Ramadan Rexhep Rexhepi (21.1.1962 – 5.5.1999)

Ramadan Rexhep Rexhepi (21.1.1962 – 5.5.1999)

Fshati Sojevë i komunës së Ferizajt, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha dëshmorë e martirë, ndër të cilët edhe njërin prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Neredimes, Ramadan Rexhepin, i njohur gjatë kohës së luftës si “Komandant Adidasi”. Për çlirimin e Kosovës nga fshati Sojevë ka rënë dëshmor në frontin e luftimeve, në Koshare edhe Zejnullah Zejna. Gjatë luftës, trupat serbe vranë shqiptarët pa dallim gjinie e moshe: Haxhere Nebihun, Nazmi Nebihun, Haki Kçikun, Hamit Halimin, Mehmet Boshnjakun, Qerim Ajvazin, Shaqir Kçikun, Shukri Kçikun, Vehbi Sojevën dhe Xhevahire Tahirin. Po ashtu, ato dogjën 50 shtëpi të fshatit Sojevë, ndërkohë që popullata civile ishte zhvendosur në drejtime të ndryshme, me qëllim që t’i shpëtonte vrasjes dhe shfarosjes.
Ramadan Rexhepi u lind në fshatin Sojevë të Ferizajt, më 21 janar të vitit 1962. Babai i tij Rexhepi dhe nëna Mahmudija lindën e rritën Ramadanin, Shabanin, Muhametin, Selamiun, Fadilin, Avniun dhe Kadrushen.
Shkollën tetëvjeçare, me sukses shembullor e kreu në vendlindjen e tij ndërsa shkollimin e mesëm e vijoi në shkollën teknike në Ferizaj, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Shokët e shkollës e përshkruajnë si nxënës të vëmendshëm, të zgjuar dhe shumë të dashur me shokët. Ishte shtat hedhur, me tipare të shprehura të fytyrës dhe fizikut që rrezatonte shëndet, forcë dhe mbi të gjitha, vetë përmbajtje e tolerancë.
Ramadani kishte qenë maturant në kohën e shpërthimit të demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981. Asokohe, së bashku me Njazi Azemin e Mogillës së Vitisë, tash dëshmor, të cilin e kishte dajë, dhe me shumë shokë të tjerë, mori pjesë aktive në demonstratat e 3 prillit në Ferizaj, kur u martirizuan nxënësit Riza Matoshi dhe Sherif Frangu.
Edhe pse me sukses të shkëlqyeshëm e kishte kryer shkollën e mesme të drejtimit teknik, Ramadani ishte regjistruar në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë, meqenëse konsideronte se në atë drejtim do të korrte më shumë sukses edhe për faktin se vetë natyra dukej se e kishte përgatitur fizikisht për një profesion të tillë. Ai edhe si student ishte i dalluar. Pas përfundimit të studimeve kishte regjistruar edhe shkallën e tretë të studimeve në Novi Sad, por në kushte dhe rrethana të zhvillimeve politike, në vitet ‘90 në Jugosllavinë e atëhershme, ai punoi dhe veproi në Ferizaj. Fillimisht punoi si arsimtar i Kulturës Fizike në fshatin Manastirc. Ndërkohë punoi edhe në Shkollën e Mesme Teknike dhe në Shkollën e Mjekësisë, në Ferizaj.
Krahas punës në arsim, Ramadani u mor edhe me aktivitetet sportive e kulturore. Ishte lojtar i dalluar i Klubit Futbollistik “Çeliku” të Ferizajt dhe bënte pjesë në kreun e Asiociacionit të Federatës së Sporteve të Kosovës, në Ferizaj
Në vitet ‘90, kur regjimi serb kishte atakuar shkollën shqipe dhe kishte filluar masat represive kundër gjithë shqiptarëve, Ramadan Rexhepi me shumë shokë të tij u rreshtua në “lëvizjen paqësore” të kohës, me qëllim për të kontribuar dhe për të mos lejuar degradimin e jetës arsimore, edukative e shoqërore. Asokohe aktivitetin e tij partiak e kishte zhvilluar në Forumin Rinor të LDK-së, duke organizuar manifestime të ndryshme kulturore, por edhe sportive.
Në dhjetor të vitit 1998, Ramadan Rexhepi ishte mbante lidhje bashkëpunimi me Shefqet Jasharin, nga Ferizaj, Agim Bekteshin, Skënder Tahirin e shokë të tjerë dhe priste momentin kur do të kalonin në radhët e armatosura të luftës.
Duke qenë se Zona Operative e Neredimes ishte zgjeruar dhe ishte konsoliduar qysh në vjeshtë të vitit 1998, në fillim të dhjetorit të po atij viti, Ramadan Rexhepi së bashku me Shefqet Jasharin, Skënder Tahirin dhe Agim Bekteshin, nën përcjelljen e Vezir Jasharit, tash dëshmor, kishte depërtuar në bazat e luftës, në Jezerc. Atje kishte kontaktuar me komandantin Imri Ilazi, i njohur si Komandant “Ferri”. Fillimisht ishte sistemuar në Shtabin e UÇK-së, në Jezerc, në lagjen “Mahalla e Katundit” Pika 6.
Pas një kohe të caktuar, Ramadani ishte emëruar Komandant Kompanie të Batalionit të Parë të Brigadës 161 “Ahmet Kaçiku” të Zonës Operative të Neredimes. Në luftën e UÇK-së, nga fshati Sojevë morën pjesë edhe bashkëluftëtarët e Ramadanit: Zejnullah Zejna, i flijuar, dëshmor i rënë në Koshare, më 3 qershor 1999, Skënder Tahiri, Agim Bekteshi, Emrush Hasani, Avdullah Metushi, Lutfi Nebihu, Alban Syla, Destan Biçevci etj.
Meqenëse kishte përgatitje të duhur profesionale për stërvitjen fizike të ushtarëve, ai fillimisht stërviti ushtarët e zonës, ndërkohë që komanda e saj, në muajin shkurt të vitit 1999, Ramadan Rexhepin dhe bashkëluftëtarët e tij: Nexhat Ramusholli, Azem Guri, Ahmet Vishi e Heset Malsiu i dërgoi në Akademinë Ushtarake “Hamzë Jashari” të UÇK-së që funksiononte në Negroc, me qëllim të aftësimit profesional. Ai gjatë kohës së caktuar, kishte kryer me sukses kursin në akademi.
Në kohën e ofensivave të majit të vitit 1999, forcat serbe kishin vënë në rrethim të hekurt tërë Zonën me qëllim për t’ i shkatërruar bazat e UÇK-së dhe për të zhvendosur popullatën shqiptare, e cila ishte edhe logjistikë e pazëvendësueshme e luftës çlirimtare. Njësite të shumta të UÇK-së ishin vënë në mbrojtje të popullatës dhe në ndihmë për ndërrimin e vendstrehimeve sipas kushteve e rrethanave. Në Zonën e Neredimes asokohe ndodheshin edhe disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në mesin e tyre edhe Komandanti i Shtabit, Agim Çeku, Bislim Zyrapi, Dilaver Goxhai, Hashim Thaçi, Ramë Buja e të tjerë.
Duke folur për angazhimin e Ramadan Rexhepit në vijat e frontit të luftës së UÇK-së, bashkëluftëtari i tij, Skënder Tahiri thotë se “Adidasi” ishte kurdoherë në vijën e parë të luftimeve. Ai u thoshte ushtarëve, “ejani pas meje!” dhe kurrë nuk i urdhëronte të shkonin të parët. Ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që janë zhvilluar në zonë. Ishte tejet i përkushtuar, kurdoherë i përgatitur fizikisht dhe gjithmonë në krye të detyrës.
Prej kohës kur ka shkuar në Zonën e Neredimes asnjëherë nuk është kthyer në shtëpi, – thotë Shabani, vëllai i Ramadanit. Ai brengosej për familjen, për të gjithë ne meqë ishin në rrethim dhe prore të rrezikuar nga forcat okupatore serbe. Më 17 prill, Shabani me babain Rexhepin dhe tërë familjen largohet nga fshati dhe vendoset në fshatin Sllatinë të Vitisë. Sapo ishin vendosur në një shtëpi mirëpritëse, serbët me rastin e kontrollimit i arrestojnë dhe i dërgojnë në Stacionin e Policisë në Viti, Shabanin dhe dy kushërinjtë e tij, me pretekst se kanë lëshuar vendbanimin pa njoftuar paraprakisht organet e rendit. Pasi lirohen, Shabani dhe babai i tij Rexhepi strehohen në fshatin Tanushë, ku qëndrojnë deri në mbarimin e luftës.
Me rastin e sulmit të forcave serbe në pikat e luftës në fshatin Jezerc, më 5 maj të vitit 1999, Ramadan Rexhepi ndodhej në Pikën 6, te Lagjja Ukësmajli. Në një moment goditet nga arma armike dhe bie në altarin e lirisë. Po atë ditë bie dëshmor edhe Imri Halili, luftëtar i lirisë nga fshati, Gaçkë. Trupin e komandant “Adidasit” e tërheqin nga vendrënia bashkëluftëtarët Agim Ukësmajli, Shyqëri Hasani, Xhevat Ukësmajli etj. Fillimisht në kushte dhe rrethana të luftimeve të pandërprera ata e kishin varrosur afër vendit të rënies. Disa ditë më vonë, më 17 maj, bashkëluftëtarët e tij, trupin e dëshmorit e kishin varrosur në “Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Legjendas, ish-Mollapolc. Tani trupi i tij pushon në përjetësi në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të UÇK-së, në Ferizaj.
Ramadan Rexhepi ka lënë bashkëshorten, Mexhiden, bijtë: Blendin e Rinorin dhe bijën, Violetën. Ai po ashtu ka lënë babain, vëllezërit dhe një motër.
Familja Rexhepi ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme, nga shoqata e luftës dhe Kuvendi komunal i Ferizajt. Pllaka përkujtimore për dëshmorin është vendosur në vendrënien e tij në Jezerc.
Shtatorja e dëshmorit Ramadan Rexhepi ndodhet edhe në oborrin e shkollës, në Sojevë. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …