Edi Rama

Kryeministri Edi Rama e zbuloi fjalimin e mbajtur në darkën që pati me ambasadorët e huaj, të cilët i priti në Elbasan

Kryeministri Edi Rama e zbuloi sot fjalimin e mbajtur në darkën e djeshme me ambasadorët e huaj në Shqipëri, të cilët i priti në Elbasan. Gjatë fjalës së tij, Rama pa përmendur emra ka përmendur edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili edhe pse i shpallur “non grata” nga Amerika, ka shprehur hapur ambicien e tij për të garuar sërish për të qenë në krye të opozitës dhe më pas të qeverisë së vendit. Ndërsa po ashtu ka shënjestruar edhe presidentin e vendit, Ilir Meta, i cili gjatë zgjedhjeve u kërkoi shqiptarëve që të mbrojnë votën me sfurqe e sëpata, fjalë që sot u përdorën kundër tij nga Rama. Sërish pa e përmendur me emër kreun e shtetit. “Duhet durim, shumë më tepër se sa i ka mbetur këtij kombi, ndërkohë që figurat më të dyshimta të së shkuarës, gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë, në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë,”-shtoi sërish Rama. Tone më të buta kishte rezervuar për kundërshtarin e tij në zgjedhjet e fundit për kryeministër, numrin një të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. “Të dëgjojmë më shumë njëri tjetrin. Jeta shkon shumë shpejt për ta cilësuar njëri tjetrin si armiq,”-tha Rama ndër të tjera në fjalën e tij. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Lutfi Haziri akuzon qeverinë për keqpërdorim të aseteve të shtetit për fushatë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka  akuzuar Qeverisë së Albin Kurtit për keqpërdorim të aseteve shtetërore …