Eksperti i spikatur i verëtarisë dhe vreshtarisë, Rexhep Kryeziu, i cili ka ndërtuar një reputacion të jashtëzakonshëm në Zvicër në këtë fushë, ishte mysafir në zyrën e kryetarit të komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, me të cilin u zhvillua një bisedë pozitive dhe e përzemërt.
Rexhep Kryeziu nga Dejni, është njëri prej ekspertëve më të njohur për verëtari dhe vreshtari në Zvicër, duke e bërë krenare vendlindjen për arritjet që ka shënuar gjatë karrierës së tij deri në pensionim. Gjatë angazhimit shumëvjeçar në Zvicër, Rexhepi ka menaxhuar një sipërfaqe të madhe vreshtash në Kantonin e Argaut, ndërsa është edhe autor e bashkautor librash që lidhen me verën dhe vreshtat.
Rexhepi i dha shije të veçantë kësaj fillimdite duke i dhuruar kryetarit Latifi një shishe verë cilësore të cilën e kultivon në Zvicër si dhe katër librat të cilët kanë për subjekt rrushin dhe verën, autor i të cilëve është ai.
-
Kitja e vreshtës-mbi teknikat dhe rregullat e kitjes së hardhisë së rrushit.
-
Verën-zbulojeni, provojeni dhe shijojeni-gjithçka rreth verës, përdorimit, shijes dhe përfitimet e saj.
-
Vera-njohuri në praktikë dhe teori-rreth verës dhe llojeve të saj.
-
Verëtaria praktike-është studim i hollësishëm mbi verëtarinë mbarëshqiptare, bashkautor me akademikun e njohur në veprimtari studimore dhe eksperimentuese në agronomi, Prof. Dr. Andrea Shundi nga Shqipëria.