Albin Kurti

RKL: Ku e ka hallin e sikletin, Albin Kurti, që është frustruar aq shumë sa e pranon edhe vetë?

Deklarimi patetik dhe me një dozë të emocioneve të pakontrolluara nga kryeministri, Albin Kurti, lidhur me kolapsin energjetik në vend, bën të kuptojmë se ballafaqimi i tij me realitetin,  ose po e zgjon nga dëliri i fitores, ose tregon paaftësinë totale të tij  për të zgjidhur qoftë edhe një problem të vetëm, përveç se me fjalë e me premtime boshe.

Përmendja e frustrimeve, përmendja e gjakut, në të cilin e paska gjetur Kosovën kur e mori timonin e Qeverisë, pas 22 viteve  të qeverisjes së pas luftës,  prezantimin e “fajtorit kujdestar” sikurse për të janë të gjitha qeveritë e kaluara që vetëm paskan rrënuar, përgjakur e plaçkitur shtetin,  përpjekja për të arsyetuar se asgjë nuk mund të bëhet në Kosovë për shkak se gjithçka qenka prishur dhe nuk u ndreqka dot pa kaluar edhe 22 vjet të tjera me Abinin e albinët në krye të Kosovës, nuk janë vetëm konstatime nihiliste e pesimiste të një “revolucionari” të vetë deklaruar majtist, por krejt kjo është një ballafaqim ogurzi, me premtimet astronomike që kishte bërë dhe që nuk po arrin t’ i  realizojë as edhe një për be, përkundrazi po përmbytet në paaftësinë e tij dhe të ekspertëve gjysmakë, me dhe pa diploma, të cilët krejt çka dinë të bëjnë, “ezber tamam”, është retorika arrogante, fyerja dhe përçmimi i krejt të kaluarës, ashtu sikur  Sali Berisha, i cili për të gjitha dështimet e tij, fajëson regjimin 45-vjeçar të Shqipërisë Socialiste,  pastaj  kërcënimet se do të ngrehin zhag e përtokë kundërshtarët, se do të ndërrojnë prokurorët, gjykatësit dhe pasi ta shkatërrojnë botën e vjetër dhe dy ish republikat, solemnisht  ta vendosin republikën e tretë në vend të saj vetëm për votuesit e Vetëvendosjes.

Kjo shkarje në “zallin e gjallë” e  frikëson tejmase Albinin e albinët e zemëruar.

Atij tashmë i ka dalë gjumi.

Ai tashmë po ballafaqohet me të vërtetën e hidhur.

Ai po e kupton se nga e thëna në të bërë nuk qenka në mes,  vetëm një det i plotë me rërë, por edhe më shumë se kjo.

Po e kupton se sa lehtë është të kritikosh me shkak e ka shkak, po sa vështirë është të drejtosh, kur nuk ke ide që mund të jetësohen, përveç atyre që mund të   dëshirohen.

Tash, Albini me të vetët po e shohin dhe po binden se BE-ja nuk bëhet fare merak se çka mendon Kurti, se dialogu me Serbinë nuk fillon me te,  por vazhdon atje ku e kishte lënë Hashim Thaçi, se fusnotën u dashka pranuar dashur pa dashur, pasi nuk paska qenë fjollë bore, por kafshatë që nuk kapërdihet dot. Tani Albini po pajtohet se në fillim u dashkan negociatat e jo vetëvendosja, se dashka t’ ia japë madje edhe t ia shtrëngojë dorën Vuçiqit, se u dashka të bisedojë gju më gju me të, se u dashka të bëjë lëshime në të gjitha kërkesat e BE-së, për të cilat ishte zotuar se “kurrë, Vuçiqit dorën nuk ka me ia dhanë, se kurrë dialogun nuk paska me pranumun, se kurrë Bajlozit Vuçiq nuk paska me ia dhanun veriun, për pa u premun në fushë të mejdanit”.

Hallet, problemet e pazgjidhura të Kosovës në raport  me kërkesat e BE-së, presioni të cilin duhet ta pranojë, kompromiset me Serbinë në bisedime, pranimin e “Zajednicës” si Republikë Serbe, lënien nën Serbi të Kosovës Lindore dhe krejt çka të kërkojë Serbia,  BE-ja, pse jo edhe ambasadat e vendeve mike.

Kurti i ka mbetur  vetëm t’ i  thotë jo, “Ballkanit të Hapur”, jo marrëdhënieve të mira me Edi Ramën, tani si duket nga frika prej amerikanëve nuk pranon miqësi e vëllazëri as me  me Sali Berishën e Ilir  Metjen, me të cilët do të kishte  të përbashkët luftën kundër Edi Ramës.

Çka i ka mbetur Albinit, për ta shpëtuar sadopak “namuzin e erzin” politik, pas sa e sa trimërive të paralajmëruara e  të premtuara.

Ai lavdërohet se e ka rritur mirëqenien ekonomike në vend  me 10 për qind, me paratë që i ka dërguar mërgata për popullatën, dhe kjo nuk ka të bëjë me asnjë të zënë me punë,  lavdërohet se ka zënë me punë 10 mijë militantë të Vetëvendosjes, duke përzënë nga puna militantët e partive të tjera.

Albini nuk është vetëm i frustruar dhe i vetëmashtruar, por edhe i  degdisur dhe i sikletosur.

Ai ndodhet para dilemës hamletiane.

Një ditë do të gdhijë esëll,  dhe  me siguri se  do të lirohet nga egoja e sëmurë e super njeriut.

Albini, të vetmen  punë që ka ditur ta bëjë dhe që me siguri do ta bëjë edhe në të ardhmen e afërt, është opozita, të cilën ai me të vetët e demonstron edhe në qeverisje, në Kuvend, madje disa ministra e ministresha  të tij i marrin pjesë edhe në protesta kundër Qeverisë, sepse ashtu janë mësuar. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …