Shkas për këtë shkrim u bë një postim në formë deklarative e njërit prej personazheve tipikë mendjemadh e kapadai “Guximtarit” të madh të Partisë Demokratike i cili para ekraneve na pozon me një pamje sa “të durueshëm” por dhe po aq prej mendjemadhi i cili nuk e ka për gjë ta shfaqë atë hapur . Por nejse kjo është punë e tij e cila nuk lidhet aspak me paraqitjen .Në këtë analizë Enkelejdi në thelb lidhet direkt por dhe indirekt me debatin e hapur tash e tre dekada, jo me festën e 29 nëntorit si ditë çlirimi por me 28-tën, sepse atëherë na paskësh ikur ai qerrata gjerman dhe se Enver Hoxha për tu bërë qejfin jugosllavëve na kishte caktuar si ditë çlirimi datën 29 që përkon me festën e popujve jugosllavë dhe nga inati që ka me historinë e cila është shumë kokëforte i kthehet deputetit socialist, Bujar Çela, se ku ky deputet e gjetka guximin të hedhë në celular fotografinë e Enver Hoxhës dhe për të treguar urrejtjen ndaj tij shkruan “turp- turp- turp” madje do tu kërkojë atyre te komisioneve parlamentare që të hartojnë një ligj për “dekomunistizimin”. Në idenë për dekomunistizimin ai nuk është i pari, sepse para tij ka qenë Hitleri i Gjermanisë i ndjekur nga Jozef McCarty i ShBA-së, nga Frankoja i Spanjës sikurse dhe nga ish-idhulli i tij Sali Berishat të cilët i nxorën jashtë ligjit Partitë Komuniste të vendeve të tyre. Urrejtja ndaj këtyre partive në fakt nuk ka te bëjë aspak me individë të veçantë të cilët kanë qenë në udhëheqja të Partive Komuniste, por ka te bëjë me urrejtjen ndaj ideologjisë e proletariatit e cila zanafillën e ka nga Komuna e Parisit e deri te mendimi gjenial i Marksit i cili përcaktoi rolin e proletarëve dhe borgjezëve në shoqërinë kapitaliste.
Enkelejdi i cili është përfaqësues i trashëgimisë së bejlerëve të hershëm me qylafë në kokë e me tespihe turkoshakësh në duar që kontrollonin sarajet mbi kuaj të cilët gjatë lufte u lidhën këmbë e kokë me nazi-fashizmin, tashmë i konvertuar tërësisht në një borgjez tipik arrin deri në atë pikë sa që për momentin më kujtoi një tjetër laraskë të Partisë Demokratike e cila për të mbrojtur figurën e kryetradhtarit dhe dezertorit Ahmet Zogu kërkonte as më shumë e as më pak nga ç’kërkon Enkelejdi i Ali Beut që shoqëria shqiptare tashmë sipas mendimit të këtij spurdhjaku duhet pa tjetër te “dekomunistifikohet” sepse na qenka një turp i madh. Qenka turp sepse Bujari na paskësh qenë një “komunist e një enverist i thekur”.
Por i vockli Enkelejd nuk arrin të kuptojë se Enveri nuk ishte thjeshtë një komunist, por dhe një atdhetar i madh. Ai me shokët e tij partizanë i dhanë jo vetëm nder dinjitet dhe lavdi këtij vendi , por me luftën që bënë na radhitën përkrah atyre kombeve që qëndrojnë dhe sot e kësaj dite në podiumin e nderit dhe jo si idhtarët pulaxhinj të ballistëve bashibozukë, bajraktarëve legalistë e mustaqellinj të kapedanëve anadollakë. Akoma dhe ndoshta as për mijëra vjet nuk do të lindin dot ata burra që të diskutojnë rolin dhe rëndësinë e Enver Hoxhës në luftën për çlirim rindërtimin e vendit dhe kalimin e Shqipërisë në një vend ku për herë të parë në histori u zhduk shtypja dhe shfrytëzimi i egër i njeriut nga njeriu. Se çfarë ka bërë ai për atdheun e tij nuk kanë ngelur ta diskutojë Enkelejdi, sepse kur u bë lufta dhe realizuan gjithë ato transformime shoqërore ai rrezik nuk ka qenë as nocion , madje dhe as embrion te “hallatet” e prindit të tij.
Do të mjaftonin këtu në këtë shkrim jo vetëm ndeshja dhëmbë për dhëmbë me Titon dhe titistët, por dhe qëndrimi burrëror në Paris ku ai me gishtin tregues do ti tregonte botës mbarë se kishin perënduar ato kohëra kur mund të luhej me fatin e shqiptarëve duke e detyruar përfaqësuesin grek të “megalli- idhesë” të strukej dhe të zvogëlonte përmasat në kolltukun e ulur, do të mjaftonte këtu grushti i tij në sallën Gjeorgjevskaja për ti treguar botës mbarë lindjen e një imperializmi të ri të një lloji të veçantë të maskuar me petkun “komunist”. Dhe për këtë burrë shteti i cili drejtoi shoqërinë shqiptare për gati gjysmë shekulli kanë shkruar dhe personalitete botërore. Po ku e ka hallin Enkelejdi i cili kërcen nga inati , mos vallë pse Bujari hodhi Enverin në celular, apo mos vallë nëpërmjet fotografisë që shpalos Bujari, ai kërkon të atakojë Partinë Socialiste?! Sigurisht që problemin nuk e ka me individin por ai insinuon se ende Partia Socialiste nuk është shkëputur nga Enver Hoxha. Në aspektin ideologjik Enkelejdi gabon sepse Partia Socialiste është shkëputur tërësisht nga marksizëm-leninizmi dhe është tërësisht një precipitat një vepër e Partisë së Punës së rrënuar të lodhur e rraskapitur deri në çorientimin dhe daljen nga binarët e ideologjisë proletare, të asaj partie që mbas vdekjes së Enverit jo vetëm se tradhtoi idealet e veta por e katandisi vendin dhe e çoi deri në atë pikë saqë dhe vet populli ju largua.
Në pamje duket sikur u largua nga ideologjia marksiste, por në thelb jo! Distancimi dhe indiferentizmi i popullit tregoi qartë demaskimin që po i bëhej tashmë hapur vetë Partisë së Punës . Pra në një farë mënyre ishte demaskim i revizionizmit, revizionizëm ky që e çoi Shqipërinë drejt shtegut kapitalist të ëndërruar nga Alibejtë, Kryemëdhenjtë, e Kryezestë të cilët nuk mund ta duronin dot popullin zot të fateve të veta. Por Enkelejdi e di fare mirë se partia e socialistëve (kupola e tyre) është tej e përtej me ballistë, por këta tashmë nuk janë si ballistët klasikë të kohës së luftës, por janë ballistë modernë që nuk veshin shajakë, por dalin të kollarepsur e me flokët gjithë xhelatinë, me kollare lara-lara që për ti treguar Evropës se janë po aq demokratë, mos dhe më shumë se “herr Mithat Beus “, veçse për konsum publik ndryshe nga partia e djathtë demokratike tregohen disi më luajalë. Tregohen të tillë sepse përshembull Taulanti i cili rri përherë në “Ballë”, di të dërgojë dhe buzëqeshje elektoratit dhe popullit për ditën e lavdishme të çlirimit, di të heshtë kur flasin ballistët, sikurse di të vendosë dhe një kurorë te dëshmorët e atdheut, ai di të anatemojë me të drejtë Saliun si vrasës, sikurse di dhe të heshtë për korrupsionet dhe bëmat e Partisë së tij. Në fund të fundit kapitalizmin e kthyen socialistët dhe sikur nuk shkon e hëngërt dreqi që të gjithë pjesën e lakmueshme ta rrëmbejnë të djathtët! Po porosinë që u pat lënë Ramizi se tashmë kapitalistët e rinj do të jemi ne ish-komunistët (duhet të nënkuptohen tradhtarët revizionistë)?! Amanetin thotë populli qe nuk e tret as dheu, ndaj dhe socialistët mbase jo në ato përmasa, por nuk janë shumë larg nga “stallat e rritjes së majmërisë kapitaliste” mbi gjakun djersën dhe mundin e popullit. Gjithsesi kakarisjet e Enkelejdit për “dekomunistizimin” janë të justifikueshme për ideologjinë borgjeze që ai përfaqëson. Natyrisht që ai është dhe kundër Marksit dhe ideologjisë së tij, por sot të ngresh dorë kundër Marksit është një lloj sikur të godasësh malin me gurë. Ja le të supozojmë se dhe partitë komuniste do i nxjerrin jashtë ligjit sikurse e kërkonte dikur një laraskë e PD-së vite më parë, por mos vallë ideologjinë e proletariatit e zhdukën?
Që të zhdukësh marksizmin duhet të asgjësosh proletariatin gjë që është utopi dhe krejtësisht e pa mundur, sepse dhe te supozonim se do asgjësohej i gjithë proletariati botëror, borgjezia do kthente në proletare më të shumtën e vetes së vet, duke i konkurruar duke i rrënuar dhe nga borgjezë të vegjël do i kthente në proletarë të mëdhenj qe do ti kundërviheshin vetë borgjezisë. Ky është mësim historik dhe sa për Enver Hoxhën nuk ka nevojë ta dojë as Enkelejdi as Taulanti, mbase dhe as vetë artikullshkruesi. Ju lutem z.Alibej ose kushdo tjetër që mund ta bëjë, organizoni një testim mbarë kombëtar në çfarëdo lloj gazete (përjashto ato partiake) mbi 10 figurat më të shquara të kombit tonë. Aty shikoni me kujdes se i sajti renditet Enver Hoxha. Aty do kuptoni të vërtetën sepse te Enver Hoxha, populli shqiptar ka të mishëruara shumë vetitë e veta si popull, madje atë pa e vlerësuar aspak as si komunist, ai ngelet e do të ngelet një ndër figurat epokale të këtij populli, një shqiptar i madh duam apo s’duam ne ,duan apo s’duan ballisto-zogistët, duan apo s’duan diversantët e tu, atë e do populli… ç’ti bëjmë popullit o Enkelejd ?
Epilog- Po si është e mundur që asnjeri nuk e akuzoi Çurçillin dhe as Rosveltin si komunistë, meqenëse dolën së bashku me Stalinin në fotografi në Teheran ?!