Poezia e Asdrenit, poetit të madh kombëtar, kushtuar Kosovës dhe Çamërisë është botuar në gazetën “Tomori” më 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Kjo poezi ishte botuar në kohën kur në prill të vitit 1941, pas kapitullimit të Jugosllavisë monarkike, e cila nga vitit 1918 kishte mbajtur nën pushtim klasik e shfaronjës Kosovën dhe viset e tjera shqiptare, ndërsa Greqia kishte shfarosur shqiptarët me fe islame, Kosova dhe Çamëria iu kishin bashkuar Shqipërisë, e cila me të drejtë ishte quajtur “Shqipëri Etnike” po edhe Shqipëri e Madhe, sepse ajo asokohe me ndihmën e forcave italiane ishte shtrirë në disa pjesë të territorit etnik, që i kishte ndarë Traktati i Versajës i vitit 1918. Është e vërtetë se bashkimi kishte ndodhur me ndihmën e Italisë, që paraprakisht kishte pushtuar Shqipërinë, e cila edhe ashtu për 15 vjet kishte qenë nën protektoratin italin me mbretin Ahmet Zogu në krye. Akti i bashkimit të shqiptarëve i përkrahur asokohe nga aleanca më e fortë e botës, ishte mirëpritur kudo ndër shqiptarë, pavarësisht interpretimeve politike e diplomatike. Poeti i madh atdhetar, Asdreni, ashtu sikur edhe mijëra intelektualë shqiptarë të kohës, nuk mund ta dënonin aktin e bashkimit të trojeve shqiptare, pavarësisht rrethanave në të cilat kishte ndodhur ai proces historik.
Andaj poezia e tij kushtuar Kosovës dhe Çamërisë, është thjesht një poezi e fuqishme patriotike, e cila ishte anashkaluar pa të drejtë nga opusi i krijimtarisë së tij poetike, ashtu sikur ishte vepruar pa të drejtë edhe me veprat e Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit e disa të tjerëve. (Ahmet Qeriqi)
Në gazetën “Tomori” poezia është titulluar: “Shqipëria e Madhe”
Mir’ se erdhe midis nesh, o e bukura Kosovë!
Mir’ se erdhe motër, po të them dhe përsëri,
Mbas vuajtjeve dëshmove gjatas që dhe provë
Të hysh hirplotë në gjinjt e Mëmës Shqipëri.
Me vrer në buzë prisje të gjeje pak ndihmë e dritë
Ta ngrehësh vehten prej njëj territ të pafund,
Me flijime pa numër dhënë ditë për ditë,
Të ngopej bisha, sot përdhe, pa shpirt që u mund…
Me vargje trupin lidhur, kombi më gjakpirës
Pak frymë për të marrë vehten nuk të linte,
Të çorri faqe e sy me thonjt e tij grirës,
Me drapër gjith po korrte pleq dhe të rinj.
Dhe zëri t’ ishte shuar, lotët e syve tharë
Në fshamë e mbytur dhe në vojtje pambarim,
Ndër aq vjet s’pe një ditë pak të mbarë:
E zhveshur edhe e zbathur pa pikë përdëllim!
Një copë truall nuk të linte për jetesë
As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,
Dëshirë e tija: farë e jotja të mos të mbesë:
Në dhe të huaj larg të shporte me qëllim!
Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë
Grabitje me pahir te gjësë pa pushim,
Në trollin tënd ai të kishte si një halë,
Çdo çast për ty s’mendonte veçse për shkatërim!
Sa burra nuk e derdhën gjakun kot së koti,
Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,
Mëshirë s’gjenin as kur binin pika loti,
Shtëpin’ e plengun zjarri kur ua bënte hi e shkrumb!
Kish heshtur kënga pleqërishte dhe dasmore
Lahutë-e fyell derthnin tingull vajtimtar,
Me drojë dilte bjeshkës vajza malësore,
Kurrkujt si qeshte buza, në aq tym e zjarr!…
Dhe ti e shetrenjta Çamëri si trime e rallë
Dikur që të ngjallej greku pate falur gjak,
Si mirënjohje flijimi prite plumb në ballë;
Pa faj dhe miq dëshmorë ranë keq në lak!
Mirë se erdhe pranë Mëmës, vajzë-e dëshiruar
Plot mall o bijë e shumëvojtur Çamëri,
Në gjinjt’ e saj të ngrohtë drejt në kraharuar
Gjith po të priste pa durim me dhempshuri.
Dy bija të përmallshme, Gurë të paçmuar
Si dy florinj të ndritshëm derdhur bukuri,
Mi ball të Shqipërisë, Mëmës së-adhuruar,
Si hyj po ndritni, ju, Kosovë e Çamëri!
Dy zotër të pashpirt me të egër se dy bisha
Mbë nj’anë serbi, fis i poshtër gjakatar
Ndaj tjetrës greku dhelpër, vrasës gënjeshtar;
Dy faqezes pa Perëndi, me kryqe-e kisha!
Me shufra dhe shuplaka, grykës dhe tërkuza,
Për ‘ta ju s’ishit veç një farë bagëti,
Ata me tallje, juve ju përcilte buza:
Po kthenje fjalë, ca më keq, si mjerë ti!
Por Ora-e fundit, Ora e tmerrit e shpërblesës
Çdo faj me të përdhunë bërë që s`e fal
Pluhur dhe hi u-bënë shkelësit e Besës
Rrufe mërije Zoti rrymën që s’ia ndal!…
Dikur Dodona plakë parathoshte Fatin
Që çdo shpirtlik e çojnë Hyjit drejt në Ferr
Dhe sot po gjith ata mizorët më të ngratin
E marrin shpagën prej njëj gjyqit që të therr!
Kur më të dobtin don e shkel me të përdhunë
Ndeh dorë lakmimtare me padrejtësi
Më shpejt a von të pret po gjith ajo furtunë
Që s’le pa mos përmbysur çdo paudhësi!
Ju me vullnet të fortin tuaj s’u-përkulët
Çdo sulm të bishës e përballtë me guxim,
Se vetëm kombet jetë-skllavë dhe shpirt-ulët
Durojnë zgjedhën qafës, pa një murmurim.
Mbërdhe përfare ranë hekurat e rënda
Përjetë-u shduk tirania që s’durohej dot
Sot flamuri kuq-zi ndeh flatrat siç i kënda
Mbi viset ku Shqiponjat motit qenë zot!
Sot Djell i ri ju ngrohn me rreze çlirimtare
Sot zgjedha e rëndë-e robërisë mori fund
Mëngjezi-i ndritshëm njaj prandvere shkëlqimtare
Mbi tokën t’uaj po përhapet me sa mund;
Sot ndër qytetet dhe katundet gazi ndjehet
Vëllazërimi-i tërë Kombit plot hare
Me këngë dhe kremtime populli dëfrehet
Fatlum për atë se lindi Jetë krejt e re!
Çdo Vatër e Kosovës dhe e Çamërisë
Le të tërhidhet me vallzime të pafre
Se Terri perëndoj, arthi Drita e Lirisë
Mbi malet tona po shëndris një qiell pa re.
Që tash, o burra djem, ju mbetet juve barra
T’i bëni ballë çdo rrezikut që ju del,
Të shohë vendi i ynë ditë më të mbara
Me vrrull t’a mbroni, këmbë-armiku kur e shkel!
Me krenari vazhdoni trimërinë e motshme
Qysh nga të Parët tanë mbetur trashëgim
Hovplot forcoheni me diturit’ e sotshme
Mos merrni Fenë parasysh për një Bashkim.
Si burra plot vullnet kësaj fatlume radhe
Të bëhemi me ndihmën e të Madhit – Zot,
Një Komb i fortë në një Shqipëri të Madhe
Që mundi i aq Dëshmorëve të mos vejë kot.
Fatosavet dhe Prijsavet u-qofshim falë
Me ne, dy kombe miq, që derdhën gjak bujar
Nër luftra ngadhnjimtare zot që kanë dalë
Kurorë Nderi plot shkëlqim për çdo luftar!
Ushtrive të lavdishme Mike dhe Mbrojtare
Me krahun e pathyershim vetëtimtar
Q ëu-shëmb armiku më mos ngrehë krye fare:
Nderime-e Mirënjohjen t’onën, shqiptar!
Asdreni
(“Tomori” 28 nëntor 1941)