LUANËT E NËNAVE, PARA GJËMAVE
Luanët e nënave në beteja të rrepta,
Luftuan për vendin, e jo për epoleta!
MURI KINEZ, U ZBULUA NË MËNGJES
Dita gdhiu pa Diell: Mitrovicë, mirë mëngjes!
Përtej Urës së pakalueshme një Mur Kinez!
JANË TË PAPREKUR, GJARPËRINJTË E FSHEHUR
Sytë hapni vogëlushë, shtegut në fushë,
Gjarpërinjtë e fshehur janë rreth jush!
MASKA U ÇJERR NATËN MENJËHERË
Kjo Dritë e fortë e shpëtimit në terr,
Edhe Maskën më të fshehtë e çjerr!
GRUAJA E NGRATË, VUAN NË MËRGATË
Pas një kohe gruaja e bukur venitet,
Larg vendlindjes i ikin shpejt vitet!
UDHËTIMI PA VIZA PËR MIZA
Demokraci do të ketë në botë,
Kur të udhëtojmë pa pasaportë!
PRINCA E MBERTËR, SHUMË TË ETUR
Kemi fjetur në tokë, pa shtretër,
Në ëndrra ishim princa e mbretër!
UNIVERSITETI I TETOVËS, DOMOSDOSHMËRI E KOHËS
Të lumtë, o Universitet i ri Tetove,
Dhunën më barbare e përballove!
KULLA E RE SHNDRIT MBI DHE
Madhështore kulla jonë e gurtë,
Kot e rrënuan bishat në çdo luftë!
HILJA E FSHEHTË EDHE NË QYTET
Hilja nismën e ka nga xhelozia,
Papritmas përfundon te tradhtia!
MBIJETESA JONË KUJTOHET GJITHMONË
Më nuk do të jetë pa Diell,
Kjo tokë martire dhe ky qiell!
GUXIMI NË JETË NGJITESH PËRPJETË
Në vendim tim: jam mbret,
Për çdo gjë vendosi vetë!
PERANDORITË, SHEMBEN NJË DITË
Kush besonte se perandoritë
Përdhe do shembën një ditë!?
NËNKALA TË PRZRENIT BURRAT E VENDIT
Te Shtëpia e Lidhjes, nën Kala,
Të përqafuar vëllai me vëlla!
NË GJI SHQIPËRIE NDRITIN SHUMË YJE
Dita me diell e qeshur, natën me shumë yje,
Shpirti i kënaqur prehet në gji Shqipërie!
JETËN TONË, ATDHEUT GJITHMONË
Bijtë e bijat më të mira thanë: jetën atdheut!
Ashtu si vepruan në kohën e Skënderbeut!
NË TOKË THELLËSITË, ME KALLINJTË E FLORINJTË
Thellë në nëntokën tonë t’ i hapim mirë sytë,
Ara më e madhe Trepça me kallinjtë e florinjtë!
I SËMURI SHËROHET, TOKA PUNOHET
Në paqe: qielli kaltërohet, e toka lërohet,
Mes luleve të çelura i sëmuri shërohet!
NGA KASOLLJA NË FSHAT BËRI PALLAT
Ai që dikur jetoi në një kasolle në fshat,
Në lagje të madhe qyteti ndërtoi pallat!
POPULLI I LASHTË, KOKËN E MBAN LART
Një shtëpi zhbëhet, edhe një fshat,
Por nuk zhbëhet një popull i lashtë!
SHIHET MBI KATUND UNIVERSI I PAFUND
Shiko në hapësirën e pafund të universit,
Në largësi të madhe ndritën yjet e interesit!
PËRSHËNDETJE ME BUZËQESHJE
E ke parë, në çdo përshëndetje,
Lulet e bukura falin buzëqeshje!
KRUJA KRENARE ME KËSHTJELLËN LEGJENDARE
Kruja na mësoi shkollën e qëndresës,
Njëherë në jetë jepet fjala e besës!
KUFIRI I VJETËR LARG KA MBETUR
Atje, te Molla e Kuqe, ishte kufiri ynë,
Përbindëshit e zvogëluan Shqipërinë!
(Nga libri me poezi: Mbret në vendin tim, botues Lena, Prishtinë, 2021, f. 151)