Peaceful Change initiative – PCi (Nisma për Ndryshim Paqësor) ka kënaqësinë të prezantojë hulumtimin e ri, të ndërmarrë bashkërisht nga Universiteti i Beogradit dhe Universiteti i Prishtinës, që eksploron peizazhin aktual të nismave ndërkomunitare në Serbi dhe Kosovë.
Hulumtimi – i cili u ndërmor si pjesë e projektit të financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, “Përforcimi i zërave lokalë për zhvillim me drejtëri” – kishte për synim eksplorimin e dy dimensioneve kyçe. Së pari, pozita e organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në mesin e grupeve shoqërore dhe komuniteteve që ato pretendojnë se përfaqësojnë. Së dyti, çështjet e reja që kanë mobilizuar qytetarët të cilët më parë nuk janë përfshirë në angazhim qytetar, si dhe arsyet pse këto mobilizime kanë dalë të suksesshme.
Një nga rekomandimet kryesore që rrjedhin nga hulumtimi është se shoqëria civile do të duhej të vazhdojë të promovojë barazinë, solidaritetin dhe reciprocitetin, dhe të kundërshtojë narrativat përçarëse dhe etnike mbi identitetin dhe ballafaqimin me të kaluarën. Së këndejmi, organizatat e shoqërisë civile do të duhej të inkurajohen për angazhim lidhur me tema dhe çështje të vështira që shqetësojnë komunitetet, dhe jo vetëm të kultivojnë çështje që konsiderohen më pak politike në nismat e tyre ndërkomunitare.
Siç konkludoi Dr. Jelena Lončar, profesoreshë asistente në Fakultetin e Shkencave Politike pranë Universitetit të Beogradit, dhe një nga drejtueset e hulumtimit, ‘në Kosovë shoqëria civile është më e përqendruar nga e ardhmja, më optimiste se në Serbi, me bashkëpunim më të zhvilluar brenda dhe ndërmjet komuniteteve në nivelin lokal. Nga ana tjetër në Serbi, si përshtypje kryesore kemi mungesën e shpresës dhe motivimit për aktivizëm, ku pjesëmarrësit këmbëngulin se ka mungesë të ekspertizës, burimeve dhe vizioneve për të ardhmen. Në të njëjtën kohë ne kemi vënë re se po shfaqen organizata rinore që japin shpresë se aktivizmi në nivelin bazë është i mundur.’
Dr. Vjollca Krasniqi, profesoreshë e sociologjisë, në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit të Prishtinës, e cila gjithashtu udhëhoqi hulumtimin, theksoi se, ‘historia e konfliktit ka lënë një trashëgimi të rëndë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, edhe për organizatat e shoqërisë civile. Ato duhet të rivendosin besimin – të promovojnë tolerancën dhe bashkëpunimin – ndërmjet komuniteteve. Një gjetje e rëndësishme është se organizatat e shoqërisë civile besojnë se iniciativat ndërkomunitare janë të rëndësishme dhe domethënëse për kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike, edhe përkundër faktit se narrativat kryesore mbeten të ndara.’
Dr. Orli Fridman, drejtues i Qendrës për Studime Krahasuese të Konflikteve në Fakultetin e Mediave dhe Komunikimit (FMK), Universiteti Singidunum, dhe këshilltar gjatë hulumtimit, shtoi se ‘forca – madje edhe bukuria – e hulumtimit është pasuria e tij me të dhëna empirike. Ka disa citate të shkëlqyera nga pjesëmarrësit që demonstrojnë praninë e vetë punës në terren. Si rezultat, raporti pasqyron një realitet kompleks dhe më të nuancuar në terren, i cili sfidon diskurset e përditshme ekzistuese.’
Hulumtimi është i disponueshëm për t’u shkarkuar nga uebsajti i PCi këtu:
https://peacefulchange.org/resource/on-civil-society-in-serbia-and-kosovo/
Për më shumë informacion rreth hulumtimit, ju lutemi kontaktoni Ian Bancroft ([email protected]).