Turqia dhe Armenia kanë njoftuar se do të emërojnë të dërguar të posaçëm, të cilët do të punojnë për përmirësimin e raporteve, që janë të tensionuara për dekada të tëra Ankaraja zyrtare dhe Jerevani nuk kanë pasur asnjëherë raporte zyrtare diplomatike. Turqia, një aleate kyçe e Azerbajxhanit, shtet ku flitet turqishtja, e ka mbyllur kufirin me Armeninë që prej viteve të 90-ta, për shkak të okupimit të Nagorni-Karabakut me rrethinë nga Armenia. Tensionet janë rritur ndër vite për Nagorni-Karabakun, një rajon me popullsi etnike armene, por që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Ky rajon ishte shkëputur nga Azerbajxhani në fillim të viteve të 90-ta. Në vjeshtën e vitit 2020, Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë gjashtë-javore në këtë rajon të diskutueshëm, luftë që u mori jetën mbi 6,500 personave. Konflikti përfundoi pas një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia, sipas të cilës, armenët kthyen kontrollin e territoreve që i kishin pasur për vite tek Azerbajxhani.
