të jetë nji shkollë e dytë për ju, ku do të fitoni proven e duhun, për me kapë, në jetën praktike, edhe të tjera këso punësh, tue u pshtetë krejt në forcat t’ueja.

Me këto mendime lus me gjithë zemrë që “Normalisti” të ketë jetë të gjatë dhe drita e vogël e tij të bëhet drita e njij fari të madh, që do të ndritë gjithë udhen t’uej që do të ecni nëpër arsimin filluer, me qëllim qi t’ja mërrini fillit t’uej të shejtë, i cili duhet të jetë themeli i shëndoshë dhe naltësimi i arsimit filluer, se me të vërtetë, sikurse thotë Diestargu, atje ku lulëzon e përparon arsimi filluer, atje ashtë shtrue udha për qytetnimin dhe përparimin e njij kombi.

D r e j t o r I,

              A.Xhuvani

*) Të prishura, ka kuptimin e financave për botimin e revistës. Këtë fjalë: ‘të prishurat’, e përdorë edhe Gj.Fishta në shumë vende në letërshkëmbimet e tij.

Edhe Normalja e Prishtinës, e cila funksionoi prej vitit 1946 deri më 1974; shtatë vjet në Gjakovë e pastaj në Prishtinë, punoi sipas parimeve dhe traditës së Normales së Elbasanit, në saje të disa profesorëve tanë të cilët  e kishin kryer Normalen e Elbasanit. 

Krhas punës arsimore-pedagogjike, në Normalen e Prishtinës zhvilloheshin aktivitetetë shumta artistike, letrare, muzikore, sportive. Sallat dhe fushat sportive gumëzhinin nga normalistët që zhvillonin aktiviatete në to. Në Shoqërinë Kulturo-Artistike “Shkëndija”, të asaj shkolle vepronin seksioni letrar, ai i recitatorëve, I drmës dhe instrumentalistëve. Shfaqjet kulturo-artistike të normalistëve mbaheshin jovetëm në Prishtinë, por edhe në qytete tjera të Kosovës dhe jashtë saj, ku i jepnin gjallni jetës kulturore.

 Në vitin 1957 nisi të botohej fletushka-revista mujore “Normalisti”. Në faqet e saj   botonin krijimet e tyre nxënësit: Rexhep Qosja, Zija Nura, Ramadan Rexhepi, Ganimete Nura, Rrahman Dedaj, Rrustem Berisha, Azem Shkreli, Vehbi Kikaj, Qerim Arifi, Zeqir Grvalla, Idriz Osmani, Ali Jasiqi, Beqir Musliu, Mehmt Kajtazi, Ali Lljunji,Anton Nikë Berisha,Hajru Ulqinaku, Ymer Elshani, Adem Gashi, Arif Demolli, e shumë të tjerë, ish-nxënës të Normales së Prishtinës, të cilët më vonë u  bënë  poetë e shkrimtarë të njohur në letërsinë shqipe dhe më gjërë. Raftet e bibliotekave dhe te librarive janë përplot me libra letrare, shkollore e shkencore të personave të përmendur dhe të shumë të tjerëve, ish-nxënës të Normles se Prishtinës. Normalja ishte gurrë e krijimeve dhe fidanishte e krijuesve të ardhshëm letrarë.

* * *

Shkolla Normale e Elbasanit dhe Shkolla Normale e Prishtinës, për atë kohë ishin ma të rëndësishme se universitetet sot. Ato e krijuan profilin dhe renomene e vet dhe të mësuesve, që s’e arriti dot më asnjë shkollë as universitet. 

Ishte gabim i pafalshëm i organeve të pushtetit që i suprimuan ato shkolla më të afirmuara kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …