(Musa Jupolli, “DASHURITË E NDALUARA”, poezi, botoi “LENA”, Prishtinë 2021. Faqe 116. ISBN 978-9951-27-565-1)
“Kur mbrëmjet afrohen në Paris ato janë filozofi jete“, (faqe 57), e tërë poezia e poetit Musa Jupolli, është në funksion të filozofisë mbi jetën. Autori është i njohur si poetit, prozatorit dhe veprimtarit i çëshjes kombëtare, kudo dhe kahëdo që shkon Atdheun e bart më vete, pikërisht kjo sintagmë lirike, më shumë se cilido motiv, është i shprehur saktë, çartë dhe bindshëm, në librin me poezi të zgjedhura “DASHURITË E NDALUARA”.
***
Deti dhe dashuria djep e dallgë
Deti dhe dashuria krip dhe mjaltë
…
Po unë e zgjodha të ndaluarën,
detin dhe dashurinë për shkrime!
Faqe 5.
Poezitë e këtij libri, janë mirë të realizuara, ato shëmbëllejnë mirësi, humanizëm dhe posedojnë nota të këndshme lirike. Pra, nga poezia në poezi kanë përmbushur mozaikun e vlerës letrar. Por gjithsesi për t’i veçuar janë dy proza poetike të cilat janë strukturuar si letra të cilat i “…shkruan Afrodita“: I. “Do të nisem për në Malësi,/ ku më së shumti do të dëshiroja të të takoja ty// në vend të përgjigjeve tuaja më vijnë lotët që nuk ndalen dot// Lotët nuk kanë fuqinë e ndryshimeve,/ ata kanë ngjyrën e mallit/ dhe unë mallin e dhimbjen i përpij pareshtur,/ dhimbja u bë një me lotin,/ u bënë një me mua”, (faqe 9), e pastaj poeti shkruan: “Unë flokët i kam prerë,/ jam po ajo që isha,/ po më harrove ti, unë vdes”, (faqe 10), të cilat kanë një simbiozüe, vlerë ideoemocinale mjaftë specifike. Ndërsa në pjesën e II. shkruan: “I dashuri im,/ a e di se me letra mund të themi shumë fjalë,/ nga ato që nga druajtja s’kemi mund/ të themi njëri-tjetrit në takimet tona,/ vet druajtja na ka penguar…/ ngushëllimi është shpresë, është jetë!… sepse një urti popullore ka thënë: “Larg syve, larg zemre”, ndërsa sipas poetit “largësia trupore është shndërruar në afërsi shpirtërore“, (faqe 11).
Këto dy fragmente poetike, të cilat janë dhe po aq lirike, manifestohen si përjetime sentimentale, nga një poet i mërguar që pret të Afrohet Dita (Afrodita), sigurisht, e atij kthimit imagjinar të tij në atdhe, ndonëse poezia është kthyer dhe është bërë pjesë e Atdheut, që prej sa vitesh, të paktën neve këshu na u duke para se të lexonim shënimin se këto dy proza qenkan fragmentit nga romani. Sigurisht motivet e të të cilit lidhen me poezitë e këtij libri, pasi vargjet e theksuara më parë, duken më shumë si poezi edhe pse nuk janë strukturaur në nivelin e poezisë brenda këtij libri.
Poeti vazhdimisht udhëhiqet nga pozita unversale të cilat vetvetiu ushtrojnë ndikim human, por për tu pranuar si vlerë nacionale me ndijim human, arrihet vetëm atëherë kur poezia dhe arti është e përshtatshme dhe e zakonshme njëkohësisht.
PARASEGJITHASH NË KOSOVË
Në mëngjes, në drekë, në mbrëmje dhe tërë natën
mendoj vetëm pr ty e bukura ime
Dita do të vijë kur ty do të rikujtohet
takimi ynë i parë «Voyelles Pérdus»
Të rikthehesh prapa nuk ka më kuptim
të shkosh përpara nuk ka më shpresë
Qëndro aty ku je, dëgjoje zërin tim
Zëri i udhëtarit bën që të ëndërrosh
Vargjet e mia mërgimtare, dëgjoje zemra ime e thyer
Ndoshta në Irlandë
Diku në Paris
Parasegjithash në Kosovë
Ti ishe më e bukura ndër të bukurat vajza
Në skaj të botës kam shkuar
nga atje të dua përgjithmonë
Faqe 21.
Ky dualitet motivesh e përbën vlerën thelbësore që ky autor në mënyrë konstante e ka ndjekur. Kjo psikologji e veprimit paraqet aftësinë krijuese, kjo poetikë idilike ka simbolikën e vet, prandaj, vargu i poezisë ndërtohet si reflektim i qëllimshëm, shërbyes dhe i akceptueshëm për të gjithë ata që e lexojnë. Poezi kjo, që zhvillon idenë e stërholluar në mendim artistik dhe nxit imagjinatën për tu përjetuar mesazhi i saj më mirë, krejt kjo në funksion të zhvillimit mendor e psikik të individit, përkatësisht të lexuesit. Këtë mendim të shfaqur në poezinë paraprake e gjejmë të zhvilluar nëpër poezitë: “O Afroditë e Malësisë time!“, “E fshehën Afroditën në Romë“, “Afroditë“, “Afroditë, shiu perlë, loti me kristale“, “E hej Albulenë, Afroditë e jetës sime“, që kanë krijuar një “Pemë të dashurisë“, (fqe 20), njëkohësisht është ndërtuar simboli në poezi me te cilën poeti shprehet: “Kur Dielli në Lindje Afro-Dita Hijeshon Atdheun tim“, (faqe 14). Prandaj në mënyrë imagjinative poeti është: “N’udhëtim të trojeve t’Arbrit/Diell që lind e perëndon n’Atdheun tim,/Besimin në ty e kam nga kohë pellazge// N’emër të flamurit Arbëria pa ty nuk feston!”, (faqe 17), se si duket “është kohë e kthimit n’Atdhe“, (faqe 18).
Këto reflektime janë perceptuar si formë e krijimit artistik që ndërton dialogun e saktë dhe të pranueshëm me lexuesin, që do t’i mundësojnë poetit për t’iu qasur dukurive nga aspekti psikologjik, përkatësisht dukurinë e sjelljes së individit në shoqëri dhe me reflektimet e sjelljeve shoqërore në raport me individin, në mënyrë metaforike e shpjegon edhe ky varg poetik: “Një pikë t’gjumit falma Shqipëri, ëndërra ime të jetë për Ty“, (faqe 106). Dhe ky realitet i përjetuar poetik mbase është dhunti e realizuar suksesshëm, gjë që poezia dhe krijimtaria tjetër e Musa Jupollit gjithnjë kthehet në atdhe, në vendlindjen e tij , nga e cila është shkëputur që moti, por vendlindjen ai e bart gjithnjë me vete, pastaj asaj i kthehet me përkushtime të serishme.
BARDHOKJA VERËS NË SHAJKOC
E mirë, seç je, e bukur që më je
E quajta Galane, Bardhokën time
E pjekur nga diell në grunajat e Shajkocit
Kli dhe Galanja diskografi e dyfisht
Pamje e pastër si loti i yrit
…
Eh Galane moj Brdhoke
Sy e shpirt seç m’i verbove
…
Janë lulet e Shajkocit, katua’s sime
Llapi i sofrës bujare, Mesiana ime
…
Në Shajkoc jeta është Ode nga kohë pellazge!
Faqe 28-29.
Bardhoka simbol poetik sëndërtohet në trajta të ndryshme edhe në poezitë: “Flet bardhokja”; “Dardane, moj Bardhoke”; “Bardhokja në Rugovë”; “Bardhokja me libër në dritaren time” dhe në poezinë “Bardhokja Bareshë”. Këto vlera sublimojnë angazhimin e poetit në përvijim kohërash, kurse poezia shpjegon arsyen për të qenë poet?! “Pse të thonë Poet, notat i krijon vetë//*Poet// Mos harro se FOLJA është asht i vargut/Prandaj je Poet!”, (faqe 22).
Kjo poetikë estetike është sistem vlerash i cili rregullon mënyrën e komunikimit të autorit me lexuesin e veprës, andaj qasjet individuale të problemit duke theksuar detaje të ndryshme e ngrit nivelin artistik i cili si varg i realizuar merr dimensione universale sepse trajton çështje të ndryshme. Nga kjo që u përpoqëm të themi shihet se kjo prurje është thelbësore për t’i kuptuar rregullat poetike, frymëzimin pasionant, dhe ngrohtësinë përjetuese. Kjo harmoni artistike, është ritmikë e përsosur, hiperbolë e mendimit që përshkohet me elokuencë pasi është realizuar me përkushtim, “As Nobeli nuk gjeti çmim për dashuri“, kurse “Besa në gjuhën time quhet dashuri“, (faqe 23). Poezia si motiv i procesit krijues, larmi e bollshme e konceptit të poetikës estetike i përqendruar kryesisht në metrikë të vargut dhe teoritë e përgjithshme për të prezantuar vlera me shije: “Butësi artistike, ideal n’vllëzim/ E ruajtur me kujdes në shpirtin tim“, (faqe 27).
N’BREG T’BUNËS
N’Breg t’Bunës loti m’pikonte
për të bukurën m’atë anë lumi
veshje n’elegancë
sikur Dielli kur rrezitë
sytë e saj bënin dritë
Ikonë e Arbërisë
Hyjnesha
e pemës ime
Faqe 37.
Ose:
Pikë loti në shërim
Çka më bukur se Dashuria
N’Enciklopedinë e Atdheut tim!
…
Ideal një dritë Afro-Ditë
Mëkatet e mia më tha
Janë vetëm shpërblim
Faqe 38-39
Gjithsesi vetëm “Me Afroditësim me një duhan e një kafe” dhe më pas shkruan: “Ëndrra ime, pse më zgjove aty ku vdekjen e prita me aq mall/ Jo se nuk dua të jetoj, po pse ëndërr dhe vdekje kanë një kuptim”, (faqe 45-46).E gjitha është një proces liriko-dramatik, janë vargje përtej mundësive reale, prandaj poeti porositë: “Lexoma dramën e Dardanisë/ Unë ti lexova vargjet Shqipërisë”.
Në tërë opusin lirik të Musa Jupollit, është ndërtuar një simbiozë ku tragjedia njëjtësoht me dramën nacionale, kurse paqja me lirikat-vagjet, kurse drejtësia qenka normë juridike e cila respektohet vetëm në drejtshkrim: “Pse gënjehet populli shqiptar/ Drejtësia është vetëm në drejtshkim“, (faqe 48).
Kudo elementin lirik e gjejm të sforcuar, në secilën poezi, në secilin varg, pasi “vitet nuk kanë rëndësi/ veçse të mbushura me dashuri//Të quajta EMNESË/N’vargun tim t’hershëm!”, (faqe 50), kurse “lotët e lapsit“, (faqe 54), duket një gjetje tjetër figurative shumë lirike, ashtu sikurse vargje të tjera nxjerrin në pahë aftësinë për ndërtimin e vargut novator: “Cila ishte ideja e diellit në mashkullore/Apo e hënës në femërore që netët të jenë bashkëdyzim“, (faqe 63).
Lirika poetike e Musa Jupollit, nuk mbetet vetëm brenda lirizmit poetik, ajo është shtrirë e degëzuar duke u strukturuar në atë mënyrë për t’u përshtatur gjithnjë elementit patriotik që është qasje obsesive e kësaj lirike: “Sonte jam i vetmuar në teatrin tënd Drdani//Dardanët e lërë në breg të një lumi pa ujë”, dhe më tej ai paska sqaruar se “Këto dy Teuta dardane veç këngës së moçme nuk di ç’farë do lënë amanet nëse ky popull nuk i rikthehet kulturës dhe dinjitetit tonë arbëror“, (faqe 56). Atdheu real i Musa Jupollit “Ka vetëm një bukuri shpiri në jetëgjatësi/Një Nënë Terezë e shenjtë që i fali botës dashuri//Ju duhet të ndiheni i mrekulluar më thonë në Parisin e kulturës“, (faqe 57).
Pa dyshim, lirika me tëban nacional kemi shumë, vargje të kësaj natyre edhe më tepër, por për vargun karakteristik ne po sjellim këtu poezinë “02.02. E SA VITE?”, edhe për natyrën e saj më specifike:
Nal!
E tha Thoti në gjuhën e lindjes:
Dituria është ardhmëria jote!
Ndal!
E tha Eqrem Çabej:
Dituria është palca e komit!
Poet!
E tha Lasgush Poradeci:
Dituria është poezia e “venit tem”
Arbërie!
E them unë,
Me gjuhën e shpirtit,
Gjuha e Atdheut tim!
Nal O Thot
Ndal O Çabej
Ndal O Lasgush
Toskë e gegë dje e sot!
Gëzuar Arbërie,
Me mlodinë e zërit tënd,
Atë ditë…
… 02 Shkurt n’atë Vit…
Faqe 58.
Poezi tjetër, po aq e veçantë dhe mjaftë karakteristike është edhe ajo “NË UNESCO”, me nëntitull “Fjala nuk vritet“, në të cilen poeti ngërthen një çështje delikate dhe diskutabile në atributin që i jepet një doke a zakoni nga ky institucion me renome botërore: “Kthema fjalën, fjalën e kombit tim”, për të cilën poeti, me të drejtë ka drojen se i nëpërkëmbët, tjetërsohet, i përvetësohet nga të tjerët, prandaj kjo metaforë e kthyer në protestë fuqizohet edhe më tej:
“Dheu ynë nuk falet, se ne vetë jmi të atij dheu
Kthema fjalën e shpirtit, lëshomëni udhë dallëndysheve
Pranvera s’shpejti do të vjen t’i këndojmë me nota
Bukurive t’Atdeut tim, lumit, fushave e malit
Fjala ime është fjala e kombit, fjalë që nuk falet…
Faqe 59.
Kryqëzatat historike, luftërat shekullore, konfliktet e përhershme, ngatërresat e përditshme nuk kanë pushuar mbi Atdheun e poetit. Luftëra, ngadhnjime, heroizma dhe përsëri copëza e copëzime të Atdheu tashmë janë kallapitur.
… E NJËJTA ZHURMË QË SA SHEKUJ
n’ato kryqëzata, apo lajthitje
libra hyjnore apo libra sundimi
nuk thyejnë dot mendjen time
veç venit tem ku linda dua t’i falem
me gjuhën e lashtë ilire
n’udhëtim shekujsh poezi
det që ushqen filozofë e dijetarë
me tymnaje të ngjyrave
me zjarre që të ecim mbi to
e t’i lajmë mëkatet e një besimi me shpatë
…e njëjta zhurmë që sa shekuj
Faqe 62.
Poezia “TË DUA”, shqiptohet sikur të ishte pasthirrmë e thënë nga po aq shpirtëra sa i ka pas, i ka, dhe do t’i ketë planeti ynë! Në këtë mozaik dallon refreni “TË DUA”, i poetit Musa Jupolli, sidomos atëherë kur shprehet: “Sa më ka marrë malli ta shndërroj pritjen në copëza jete/ E ta dëgjojë zërin me fjalën më të bukur që ka falë gjuha ime/ TË DUA“, dhe “t’më thuash krela e sy kanë lindur për mua, me fjalën e zemrës/ TË DUA“, (faqe 65)…. për ta materializuar me botëkuptimin patriotik, veçmas tani kur nocioni për Atdheun është zvenitur dhe dashuria për të është katandisur. Në këtë pllajë janë vargjet e poetit që rikthejnë fuqinë e dashrisë, siç shprehet vet ai: “Sa më ka marrë malli për një puthje Atdheu im/ Një puthje të gjatë sa jeta. Ku do të pikonte mjaltë/ Aromë e qershive degë më degë në fluturim/ Si bletë që nuk pushon…/ Me fjalën TË DUA“, (faqe 66).
Poezia tjetër, “Lotin në dysh dhe gjysmën e shpirtit për ty Atdhe kësaj vere“, ka një shpjegim intrigues dhe mjaftë interesant, në të cilën shtrohet një pyetje: “A ju ka ndodhur pasi t’i shkruani vargjet,/ më pas t’i hyni korrigjimit nga fundi i vargut dhe/ poezia të botohet pra jo nga fillimi/ siç e keni shkruar po nga fundi“, (faqe 67). Kjo poezi më shumë dallon për karakteristiken teknike se sa për atë estetike, megjithatë ka dalë poezi që lexohet rrjedhshëm dhe ka një kuptim metaforik mirë të realizuar, veçmas kur shohim se në dy rreshtat e fillimit të cilët kanë rënë në fund të poezisë thuhet: “Kësaj vere, lotin do ta ndajmë në dysh me gjysmën e syrit” dhe vargu i fundit përkatsisht i pari “Siç shiu për natyrën, si syri për gjysmë lotin ndarë në shpirtin tonë“, (faqe 68). Edhe poezitë pasuese janë një strukturë teknike e realizuar mirë, veçmas poezia: “Nëse je ende në këtë jetë përgjigju me zë/ Nëse ke shkuar në botën e amshuar, më shkruaj një letër të gjatë”, shkruan poeti i cili ndanë poezinë në dy fragmente, e para “Unë” dhe e dyta “Për Ty“, (faqe 70). Te poezia “Ftografi që flet“, po veçojmë vargun “Jam burrë Llapi// Këmisha më ishte bërë qull, fotografia e njëjta kishte mbetur“, (faqe 71).
Në ciklin “DASHURITË E NDALUARA”, poeti ka derdhur tërë elanin lirik dhe erotik për të ndërtuar poezinë lirike me nuanca erotike, sa më mirë dhe më artistike. Edhe në këtë cikël “Afrodita“, na vjen si figurë mitologjike e kohës ilire e pellazgjike, madje “Poetike me njëmijë e ca gabime“, e luajtur në “Parisin e mëkateve”, shprehet vet poeti, (faqe 75-76).
Se, Parisi ka luajtur rol në konceptet poetike, kjo s’ka dyshim dhe këtë na thotë njëra nga poezitë me kuptimin më universal, “Jevg’ja ime“, e cila për poetin qenka “egërsisht e bukur që shoqe nuk ka!“, ka ndërtuar botkuptimin më univerzal si vlerë humane, prandaj poezia është ndër më të realizuarat brenda këtij libri që po e diskutojmë, veçmas për motivin që ka. Një të tillë përkushtimi artistik nuk mund ta bëjë tjetri, pos atij që ka jetuar në Parisin e vlerave kulturore apo siç e theksuam diku më lartë “Në Parisin e mëkateve?!“
JEVG’JA IME
E zeshkme si bukë pogaçe, pjekur n’dru bjeshke,
E zjarrshme e shpirtit tim, Ode pellazge gotë për dehje,
N’emërim të lisave n’sy tu qiell i hapur me yje,
Balli yt për shkrime t’mia ku lexohet e tërë Arbëria,
Rrjedhë mjalti n’lirinë e vargjeve Poemë me nota shpirti,
Shkruar me pulpë shqiponje n’egërsinë tënde t’bukur,
Mollëza për pikturë, vetulla e qerpik vijësore,
N’gushën tënde gazmore mesianase e lumit tim!
Jevg’ja ime,
Me gishtërinjë të gjatë n’tela t’kitarës sonatë më thure,
Kur të pyeta sa më do, këmisha n’gjoks t’gufoi,
N’buzë t’mia loti t’pikoi, asnjë fjalë nuk ma the!
Gabimin e kuptova atë ditë kur në jevge u dashurova,
Murgeshë e shpirtit tim, Të Dua edhe sot si atë ditë,
E hyjnishme bukuri,
Mos harro atë takim kur më dogje shpirtin tim!
Faqe 77.
Kjo poezi është perlë poetike, njëra nga poezitë që avancon kulturën shqiptare përtej paragjykimeve në realitetin ekzistues, që sugjeron për tolerancë të ndërsjelltë, për vlera humane estetike dhe artistike që ka. Kjo pozi do të duhej të ishte ballore e pankartave dhe portaleve, sidomos të Organizatave që kanë synim barazinë dhe janë kundër diskriminimit racor, gjinor a konfensional. Shoqëria jonë do të duhej të kishte antologji humane me vlera të tilla siç i ndeshim në këtë poezi e cila ta ndal frymën për humanizëm e njerëzoren që ka përbrenda saj. Poeti, Musa Jupolli, e ka sublimuar me sukses qëllimin e tij, sidomos kur “Jevgen“, e ka barazvlerësuar me të gjitha vlerat etnokulturore më pozitive që ka me bollëk kombi i vet. Sipas timbrit estetik dhe mesazhit artistik, personaliteti i Jevges është për tu admiruar, ajo është ngritur në piedestalin e vlerës humane dhe asaj njerëzore, dhe si duket kjo ka të bëjë me kulturën e thithur në Kryeqytetin e Kulturës Botërore – në PARISIN e të gjitha vlerave më pozitive që i posedon shoqëria Evropiane.
Kjo frymë kaq humane mund të lexohet edhe në poezinë “U dashurova me një vajzë serbe“, në të cilën poeti ka nxjerr një motiv interesant, kurse poezia do të ishte realizuar me më shumë sukses sikur t’i mungonin vargjet e fundit, të cilat janë deklerative a ku ta di unë… Pa dyshim edhe kjo poezi është një realizim i mirë, është perlë më vete, pasi siç shkruan vet poeti “Sa jam i lumtur që poezia ka LIRI/ Poezia dhe liria në burgje nuk mbahet!”, (faqe 79). Nga kjo konstatojmë se poeti dhe poezia janë misionar të paqes së ndërsjelltë, i afrimit të vlerave dhe kulturave, i humanizmit dhe afrisë në mes popujve!
Ky motiv është zgjeruar edhe në poezinë “Për një vashë <me ngjyrë>, i themi ne në Paris“, nga e cila po i shkëpusim vetëm disa nga motivet më artistike që ka mundur t’i kultivaj ky poet yni: “Zot si t’erdhi ky mendim ta pjekësh aq bukur këtë hyjneshë“, dhe ne, sipas poetit, duhet të mësojmë se ngjyra e grave vjen nga pjekja e tepruar që kësaj race ua paska bërë dikur Zoti! Interesante, madhështore dhe tejet emancipuese. Sekuenca, përkatësisht në vargje të tilla mund të ndeshim edhe tek poezitë tjera me këtë motiv: “U dashurova në një turko-otomane” dhe në poezinë “U dashurova në një vajzë arabe“, që përbëjnë një vlerë estetike që duhet klasifikuar si arritje e lartë e këtij poeti.
Edhe cikli “Ti dhe Atdheu më rikthyet shpresën“, janë poezi të realizuara mirë, por që kanë motive të ndikuara nga udhëtimet e poetit nëpër vende e kultura botërore s’ka dyshim. Ky ndikim shfaqet në pytjen “pse” që shihet në vargun poetik: “Pse loti dhe gjaku nuk kanë ngjyrë tjetër“, kjo vlerë universale, ky konstatim mund të ndodh, ku tjetër pos në librin e poetit Musa Jupolli, te i cili paska ndikuar Parisi, i këtyre vlerave ndërnjerëzore.
Si duket asnjë vlerë tjetër më e shenjtë më e përzemërt nuk mbetet për të, veç asaj dashurisë për atdheun të cilën e ndeshim në shumë trajta dhe formash më të realizuara poetike: “Letrat shqipe thërrasin: DASHURI, se Eneu i dha fjalën Afroditës, na e solli deri këtu të shkruar në poezi! Dhe Eni, ti themelues i qytetit Alban, paraardhës i Romës!“, (faqe 96). Pastaj në një poezi tjetër ndeshim një hamendje të poetit, por siç duket Afrodita dhe Atdheu, atë do ta vetëdisjojnë, botëkuptim i materializuar që e gjejm në vargjet: “Ti dhe Atdheu më rikthyet shpresën/ Që mos t’u hidhem në përqafim dallgëve të oqeanit“, / “Kujdes nga dallgët që kanë kapluar/ Atdheun dhe fjalën e shpirtit tënd“, (faqe 97). Dhe në vijim ka ndërtuar një metaforë për nënat dhe bijt e tyre të mërguar: “Nënat shqiptare kanë shpirtin e universit/ Kur përcjellin bijtë e tyre u derdhet loti/ Kur u vinë nga kurbeti më lot nuk u ka mbetur“, (faqe 102).
E Loti si simbol, bukur është gdhendur estetikisht në vargun e Musa Jupollit:
ETJE LOTI
Fshima lotin me dashuri
Shuama etjen me ujë deti
Frymëzimin me vargje fishtiane
Atdhedashurinë me Gjergjin
Për n’dritësim të Arbërisë sime…
Faqe 105.
***
Epilogu: “Emrin e more me vete, atë ditë e sot Arbëreshë të thërrasim, me vete more Flamurin me dy shqiponja, pagëzuar n’emër të Gjergjit, për dashurinë e Atdheut le trashëgim të folmen e Arbërit që edhe sot ta kem zili, më e bukura pjesë e zemrës shqiptare je ti!“, (faqe 101). Poezia e Musa Jupollit, si tërësi tematike (jo vetëm brenda këtij libri), përçon frymën e këtij mesazhi që cituam, andaj poeti na sugjeron të “Keni kujdes, kur të verboheni mos u dilni bukurive para/ Ruani vetëm aromën e tyre, mos i lëndoni“, (faqe 108). Më duket se është mesazhi më përkufizues, më emblematik, i shprehur në rreshtat përmbyllës të këtij libri, i realizuar nga poeti Mesianas i ramë në Paris!
St. Gallen,11.12.2021.
Shefqet Dibrani