Premtimet, që iu kishte bërë Vetëvendosja, sindikalistëve të Kosovës gjatë periudhës 15-vjeçare në opozitë, tashmë po duken sheshit se nuk kanë qenë asgjë më shumë sesa premtime boshe, të kauzës mashtruese të Vetëvendosjes, parti e vetë-deklaruar e majtë, madje pak më shumë sesa e qendrës së majtë.
Pikërisht me këtë “majtizëm” të deklaruar, Kurti me të vetët krijonte imazhin e një revolucionari konsekuent dhe parimor, duke u afruar me sindikatat, duke i përkrahur kërkesat e tyre, duke u afruar bashkëpunim dhe duke u premtuar se sapo ta marrë pushtetin, do të realizojë të gjitha kërkesat e të drejtat e tyre.
Por, krejt kjo zgjati, derisa Albin Kurti e mori pushtetin dhe tani vlen ajo fjala e malësorit lindor “që kishte kaluar Drinin me kalin e fqinjit”.
Tani, sindikatat dhe kërkesat e tyre të drejta i konsideron të papranueshme, si pengesa në qeverisjen e tij.
Madje jo vetëm kaq.
Ai kërkon të zëvendësojë krerët e sindikatave dhe në vend të tyre, të emërojë sindikalistë që kanë votuar “popullin” e Vetëvendosjes, ashtu sikur emëron zyrtarët nëpër agjenci e borde. Kurti tani kërkon sindikalistë “lepe-peqe”, sepse sipas mendësisë së tij nuk paska kuptim që sindikatat të mos i binden atij.
Përveç shpërfilljes ai i injoron mizorisht, duke mos i pranuar as në bisedime, pasi është hidhëruar keq nga ata.
Lidhur me këtë rast Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se asnjë nga pjesëtarët e qeverisë nuk e ka pritur në takim për të pestën herë, Jusuf Azemin, i cili përfaqëson punëtorët në sektorin privat. Diskursi i kryeministrit, Albin Kurti dhe i pjesëtarëve të qeverisë karshi sindikatave është i papranueshëm, sidomos nga një parti, që pretendon të jetë e majtë. Të gjitha qeveritë kanë pasur problem me sindikatat, por me gjithë punët që kemi pasur i kemi diskutuar me ta, u kemi treguar gjendjen buxhetore dhe në shumicën e rasteve ata e kanë kuptuar një situatë të tillë, ka thënë deputetja, Hykmete Bajrami.
Kërcënimi që Albin Kurti iu bën krerëve të sindikatave, ndarja në sindikalistë me të kaluar të mirë e me të kaluar të keqe, sipas rezonit të tij, shpërfillja dhe injorimi i kërkesave të tyre, mosgatishmëria për të biseduar me ta, tregon më së miri se cila ka qenë dhe është “kauza” e Albinit dhe e Vetëvendosjes. Kërkesa për të ndërruar gjithçka sipas bindjes së tij, nuk është diçka e re, sepse këtë e kanë bërë edhe të tjerë para tij.
Mos-mbajtja e premtimeve u ka ndodhur dhe u ndodh të gjithë gënjeshtarëve e mashtruesve, sapo të veshën me pushtet.
Por, nga një parti e majtë, qoftë edhe formalisht e majtë, sikur është Vetëvendosja, askush nuk ka pritur se do të sillet në këtë mënyrë me sindikatat, në vendin tonë, të cilat për fat të keq nuk janë unike, nuk kanë qëndrime të mirëfillta sindikaliste, nuk kanë as besimin e shumicës së atyre që i përfaqësojnë, sepse janë shumë heterogjenë në pikëpamje sociale politike dhe nuk kanë një vijë të përcaktuar ideologjike. Kjo është edhe arsyeja pse ata injorohen, anashkalohen, fyhen, nënçmohen e në disa raste edhe persekutohen, duke iu hakmarrë familjeve dhe të afërmeve të tyre, qoftë me largim nga puna, qoftë me forma e metoda të tjera të luftës speciale, të cilat i ka në dispozicion çdo klasë e pushtetarëve mashtrues e gënjeshtarë.
Sindikatat në Kosovë kanë fatin e keq të tyre dhe të atyre të cilët i përfaqësojnë, për fatin e keq të klasës punëtore, së cilës nuk kanë guxim t ia përmendin as edhe emrin, sepse etiketohen si marksistë e leninistë, si pro socialistë e anarkisë. Ne kemi sindikata formale, të cilat protestojnë paqësisht, të cilët ngrehin dy gishta përpjetë e jo grushtin lart, të cilët nuk e kanë as në mendje t’ i sulmojnë institucionet sikur bënin dikur “vetëvendosistët”.
Në Kosovë ka shumë sindikata, por asnjëra prej tyre nuk merr guxim të veprojë për shembull sikur ndodh për shembull me veprimet e sindikatave të Francës, të cilat me bashkimin e tyre në raste kur u shkelen të drejtat, bllokojnë edhe punën e Qeverisë e të shtetit.
Kosova është larg momentit për të krijuar sindikatë të vërtetë, me program të qartë veprues, paraprakisht me vetëdije klasore, me veprime në akord me situatën, mbi të gjitha, në raste të caktuara, por edhe duke u sakrifikuar, për të arritur qëllimet. Kjo edhe për faktin se Kosova është shtet i brishtë, i rrezikuar prore nga Serbia dhe shtet i pa trajtuar në mënyrë të drejtë e të barabartë nga Bashkimi Evropian dhe organizata të tjera botërore me ndikim.