Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka deklaruar për mediet se procesi i Berlinit është shtylla kryesore e marrëdhënieve të gjithë rajonit, dhe se është e rëndësishme që në këto nisma të ketë një gjithë përfshirje. Ai thotë se fokusi kryesor i të dyja vendeve duhet të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e dy qeverive e mbajtur në Elbasan, ku u nënshkruan 13 marrëveshje. “Duhet të theksojmë se procesi i Berlinit është shtylla kryesore jo vetëm e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, por edhe e marrëdhënieve në tërë rajonin. Është një proces që ka filluar më parë, por nga ana tjetër ashtu siç është thënë edhe faktori ndërkombëtar do ishte mirëpritur edhe nisma të tjera që vendet e rajonit mund të kenë, por e rëndësishme është që në këto nisma të ketë një gjithë përfshirje. Prandaj edhe një herë theksojë nuk do t’i mëshojmë kësaj teme kaq shumë por duhet të shikojmë se si po realizohen marrëveshjet midis dy qeverive dhe me kënaqësi mund të them se ky proces tashmë ka filluar për të gjetur frymën e zbatimit”. Ambasadori Minxhozi duke folur për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prizren tha se do të jetë një hap shumë i rëndësishëm për ekonomitë e të dyja vendeve.
